Petro Koçi:“Ka ardhur koha që tryeza e opozitës të rimblidhet”

285

INTERVISTA/Petro Koçi, Kryetari i PSV ‘91: “Berisha ka humbur aleancën me ish-zgjedhësit e vet”

Duke u nisur nga Kodi Zgjedhor, domosdoshmëria e aleancave është primare. Ky “ligj” është qoftë për partitë e mëdha, të cilat të vetme nuk mund të fitojnë shumicën qeverisëse, por edhe partitë e vogla, nuk mund të konkurrojnë dot si subjekte më vete, pasi e kanë shumë të vështirë të bëhen parti parlamentare. Deri tani, kryetari i opozitës, Edi Rama, çështjen e aleancave e ka bërë si pëlhurën e Penelopit, tjerr e çtjerr, gjersa njëherë fton, e herën tjetër mohon ftesat mediatike,  që ka bërë në adresë të partive LSI, FRD dhe AK, nga të cilat, deri tani, ka marrë refuzimin. Berisha, vërtet ka folur rrallë, por, sa herë ka folur, nuk është refuzuar, të paktën publikisht. Nga ana tjetër, aleatët tradicionalë të PS-së, sikurse Milo e Gjinushi, bëjnë thirrje- publike- Edi Ramës që të takohen në një tryezë bisedimi për çështjen e aleancës zgjedhore. Nga opozita e bashkuar, ka ikur Ndoka, edhe Dule i PBDNJ-së deklaron se, duke u nisur nga Kodi Zgjedhor, domosdoshmëria e aleancave është primare. Ai  akoma nuk e ka vendosur me kë do të aleatojë, duke lënë të hapur mundësinë që të aleatojë edhe me Berishën.  Ky “ligj” është qoftë për partitë e mëdha, të cilat të vetme nuk mund të fitojnë shumicën qeverisëse, por edhe partitë e vogla, nuk mund të konkurrojnë dot si subjekte më vete, pasi e kanë shumë të vështirë të bëhen parti parlamentare… Kryetari i PSV ’91, Petro Koçi, në intervistën për “Telegraf” pohon, gjithashtu, që ka ardhur koha që tryeza e opozitës të rimblidhet.

 – Zoti Koçi, në dukje duket sikur Berisha është më i sigurt se ka një aleancë më të kristalizuar, ndërsa PS-ja dhe Edi Rama as vetë nuk e dinë se çfarë u ndodh. Cili është mendimi juaj?
– Berisha ka humbur aleancën me një shumicë të konsiderueshme nga ish zgjedhësit e vet. Kjo është shumë më rëndësishme për zgjedhjet që po vijnë. Korrupsioni i tejpërhapur dhe dështimi në parandalimin e krizës ekonomike janë faktorë që kanë ndërgjegjësuar shoqërinë mbi nevojën imperative të rrëzimit të kësaj qeverie. Përsa i përket koalicionit ndërpartiak, me të cilin Berisha do konkurrojë në zgjedhje, mbetet akoma për të parë. Një gjë është e sigurt : koalicioni i Berishës me sojin e të korruptuarve të administratës shtetërore. Nga ana tjetër spektri opozitar është zgjeruar me parti të reja dhe aktive në treg. PS-ja si forca kryesore e opozitës ka qenë dhe është shumë e qartë, kur kërkon bashkëveprimin elektoral, jo vetëm të koalicionit të gjerë që përballoi fushatën e fundit të zgjedhjeve vendore, por edhe të partive të tjera me profil opozitar. Madje, ne si opozitë kemi bërë thirrje që edhe LSI-ja apo PDIU-ja ta braktisin Berishën.
– Sipas jush, cilat kritere do të kushtëzojnë aleancat zgjedhore?
– Sistemi Zgjedhor detyron ndërgjegjen politike të partive të orientohen drejt aleancave të gjera dhe të mëdha për t’ja arritur objektivave elektoralë. Pra, krahas kriterit programor, i cili mbetet thelbësor në krijimin dhe përfaqësimin e fizionomisë politike të një koalicioni , partitë janë të dënuara t’i nënshtrohen kriterit pragmatist, apo votëllogaritës. Partitë e mëdha, megjithëse të privilegjuara në mënyrë thuajse të dhunshme nga Kodi, nuk fitojnë dot vetëm nëse nuk arrijnë të organizojnë një koalicion të gjerë rrotull tyre. Për të mbërritur aty natyrisht që nevojitet një formulë bashkëpunimi që plotëson interesat reciproke të partive të koalicionit.
Disa herë zoti Milo i ka bërë ftesë publike Edi Ramës që të organizohet një tryezë bisedimi midis aleatëve të opozitës. Ju e përkrahni këtë ftesë dhe përse?
– Besoj se ka ardhur koha që tryeza e opozitës të rimblidhet. Jo thjesht për interesat zgjedhorë, por edhe për çështje politike të rendit të ditës. Zhvillimet politike kërkojnë rrahje mendimesh dhe shtrydhje të mundësive alternative. Megjithatë, krahasuar me koalicionin qeveritar, opozita ka qenë gjithmonë më transparente dhe më e organizuar.
Thuhet se aleatët i kërkojnë Edi Ramës kushtëzime, të cilat janë pengesa kryesore që deri tani opozita nuk mund të krijojë aleancën zgjedhore. Në të vërtetë, cilat janë kërkesat tuaja ndaj liderit të PS-së?
– Opozita e ka të krijuar aleancën zgjedhore. Përveç PDK-së,  asnjë parti tjetër nuk është larguar prej Koalicionit. S’ka asnjë kusht në treg që të pengojë rimbledhjen e tryezës. Përsa i përket formulës së bashkëpunimit zgjedhor, partitë aleate kanë qenë shumë të qarta: rikompensim mandatesh nëpërmjet llogarisë kombëtare të votave. Berisha e rrëzoi këtë kërkesë gjatë reformës zgjedhore. Tani mbetet që taktika elektorale dhe formula e bashkëpunimit elektoral eliminojnë sa mundet efektin përjashtues të Kodit. Këtu s’lejohet të gabojë, as PS-ja, e as partitë aleate.
Gjithashtu, flitet se Berisha u ka premtuar kryetarëve të partive aleate një vend në listat zgjedhore të PD-së, gjë që i jep avantazh ndaj Ramës, i cili nuk u jep këtë premtim aleatëve. Sa qasje të së vërtetës ka kjo?
– Nuk ka informacion në publik për këtë që thoni ju. Berisha apo aleatët e vet nuk janë shprehur ndonjëherë për këtë problem. Opozita akoma nuk e ka formuluar mënyrën e bashkëpunimit. Përsëris, që në këtë rast nuk lejohen gabimet.

Ekziston edhe një opinion, që PS-ja e ka të sigurt fitoren, duke u nisur se kjo maxhorancë do të bjerë për inercinë e rotacionit, ndaj i kushton pak vëmendje aleancave parazgjedhore. Cili është qëndrimi juaj?
– Nuk besoj se do përsëritej gabimi fatal i 2009 -s. Megjithatë, nuk e kam ndjerë ndonjëherë se ekziston ky opinion tek PS-ja.
– Klima elektorale tensionohet më shumë për çështje teknike, që kanë të bëjnë me procedurat zgjedhore, dhe palët politike i largohen problemeve të mëdha që duhet të shtrohen për zgjidhje elektoratit. Kjo a nuk është dëshmi e shterpërisë politike, e paaftë që të japë zgjidhje problemeve?
– Gjykoj që vendi është brenda një krize të thellë politike, qeverisëse dhe demokracie. Rrënjët e krizës janë tek Kushtetuta antipopullore, Kodi Zgjedhor antiqytetar dhe korrupsioni i qeverisë e i administratës shtetërore. Rotacioni qeverisës do lehtësojë rëndesën e korrupsionit, por problemet e rënda të Kushtetutës e Kodit do vazhdojnë të tërheqin zvarrë demokracinë dhe insitucionalitetin kushtetues e shtetëror. Nacionalizmi elektoral i Berishës nuk zgjidh asgjë. E keqja është se në vendimmarrjet teknike të KQZ-së ka politizim e partizëm.

– Faleminderit!

 

 

Somario

Pra, krahas kriterit programor, i cili mbetet thelbësor në krijimin dhe përfaqësimin e fizionomisë politike të një koalicioni , partitë janë të dënuara t’i nënshtrohen kriterit pragmatist, apo votëllogaritës. Partitë e mëdha, megjithëse të privilegjuara në mënyrë thuajse të dhunshme nga Kodi, nuk fitojnë dot vetëm nëse nuk arrijnë të organizojnë një koalicion të gjerë rrotull tyre.

PBDNJ-ja dhe “OMONIA” nuk kanë vendosur për aleancën zgjedhore

Ndërsa partitë, gati të gjitha, e kanë përcaktuar kahun politik me kë do të rreshtohen në aleancë në zgjedhjet e 2013-s, sidomos pas deklaratave të Kryeministrit, ku ngaLSI-ja nuk pati reagime negative, partitë që përfaqësojnë minoritetin grek, akoma nuk e kanë përcaktuar se me kë do të jenë aleatë. Në një aktivitet të organizuar me rastin e 22 vjetorit të themelimit të “OMONIA”-s, kryetari i PBDNJ-së, Dule dhe kryetari i “OMONIA”-s,  Bollano, nuk konfirmuan asgjë, në lidhje me kahun politik, që do të zgjedhin për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Për Dulen kjo është një surprizë, pasi siç dihet deri tani, PBDNJ, ka qenë në aleancë me PS-në dhe opozitën në përgjithësi.  Kështu,  Vangjel Dule dhe Bollano janë shprehur se, angazhimi në koalicion parazgjedhor është në diskutim, pasi ka kaos politik dhe “duhet të mendohemi mirë”, siç u shprehën Dule dhe Bollano. Pika kryesore e lënë për diskutim ka qenë

CENSUS-i,ku liderët e “OMONIA”-s dhe PBDNJ-së kanë bërë thirrje se nuk njihet rezultati, sepse të dhënat janë të  qëllimshme  dhe të gjithë duhet të marrin pjesë në regjistrimin që “OMONIA”mori përsipër në kundërpërballje dhe deri në fund të muajit mars do publikohet edhe numri real i regjistrimit të popullsisë minoritare greke nga “OMONIA”, kohë kur kjo organizatë dhe PBDNJ-ja do të marrë edhe vendimin politik të koalicionit për qeverisje pas zgjedhjeve të 23 qershorit. /Agron MEMA