PS: “Çështja e mandateve, goditje e Kushtetutës”

428
Sigal

Zgjedhjet, Gjiknuri u parashtron diplomatëve të huaj shqetësimet për procesin zgjedhor të 23 qershorit

 Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri zhvilloi dje një takim me dyer të mbyllura me diplomatë të huaj të akredituar në Shqipëri. Në takimin që u zhvillua në Hotel “Tirana”, sekretari socialist njoftoi përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme për përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit. Pas takimit, deputeti socialist bëri me dije për mediat se diskutoi me diplomatët vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’iu drejtuar Kuvendit në lidhje me shpërndarjen e mandateve. “Nuk mund të pranohen mandatet që s’përfaqësojnë barazinë e përfaqësimit, nuk anashkalohet KQZ-ja dhe as Kuvendi të përdorë mandate të 2009 për mandatet e reja për zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo do të ishte goditje e Kushtetutës, ilegalitet që në fillim të zgjedhjeve, që vë në rrezik zgjedhjet”,- tha Gjiknuri. Sipas Gjiknurit, administrata e KQZ-së nuk mund të përdoret në interes të një partie. Në këtë drejtim, ai ka kujtuar edhe shqetësimin e dhënë nga ambasadorët e huaj për politizimin e KQZ-së. “Nuk ka projektvendim të KQZ-së, ligji e thotë qartë, mandatet shpërndahen pasi KQZ-ja të ketë marrë vendim, ka disa kritere për këtë çështje dhe ai i barazisë është themelor”,- tha Gjiknuri. Ditët e fundit, kritika për mënyrën se si po procedon KQZ ka shprehur edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjatë konferencës së parë për këtë vit, në “Facebook”, Arvizu tha se: “Jam pak i shqetësuar rreth KQZ. Kanë qenë çështje që më kanë habitur, pasi kanë qenë çështje administrative, të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 qershorit”. E gjithë kjo situatë parazgjedhore, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve u diskutuan në takimin e Gjiknurit me diplomatët e huaj. Një çështje tjetër që shkaktoi reagime nga ana e PS-së ishte edhe vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, i cili pranoi pjesërisht kërkesën e administratës së KQZ-së për rritjen e numrit të KZAZ-ve në 89 të tilla në të gjithë vendin. Partia Socialiste e vlerësoi vendimin si interpretim të gabuar dhe që kapërceu kufijtë e ligjit. Ky nuk është takimi i parë i Gjiknurit me të huajt. Shpërndarja e mandateve parlamentare për zgjedhjet e vitit 2013 ka qenë në qendër të takimit të Gjiknurit me të huajt edhe në fund të vitit të shkuar.