Pedraza: “Shqipëria ta dëbojë sipas parimit të reciprocitetit”

510
Sigal

Ministri i Brendshëm i Perusë, Vilfredo Pedraza ka kërkuar dje dëbimin nga autoritetet shqiptare të ish-ministrit të Jashtëm peruan

Ministri i Brendshëm i Perusë, Vilfredo Pedraza ka kërkuar dje dëbimin nga autoritetet shqiptare të ish-ministrit të Jashtëm peruan Augusto Blacker Miller. Në një intervistë për Peru 21, Pedraza është shprehur se në mungesë të një marrëveshje mes shteteve, Shqipëria duhet ta dëbojë Millerin sipas parimit të reciprocitetit. “Ne nuk kemi një marrëveshje me Shqipërinë, por mund ta dëbojnë duke u nisur nga parimi i reciprocitetit. Jemi duke punuar për këtë çështje, pasi ne nuk kemi konsull në Shqipëri. Ajo që ne po bëjmë është të koordinohemi me Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Ministrin e Drejtësisë për të gjetur me shpejtësi çdo mënyrë për ekstradimin e këtij personi “tha ai. Sipas Ministrit Pedroza, agjentët e Interpolit të Shqipërisë e liruan Millerin për shkak se ndaj tij nuk kishte asnjë lloj kufizimi. “Miller u kap ditën e enjte. Policia peruane u njoftua për paraburgimin e tij, por Interpoli shqiptar nuk kishte asnjë urdhër ndalimi të përhershëm për Miller. Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme se Peruja është duke filluar një proces ekstradimi për të. Ish-ministri i Jashtëm në Peru në kohën e ish-Presidentit Fuxhimori u lirua në bazë të disa rregullave të caktuara të migrimit ” shtoi më tej ai. Më herët mediat peruane deklaruan se në Shqipëri u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve, Manuel Augusto Blacker Miller, ish-ministri i Jashtëm në Peru në kohën e ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku një ditë më parë ka deklaruar dje në një komunikatë për shtyp se nuk e ka arrestuar peruanin dhe se Manuel Augusto Blacker Miller nuk rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.