Propozimi i MARS do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike

546
Sigal

Presidenti Meta dekreton rrëzimin e propozimit të Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni

Dje Presidenti i Republikës Ilir Meta publikoi dekretin për rrëzimin e propozimit të MASR për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës. Argumentet shteruese të Presidentit dëshmojnë qartë arrogancën e qeverisë, se nuk do të pyesë asnjë institucion kushtetues, pasi shkarkimi i rektorit të UT nga ministrja e MASR u bë në kundërshtim të plotë me vetë Kushtetutën. Propozimi për shkarkimin e rektorit të UT nga ministrja e MARS është pjesë integruese e luftës së brendshme të grupeve në UT, grupe dekanësh, që kanë lidhje nepotike me zyrtarët dhe politikanët aktualë por edhe të grupeve që kanë lidhje me element të botës së krimit dhe kjo luftë filloi që në procesin e zgjedhjes së rektorit, ku u bënë edhe kërcënime ndaj konkurrentëve për rektor të UT nga persona me rekorde kriminale.

Dekreti i Presidentit: Urdhri nr.223 datë 12.04.2019 i Ministrit të Arsimit në shkelje të hapur të Kushtetutës

Urdhri nr.223 datë 12.04.2019 i Ministrit të Arsimit është në shkelje të hapur të nenit 57, pika 7 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë si dhe të nenit 39, pika 10 të ligjit nr.80/2015, datë 22.07.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, sepse në asnjë rast, neni 39 i ligjit nr.80/2015, nuk ka parashikuar që në rastet e pezullimit të Rektorit, zëvendësimin e tij nga Ministri i Arsimit me një Zëvendës rektor në detyrën e Rektorit. Procesi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, është kryer me shkelje ligjore, parregullsi dhe në përpjekje të vazhdueshme për të thënë të pavërtetën, apo për ta tjetërsuar atë në të gjitha format dhe mënyrat, proces ky që u përmbyll me nxjerrjen e këtij urdhri. Presidenti i Republikës evidenton se Ministri i Arsimit, në ndërmarrjen e këtij propozimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, nuk është konsultuar apo nuk ka komunikuar paraprakisht me Presidentin e Republikës. Vendimmarrja e Ministrit të Arsimit është në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parashikimet kushtetuese dhe me vetë ligjin nr.80/2015, i cili nuk parashikon asnjë të drejtë të Ministrit të Arsimit, që të komandojë apo të caktojë një Zëvendës rektor, që të ushtrojë në këtë rast kompetencat e rektorit.

Shkeljet ligjore nga MARS

Presidenti i Republikës, vlerëson se, në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, pas shqyrtimit të çështjes, vëren se procesi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), ka pasur:

  • Shkelje procedurale dhe të afateve të përcaktuara;
  • Angazhim politik për t’i shërbyer një qëllimi të diktuar paraprakisht;
  • Diktim i qartë vullneti nga ana e ekzekutivit ;
  • Tejkalim të kompetencave nga grupet e punës të kontrollit të ngritura nga MASR;
  • Shkelje të mekanizmave dhe parimeve ligjorë e kushtetues;
  • Qasje subjektive dhe arbitrare;
  • Mungesë, apo neglizhencë të qëllimshme komunikimi ndërinstitucional;
  • Cenim të parimeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor;
  • Mospërputhje ligjore dhe kundërshtim flagrant me parashikimet kushtetuese;
  • Presion të hapur dhe publik, përtej frymës së ligjit, mbi Rektoratin e Universitetit të Tiranës;
  • Tjetërsim të qëndrimeve institucionale të pambështetura në prova dhe dispozita ligjore;
  • Keqpërdorim mediatik;
  • Desinformim të publikut;
  • Përpjekje të dukshme për të faturuar gjendjen e sistemit arsimor tek Rektorati i Universitetit të Tiranës;
  • Mungesë vullneti dhe adresimi tek organet e drejtësisë për zgjidhje të konflikteve;
  • Mungesë e një analize shteruese të problematikave;
  • Rrezikshmëri për cenimin e autonomisë të institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të lirisë akademike.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në kushtet aktuale, bazuar në propozimin e bërë, marrja e një vendimi për shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, do të cenonte rëndë dhe, në tërësi, autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike të vendosur dhe të mbrojtur nga Kushtetuta, por dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, pasi ushtrimi i kompetencave kontrolluese nga Ministri i Arsimit në këtë rast për gjithë sa u parashtrua më sipër nuk është kryer në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente. Bazuar në këtë arsyetim, Presidenti i Republikës me Dekretin nr.11183, datë 06.05.2018, ka vendosur ;Rrëzimin e propozimit nr.4158/2 prot, datë 12.04.2019, të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për shkarkimin nga detyra të Rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni dhe vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni, sipas aktit të emërimit, Dekreti nr.9609, datë 26.05.2016 i Presidentit të Republikës.