Shtohet papunësia, 39 mijë të diplomuar “mbetën rrugëve” në 2018-n

571
Sigal

INSTAT: Shtohet numri i të papunëve me arsim të lartë

39 mijë të diplomuar “mbetën rrugëve” në 2018-n

Mosha e re përbën një prej kontingjenteve me nivelin më të lartë të papunësisë në vendin tonë. Pavarësisht përpjekjeve për favorizimin e punësimit të të rinjve, sërish numri i të papunëve tek 20-vjeçarët mbetet problematik. Megjithatë, një statisktë edhe më serioze është papunësia tek personat me arsim të lartë. Të diplomuarit e papunë pësuan rritje gjatë vitit të kaluar. Duke iu referuar shifrave të Institutit të Statistikave, sot Shqipëria ka 39 mijë të diplomuar të papunë. Sipas INSTAT, treguesi i papunësisë tek personat me arsim të lartë, u rrit në 14% në 2018-n, në krahasim me 13.7% që ishte një vit më parë. Me sa duket, tregu i punës në Shqipëri nuk ka vend për të gjithë. Vetëm në vitin 2017, në Shqipëri u diplomuan mbi 35 mijë individë në arsimin e lartë, nga të cilët rreth 60% në nivel bachelor. Problem tjetër mbetet dhe mospërputhja e arsimimit me kërkesat e tregut të punës. Ekspertët janë shprehur prej kohësh se tregu i punës aktual në Shqipëri ka nevojë për profesionistë të kualifikuar në arsimin profesional, por ky numër pavarësisht tendencave rritës gjatë viteve të fundit, vijon të mbetet i ulët në krahasim me personat që arsimohen në arsimin e përgjithshëm. Në periudhën 2013-2017, në shkollat shqiptare janë formuar mesatarisht rreth 4,300 nxënës me arsim profesional çdo vit. Kjo shifër përbën vetëm 14% të numrit mesatar të të diplomuarve në arsimin e lartë. Në vitet e fundit, tregu i punës në vendin tonë po ndikohet së tepërmi dhe nga emigrimi masiv që ka përfshirë Shqipërinë, duke larguar jashtë një pjesë të mirë të “trurit” dhe profesionistëve.