Pse Evropa ka mbetur mbrapa në garën e korporatave?

79
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

A mund ta rrisë sërish rolin e saj? Bizneset amerikane dhe kineze i kanë lënë mbrapa homologët e tyre europianë

Në vitin 1984, një ekzekutiv amerikan rreth të njëzetave, gjatë një vizite në Francë, u dha europianëve disa këshilla për suksesin e korporatave. Sipërmarrësve u duhej dhënë një shans i dytë nëse dështonin dhe burokratët qeveritarë nuk ishin investitorë të përshtatshëm, tha ai në një intervistë televizive shkruan The Economist.

Këshillat e tij ishin të mençura. Por kompanitë europiane asokohe drejtonin botën e korporatave globale, së bashku me ato të Amerikës dhe, herë pas here, të Japonisë. Pse duhej të merrnin këshilla nga ky mburravec kalifornian i sapoardhur?

Gati katër dekada më vonë, kompania e themeluar nga Steve Jobs, vlen më shumë sesa 30 kompanitë në indeksin gjerman DAX të kompanive më fitimprurëse. Vlera e Apple është pothuajse sa 40 kompanitë në indeksin CAC të Francës. Suksesi i Apple ka qenë i dukshëm, por më e habitshme ka qenë rënia e Europës së korporatave. Në fillim të shekullit XXI, 41 nga 100 kompanitë më të vlefshme në botë, kishin selinë në Europë (përfshirë Britaninë dhe Zvicrën, por duke përjashtuar Rusinë dhe Turqinë). Sot janë vetëm 15 (shih grafikun 1).

“Tani Europa është një vend ku kompani si Amazon dhe TikTok gjejnë klientë, dhe jo një bazë ku firmat lokale mund të mbështeten për t’u bërë më pas ndërkombëtare.”

Në biznes, Europa ishte një forcë vërtet e madhe. Në dekadat e fundit, kompani si Nokia, Nestlé ose BP kanë qenë ndër dhjetë firmat më të mëdha në botë nga kapitalizimi i tregut. Tani Europa ka vetëm me raste ndonjë firmë në listën e 20 kompanive më të mëdha globale.

Në vitin 2000, gati një e treta e vlerës së kombinuar të 1000 kompanive më të mëdha në botë, ndodhej në Europë dhe një e katërta e fitimeve të tyre vinte nga Europa. Në vetëm 20 vjet, këto shifra gati janë përgjysmuar. Tani Europa është një vend ku kompani si Amazon dhe TikTok gjejnë klientë, dhe jo një bazë ku firmat lokale mund të mbështeten për t’u bërë më pas ndërkombëtare.

Arsyet e rënies së Europës

Një arsye e rënies së statusit të Europës është ngritja e Kinës. Por kompanitë amerikane kanë përforcuar pozicionin e tyre përballë biznesit global. Ndërsa ato europiane dhe japoneze nuk e kanë bërë. Në vitin 2000, Europa kishte një pjesë të pasurisë së korporatave në përpjesëtim me afërsisht një të tretën e ekonomisë botërore. Kjo nuk është më e vërtetë (shih grafikun 2).

Disa europianë mund të pyesin: “et alors?” Shumë në kontinent janë pesimistë në lidhje me bizneset e mëdha, duke preferuar një koleksion të dendur firmash të mesme, si ajo gjermane Mittelstand, në vend të korporatave gjigante. Por nëse vazhdon, zbehja e biznesit në Europë do të sjellë pasoja. Firmat e mëdha investojnë në inovacion, i cili nxit rritjen ekonomike. Nëse mbetet duke rregulluar vetëm grupet e huaja, aftësia e Europës për të formuar normat globale të biznesit – si në privatësi, apo në përdorimet e Inteligjencës Artificiale – do të jetë e dobët. Thirrjet e politikanëve europianë për “autonomi strategjike” nuk do të arrijnë asgjëkundi pa mbështetjen e korporatave.

Shumë kompani europiane ende i tërheqin jashtë mase konsumatorët. Kompania franceze LVMH shpërndan çantat Louis Vuitton nga Pekini deri në Buenos Aires; makinat gjermane dhe produktet farmaceutike zvicerane janë të kërkuara në të gjithë botën; dhe shtëpitë janë të pajisura plot me produkte të prodhuara nga Unilever, kompani gjigante anglo-holandeze dhe kompania suedeze IKEA. Por po të shohim se cili e dominon ekonominë globale të korporatave, do të vëmë re se tani mbizotërojnë rivalët gjeopolitikë të Europës.

Kur bëhet fjalë për bizneset e mëdha, Amerika, “atdheu” i kapitalizmit të tregut të lirë, ka qenë në krye për dekada. Është ngritja e Azisë që ka ndryshuar peizazhin global të korporatave. Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës ka çuar në lindjen e disa titanëve rivalë mjaft të fortë. Mbi 160 nga 1000 firmat më të vlefshme në botë, tani janë kineze, një rritje katërfish në dy dekada.

“Ne me quitte pas”

Duke marrë parasysh se kompanitë kineze hynë me furi në listën e Fortune Global 500, e cila rendit kompanitë më të mëdha në botë nga të ardhurat, në terma relativë, ishte e pashmangshme që disa kompani perëndimore të dilnin nga elita globale.

Kjo i la firmat europiane që të garonin me ato amerikane për dominim. Pikërisht nga kjo përplasje, Europa ka ngelur në buzë të rrugës. Në vitin 2000, 100 kompanitë më të mëdha në Europë, kishin një vlerë prej 4.6 trilionë dollarësh, që tani është rritur në 8.9 trilionë dollarë. Kompanitë ekuivalente amerikane filluan me 7.4 trilionë dollarë, por tani kanë një vlerë prej 26 trilionë dollarësh. (100 firmat më fitimprurëse të Kinës vlejnë 8.8 trilionë dollarë).

Si ngelën kompanitë europiane mbrapa konkurrentëve të tyre amerikanë? Arsyeja e parë është se firmat europiane duket se nuk janë menaxhuar siç duhet. Po të shohim kompanitë që konkurrojnë në të njëjtin sektor gjatë 20 viteve të fundit, do të vërejmë se kompanitë e tanishme amerikane kanë korrur më shumë fitime dhe janë të pozicionuara më mirë për suksesin e ardhshëm sesa homologët e tyre europianë.

Ka shumë përjashtime nga ky rregull: për shembull, kompania gjermane Siemens ka tejkaluar rivalin e saj industrial General Electric, dhe Airbus, me seli në Francë, ka pasur më pak probleme me nisjen e avionëve sesa rivali i saj amerikan Boeing. Por në përgjithësi, ka pasur më shumë avantazh Nike në Amerikë sesa Adidas në Gjermani; JPMorgan Chase në Nju Jork, sesa Credit Suisse në Zyrih, ose Ëalmart në Amerikë sesa Carrefour në Francë. Avantazhi i tyre për sa i përket fitimeve dhe rritjes së shitjeve është shpesh i vogël, por bën diferencën me kalimin e kohës.

Një arsye e dytë pse Europa ka mbetur mbrapa në dekadat e fundit, është se firmat e saj më të mëdha janë në industri të gabuara. Sektorët, që firmat europiane mbizotëruan 20 vjet më parë, si sigurimet ose telekomunikacioni, janë rritur me një ritëm të ngadaltë.

Edhe nëse kompanitë europiane përparonin, siç bënë shumë, ato kishin më pak rëndësi, ndërsa bota ecte përpara. Përkundrazi, Amerika, tashmë kishte bërë mjaft përparime në programet kompjuterike dhe elektronike, industri që së shpejti do të ripërcaktojnë ekonominë globale dhe do të gjenerojnë fitime me vlerë disa trilionë dollarë.

Arsyeja e tretë dhe më goditëse pse Europa ka mbetur mbrapa, është mungesa e firmave të reja të mëdha në indekset e saj të kompanive më fitimprurëse. Shumë prej kompanive më të mëdha në Amerikë, si Amazon, Netflix, Tesla ose Facebook, janë mjaftueshëm të reja për t’u drejtuar nga themeluesit e tyre. Në Europë mbizotërojnë emra të vjetër.

Nga 142 kompanitë e listuara në botë me vlerë mbi 100 miliardë dollarë, 43 u themeluan në gjysmën e shekullit të kaluar, 27 në Amerikë dhe 10 në Kinë. Vetëm një ishte nga Europa: SAP, një grup kompjuterik gjerman i themeluar në vitin 1972. Gjysma e dhjetë miliarderëve më të pasur të Europës, kanë trashëguar pasuri të ngritur shumë kohë më parë; në Amerikë, nëntë nga dhjetë të parët janë bërë të pasur vetëm falë kompanive që ata themeluan.

Shumë nga firmat e reja amerikane janë teknologjike. Kjo ka bërë që politikanët dhe drejtuesit e biznesit në Europë të hedhin dritë mbi problemin. Ata e pranojnë se dështimi i Francës ose i Gjermanisë për të ndërtuar firma të reja të mëdha, është për të ardhur keq, por nga ana tjetër, Amerika thjesht ka vjedhur avantazhin në fushën e internetit. Silicon Valley ishte vendi i duhur për të ndërtuar këtë brez të ri firmash: një lidhje e mirë e universiteteve dhe instituteve kërkimore, kapitalit të sipërmarrjeve dhe reflekseve të para të konsumatorëve amerikanë. Kur ajo flluskë të shpërthejë, do të shfaqen modele të reja biznesi që Europa do të jetë gati t’i mbërthejë.

Bota kompjuterike është më argëtuese

Në fakt, mungesa e gjigantëve europianë të teknologjisë është simptomë e një mangësie sipërmarrëse që tejkalon botën e aplikacioneve dhe klikimeve. Gatishmëria e Amerikës në krijimin e kompanive të reja dhe dështimi i Europës për ta arritur atë, shtrihet përtej Silicon Valley, argumenton Thomas Philippon nga Universiteti i Nju Jorkut.

Një zinxhir botëror kafenesh mund të pritej të vinte nga Italia, shtëpia e ekspresit dhe bareve. Në fakt, ka qenë Starbucks që ka pushtuar botën, pavarësisht reputacionit të Amerikës për kafetë pa shije. Një gjigant i gjelbër i makinave duhej të kishte lindur në Europë, e cila ka një traditë krenare inxhinierike dhe është në krye të nismës së mbrojtjes së mjedisit.

Megjithatë, kompania e re amerikane Tesla, tani vlen përafërsisht sa të gjithë prodhuesit e tjerë amerikanë dhe europianë të makinave. Pse financuesit e Britanisë ose Zvicrës nuk mund të kishin krijuar një gjigant të menaxhimit të aseteve për të dominuar tregjet? Sot është BlackRock, i krijuar në vitin 1988, i cili menaxhon 9 trilionë dollarë në investimet globale nga Nju Jorku.

Balanca nuk ka gjasa që të zhvendoset në favor të Europës në një kohë të afërt. Gazsjellësi që pritet të bëhet kompania e ardhshme trilion dollarëshe e botës, është e mbushur me kompani nga Amerika dhe Kina, jo nga Britania ose Spanja. Sipas PitchBook, ofrues i të dhënave, në dekadën e kaluar, kapitalistët e sipërmarrjes kanë mbështetur 661 kompani që rezultuan me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Vetëm 78 nga këta “njëbrirësh” janë në Europë, me vlerë 8% e totalit të 661 firmave mbi 2.5 trilionë dollarë.

Shkaku dhe pasoja

Shkëputja e shkakut të sëmundjes së korporatave në Europë nga pasojat, është e ndërlikuar. Një arsye e përmendur shpesh është ekonomia: si mund të pritet që kompanitë europiane të përparojnë kur ekonomia e Europës ka ecur kaq dobët që nga viti 2000? Pjesa e saj në PBB-në globale ka rënë (shih grafikun 3) ndërkohë që tregjet në zhvillim janë rritur më shpejt. Por kjo ofron vetëm një shpjegim të pjesshëm.

Në 20 vitet e kaluara, në terma absolutë, Europa ka shtuar po aq prodhim ekonomik shtesë sa Amerika, afërsisht 10 trilionë dollarë. (Kina shtoi 14 trilionë dollarë duke u rritur me një ritëm më të shpejtë, por nga një bazë më e vogël.) Kjo është pjesërisht për shkak të popullsisë më të madhe të Europës. PBB-ja europiane për frymë është rreth dy të tretat e asaj të Amerikës. Shifra nuk ka rënë në 20 vitet e fundit, kryesisht për shkak të vendeve më të varfra të Europës Lindore që po afrohen më shumë me nivelet e të ardhurave perëndimore.

Duke parë PBB-në europiane në tërësi, mund të hamendësohet se firmat atje kanë qasje në të gjithë zonën ekonomike. Shpesh kjo nuk është e vërtetë. Në teori, BE-ja u ofron firmave dhe qytetarëve të saj një “treg të përbashkët” që shtrihet në pjesën më të madhe të kontinentit (megjithëse jo më në Britani, një nga ekonomitë më të mëdha). Në praktikë, kjo është e pjesshme. Ende është e vështirë që një bankë në Portugali të ofrojë shërbime në Finlandë, shumë më vështirë sesa do ta kishte një bankë kaliforniane që kërkon të zgjerohet në Teksas.

Përtej dallimeve gjuhësore dhe kulturore, ndërlikimet ligjore shpesh bëhen pengesë. “Kur kompanitë europiane mendojnë për tregun vendas, ato zakonisht mendojnë për vendin e tyre, jo për Europën”, thotë Carl-Henric Svanberg, kryetar i Volvo, prodhues suedez i kamionëve dhe makinave.

Këto pengesa të brendshme nënkuptojnë se Europa ka shumë firma më të vogla, që veprojnë në shkallë kombëtare, jo kontinentale. Çdo vend ka tendencën të ketë bankat, shërbimet shoqërore, linjat ajrore dhe supermarketet e veta. (Europa ka mbi 100 operatorë celularë, krahasuar me një numër të vogël në Amerikë ose Kinë.) Këtyre u mungon ekonomia e shkallës dhe mundësitë për t’u rritur shpejt, siç kanë kompanitë në tregjet amerikane ose kineze.

Në mungesë të mundësive të lehta në vend, firmat europiane janë zgjeruar jashtë shtetit me më tepër zell sesa homologët e tyre amerikanë. Kompanitë në vendet më të pasura në Europë, burimi i shumicës së kompanive shumëkombëshe në kontinent, tani gjenerojnë mbi gjysmën e të ardhurave të tyre diku tjetër, sipas bankës Morgan Stanley. Firmat e mëdha gjermane shesin më shumë në tregjet në zhvillim sesa në vend. Grupet amerikane gjenerojnë mbi 70% të të ardhurave të tyre në nivel lokal.

Kompanitë europiane ankohen se po përballen me një mjedis më pak të favorshëm biznesi. Kapitalizimi në Europë shpesh zbutet nga roli më i fortë i sindikatave. Kjo është joshëse, sepse punonjësit mundohen më pak me më pak orë pune dhe gëzojnë siguri më të madhe në punë. Kjo gjithashtu nënkupton kosto më të larta pune. Mbrojtja politike e lejuar për bizneset – për shembull nga pushtimet e huaja armiqësore, të cilat janë të rralla në Europën kontinentale – është një nga arsyet pse rezultatet e tyre financiare janë të ulëta.

Firmat më të vogla të Europës tani janë detyruar të konkurrojnë kundër kompanive globale me përparësi më të mëdha. Firmat e mëdha mund të përballojnë financiarisht blerjen dhe eksperimentimin e teknologjisë së re, mund të marrin hua me norma më të lira dhe të përthithin kostot fikse në mënyrë më efikase.

“Que reste-t-il de nos amours?”

Edhe pse Europa ka rënë në listat e ligave të biznesit, ajo ka vazhduar të luajë rolin si një rregullator global. Ndonjëherë ky është dukur si kontributi i saj kryesor në peizazhin global të biznesit: vëmë në dukje rregullat mbi privatësinë ose luftimin e ndryshimeve klimatike. Duke qenë se standardet e vendosura nga Komisioni Europian shpesh janë më të rreptat në botë, dhe bizneset duan të ndërtojnë një grup të vetëm produktesh për të gjitha tregjet në mbarë botën, standardet europiane shpesh përfundojnë duke u zbatuar në të gjithë botën.

Por krijimi i rregullave nga BE, të cilat zbatohen në fakt vetëm për firmat e huaja (ashtu si shumica e rregullimit të teknologjisë të hartuar në Bruksel), po akuzohet gjithnjë e më shumë si një proteksionizëm i fshehtë. Europa mund të rrezikojë të humbasë pozitën aktuale si ligjbërës.

“Një arsye e rënies së statusit të Europës është ngritja e Kinës. Por kompanitë amerikane kanë përforcuar pozicionin e tyre përballë biznesit global. Ndërsa ato europiane dhe japoneze nuk e kanë bërë.”

Politikëbërësit europianë janë më se të vetëdijshëm për rënien relative të Europës. Ata vënë në dukje faktorët lehtësues. Disa gjigantë të korporatave në Amerikë përfitojnë nga zona, të cilat në Europë janë përgjegjësi e shtetit – si drejtimi i spitaleve ose hekurudhave. Të tjera si linjat ajrore dhe transportuesit urbanë janë monopole që u kushtojnë klientëve. Dhe a mundet që fitimet apo kapitalizimi i tregut të pasqyrojnë vërtet vlerën e një kompanie për shoqërinë?

Duke u bazuar në idenë e promovimit të “autonomisë strategjike” të Europës, janë forcuar rregullat që parandalojnë marrjen e disa firmave europiane nga rivalët e huaj. Janë duke u zhvilluar propozime për të penguar kompanitë e huaja të mbështetura nga qeveritë jashtë BE-së, që dëshirojnë të bëjnë biznes në Europë – një masë kjo kundrejt Kinës. Janë rritur bisedat për një “taksë kufiri karboni” për të siguruar që firmat europiane të mos jenë në disavantazh kur konkurrojnë kundër sfiduesve nga vendet me politika më pak ambicioze të mbrojtjes së klimës.

Franca dhe Gjermania janë ndër vendet që kanë kërkuar që BE-ja të ndalojë bllokimin e bashkimeve të favorizuara të firmave të mëdha europiane, në kampione pankontinentale, me gjithë skepticizmin e rregullatorëve të antitrustit. Politikanët janë të gatshëm të ofrojnë para publike në industri, me shpresën për të udhëhequr përparësitë e saj – është rikthyer ideja e “zgjedhjes së fituesve”, nisur në vitet 1970.

Teknologjitë ekologjike po mbështeten me investime nga shteti. Franca ka krijuar sërish pozicionin e “komisionerit të lartë për planifikimin”. Në të gjithë kontinentin, po investohen fonde publike në shumë fusha, nga kompanitë startup, deri tek firmat e mëdha.

Përktheu: Lira Muça