Qemal Lame: Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë sipas planit Evropian

108
Sigal

Gjendja në Veriun e Kosovës është e domosdoshme të shtensionohet. Quint, BE dhe NATO paralajmëruan qartë e fuqishëm Kosovën për pasoja në marrëdhëniet e përbashkëta, kërkojnë të mos ndërmerren masa të reja për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin, Potok dhe Zveçan, si dhe të mos ndërmeren hapa të njëanshme  destabilizuese. Në deklaratën e Quint theksohet më tej, se “kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të tyre”. Ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”. Prishtina dhe Beogradi është e domosdoshme të bisedojnë. Kjo është shumë e vështirë, por mbetet e vetmja mënyrë zgjidhjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se “i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë”, por shtoi se çdo opsion tjetër do të ishte “mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj”. Qëndrimi është i drejtë, por duhej të bashkëpunohej sipas kritereve të marrëveshjes me Serbinë dhe partnerët, pasi dihej se situata do të tensionohej. Nuk duhej të zbatohej masa ekstreme për hyrjen me forcë në ndërtesat komunale, të cilat u shfrytëzuan nga serbët e dhunshëm. Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkojnë largimin e forcave policore kosovare. Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Në mbështetje të Beogradit u shpreh edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtëme të Rusisë, e cila fajësoi SHBA dhe BE për situatën e krijuar dhe tensionet që rrezikojnë sigurinë në rajonin e Ballkanit. Kosova përdoret shpesh dhe padrejtësisht nga politika ruse për të argumentuar e justifikuar qëndrimet e saj për luftën në Ukrainë. Në vend që të bisedohej e të gjendeshin zgjidhje me vullnet të përbashkëta, u tregua në mënyrë të njëanshme forca ushtarake serbe. Kështu vazhdon politika e vjetër kundër pavarësisë së Kosovës dhe përdorimi i pakicës serbe pikërisht në shërbim të këtij qëllimi. Shkaku i këtij ritensionimi shpjegohet në qëndrimin e Serbisë për të ruajtur pushtetin e saj të maskuar në komunat serbe dhe pezullimin e veprimtarisë së Qeverisë e Kuvendit me anë të Listës Serbe. Analiza objektive e situatës politike tregon se nuk respektohen parimet demokratike të shtetit ligjor e të demokracisë funksionale.

Qeveria e Kosovës, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, realizoi zgjedhjet në Veri, u la mundësi të gjerë veprimi i të gjithë subjekteve politike për të konkuruar me kandidatët e tyre dhe zgjedhjen e atyre që do të meritonin votën e popullit, pa dallime nacionale. Tërheqja e padrejtë dhe e qëllimshme e serbëve, nuk mund të bëhej përsëri arsye për një shtyrje tjetër, pasi nuk e lejonte Kushtetuta e Kosovës dhe nuk mund të liheshin komunat Veriore pa qeverisje. Rezultati i zgjedhjeve bëri që për herë të parë të zgjidhen kandidatët shqiptarë në pesë komunat me shumicë serbe. Për të mos u krijuar tensione, betimi i kryetarëve të rinj u bë në shkolla e instutucione të tjera shtetërore. Me miratimin e tyre, kryetarët morën ligjërisht detyrën dhe kishin të drejtën për të vazhduar veprimtarinë në ndërtesat e komunave pronë shtetërore e Qeverisë së Kosovës, jo e grupimeve politike serbe. Beogradi nxiti përsëri grupimet ilegale nacionaliste dhe u kryen veprimet kundërshtuese deri edhe me dhunë për të penguar hyrjen e kryetarëve në zyrat e tyre shtetërore. Presidenti serb vendosi papritur dorëheqjen si kryetar i partisë SNS, por nuk do të sjellë ndonjë ndryshim në politikën serbe ndaj Kosovës. Me rekomandimin e Vuçiçit, kryetar u zgjodh ministri aktual i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç. Kjo është një manovër politike për të ndikuar në opinionin publik, ulur valën e protestave anti-qeveritare, zbutur kundërshtimet e opozitës, mënjanuar ose kapërcyer krizat që potencialisht mund të shpërthejnë në SNS, ruajtjen e pushtetit duke krijuar një lëvizje të re “Serbia shpreson” dhe rifitimin e një mandati tjetër në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe garantimin e shumicës në Kuvend.

Kosova ka të domosdoshme funksionimin e pushtetit qëndror në gjithë teritorin e saj shtetëror. E rëndësishme është që edhe në komunat Veriore, të respektohen të drejtat dhe detyrimet kushtetuese të njëllojta e të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallime nacionale, të mënjanohen strukturat ilegale paralele dhe mos vazhdojë më tej ndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Asociacioni krijon shqetësim dhe nuk mund të zgjidhet ashtu si pretendon Beogradi, sipas modelit në Bosnje dhe Hercegovinë të së ashtuquajturës “Republika Serbe”. Për të realizuar strategjinë e arritjes së marrëveshjes është zbatuar politika që të dy këto vende të vendosin vetë. Kështu vazhdon vlerësimi i njejtë për të dy vendet. Serbia po trajtohet me vëmëndje për t’u bërë partnerë i besuar, megjithë marrëdhëniet e ngushta që ka me Rusinë. Marrëveshja e Ohrit është e brishtë, pasi faktikisht kushtëzohet nga Serbia për të bërë fakt të kryer asociacionin dhe politikën e saj në kundërshtim me funksonimin e shtetit të Kosovës. Ky mbetet një preteks për të penguar marrëveshjen, pasi nuk mund të krijohet besim në qëndrimin e ardhshëm, pasi Beogradi nuk ndryshon Kushtetutën, e cila vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të saj. Politikanët serbë, përfshi edhe Vuçiçin nuk pranojnë dhe thonë se asnjëherë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë 20 vjet që qëndrojnë në pritje të anëtarësimit në BE dhe akoma nuk është qartësuar koha e përfundimit të procesit. Ukraina dhe Moldavia morën me një procedurë të shpejtuar statusin e kandidatit në kushtet e rrezikut nga Rusia. Procesi i zgjerimit të BE është e domosdoshme të jetë i saktësuar. Vonesat dëmtojnë politikën e zgjerimit dhe interesin për integrimin evropian. BE kërkohet të reformohet për të përballuar situatat e krijuara nga lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet e tensionuara SHBA, Kinë e Rusi.

Njohja e Kosovës nga pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur akoma është zgjidhja e mundshme, po të intensifikohet interesimi i BE dhe SHBA. Serbia do të vihet para një realiteti tjetër që do të detyrojë për ndryshime dhe do të frenojë revanshin e ultranacionalistëve.

Qeveria e Kosovës ka përgjegjësinë për forcimin e rendit dhe shtensionimin e situatës në Veri. Në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE, duket që masat të bashkërendohen me EULEX dhe KFOR, të cilat ofrojnë dhe garantojnë mjedis të qetë e të sigurtë. Efektiviteti i politikës së Kosovës bazohet pikërisht në kontributin e partnerëve strategjikë. Verifikimi i përdorimit të kompetencave të ndërhyrjes së policisë në Veri, do të ndihmojë për të njohur konkretisht edhe ligjëshmërirn e veprimeve policore dhe paligjshmërinë e reagimeve kundër saj. Kështu edhe opinoni publik ndërkombëtar do të kuptojë qëndrimet e padrejta të Serbisë dhe do të dënojë kërcënimet për përdorimin e forcës ushtarake. Edhe një herë ju rikujtojmë nacionalistëve serbë se Kosova ka garantuar standartet më të larta të njohura ndërkombëtarisht për pakicën serbe, në dëm të shumicës shqiptare. Serbia nuk pranon të njohi dhe të zbatojë të njejtat standarte për shqiptarët në teritorin e saj. Normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë mbetet një proces shumë i vështirë për shkak të politikës së vjetër serbe, që ka vënë edhe vellon e nusërisë së evropianizimit. Shqiptarët, veçanërisht në Kosovë, kanë pranuar ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe kanë besim se me ndihmën e tyre do të arrihet edhe normalizimi. Në këtë rrugëtim të gjatë e të vështirë, kërkohet të ruajmë interesat kombëtare, paqen e sigurinë në rajon.