Socialistët u shprehen dakord me nismën e demokratëve për të mbajtur një referendum për importin e mbetjeve në Shqipëri, por ata kërkojnë konsultime me komisionet parlamentare. Për deputetët e opozitës, kjo është një përpjekje për të bllokuar procesin. Gjashtë muaj pas depozitimit të kërkesës në Kuvend nga ana e demokratëve, Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e saj. “Jemi para një risku shumë të lartë që mazhoranca të rikthejë importin e mbetjeve kundër vullnetit të publikut”, u shpreh Oerd Bylykbashi. Relatori socialist Bledi Çuçi theksoi se nisma e demokratëve është konform Kushtetutës dhe ligjeve, por ngriti disa pikëpyetje të tjera, për të cilat kërkoi konsultim me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. “Shtrohet pyetja nëse çështja për të cilën kërkohet referendumi: A është e një rëndësie të atillë për ta çuar në referendum? A ekziston një çështje? Për këto dy çështje duhet të marrim përgjigje nga komisioni përgjegjës që ka të bëjë drejtpërdrejtë”, tha Çuçi. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese drejtohet nga Eduard Shalsi, një prej 3 firmëtarëve të iniciativës ligjore PS-LSI që legjislaturën e kaluar tentoi të lejonte importin e mbetjeve. Pasi u kthye mbrapsht nga atëherë Presidenti Nishani, ligji për importin e mbetjeve mbeti pezull në Kuvend pasi në atë kohë Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ofroi më votat e saj. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, PS e tërhoqi nismën e saj në shtator, ndonëse kishte marrë e vetme pushtetin. Sipas kryeministrit Rama, kjo u bë për të informuar më mirë qytetarët. Ndonëse aprovuan kërkesën e socialistëve për të kërkuar mendimin e Veprimtarive Prodhuese, demokratët paralajmëruan se kjo ishte një përpjekje për ta bllokuar referendumin.