Propozimi i EURALIUS për Gjykatën e Lartë bie ndesh me Kushtetutën

572
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta letër KLGJ-së, për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi veprimtarinë e deritanishme të KLGJ-së për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe rekomandimet e misionit të ekspertizës së BE-së “Euralius V”, mbi këtë çështje.

Presidenti Meta: KLGJ nuk ka dërguar asnjë propozim për Gjykatën e Lartë

Sipas nenit 136 të Kushtetutës Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi i cili duhet t’i propozojë Presidentit të Republikës kandidatët që zgjidhen nga radhët e juristëve për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, si dhe gjyqtarët që promovohen për në këtë Gjykatë. Deri në këto momente pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk është administruar asnjë propozim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe në kushtet kur ekziston një paqartësi se deri kur do të zgjasë kjo gjendje në Gjykatën e Lartë.

Informacioni që kërkoi Presidenti i Republikës

  1. Informacion mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të KLGJ-së për procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.
  2. Në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli në lidhje me këtë çështje me kaq rëndësi për vendin.

KLGJ konfirmon: EURALIUS propozon anëtarë “të përkohshëm” në Gjykatën e Lartë

Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion nëse pranë KLGJ është administruar opinion i misionit të ekspertizës së BE-së “Euralius V”. , Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka konfirmuar vetëm faktin se: “Pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në rrugë elektronike nga Misioni ‘EURALIUS V’, ka ardhur një opinion, i cili është një dokument pune, në proces përpunimi dhe vlerësimi si nga Këshilli, ashtu dhe nga EURALIUS-i.

Përgjigja e KLGJ për Presidentin nuk përmbush kriteret

Së pari, referuar përmbajtjes së përgjigjes së KLGJ dhënë me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019, evidentohet se ka një mungesë impenjimi të KLGJ-së për t’i kthyer një përgjigje shteruese kërkesës së Presidentit të Republikës për një çështje kaq të rëndësishme. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës për informacionin e kërkuar mbi ecurinë dhe veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjithë procesin e shpalljes dhe administrimit të aplikimeve sipas Kushtetutës dhe ligjit për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, si dhe në çfarë faze është procesi i verifikimit dhe vlerësimit nga Këshilli.

Pra rezulton se KLGJ-ja ka tejkaluar afatin fillestar 3-mujor të përcaktuar nga neni 174/1, shkronja “a” e ligjit nr. 96/2016, edhe me më shumë se 3-muaj të tjerë, periudhë brenda të cilës këshilli duhej të kishte miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të nisur procedurat e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë sipas kushtetutës dhe ligjit. Në këtë situatë, Presidenti i Republikës kërkon, sa më parë, informacion nga KLGJ-ja, se çfarë është bërë konkretisht deri më tani mbi këtë çështje, për të identifikuar qartësisht se cila ka qenë arsyeja e tejkalimit të afatit ligjor për hartimin e akteve nënligjore, zbatimi i të cilave do të bënte të mundur më pas nisjen e procedurave ligjore për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

A është shkaktuar kjo shkelje e afateve ligjore për shkaqe të pavarura nga vullneti i KLGJ-së dhe cila ka qenë problematika dhe faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë?

Presidenti i Republikës, kërkon të informohet gjithashtu me faktin nëse KLGJ ka kërkuar ose jo pranë Kuvendit të Shqipërisë apo Ministrisë së Drejtësisë ndryshime në legjislacion për përmirësimin e tij?

Presidenti i Republikës kërkon të informohet në mënyrë shteruese nga KLGJ-ja për një vlerësim të këtij organi mbi shkakun e vonesave. Referuar bashkëpunimit të detyrueshëm kushtetues midis dy institucioneve tona, Presidenti i Republikës duhet të jetë i informuar plotësisht nga KLGJ për ecurinë e këtij procesi për të qartësuar faktin se kur do të mundet ai të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që kjo gjykatë të bëhet sa më shpejt funksionale me trupa gjyqësore të përzgjedhur dhe emëruar sipas standardeve kushtetuese. Presidenti i Republikës kërkon nga KLGJ një informacion shterues dhe të plotë për çështjet e parashtruara më sipër dhe angazhimin maksimal të këtij organi për të përmbushur qëllimin kushtetues.

Së dyti, referuar përmbajtjes së dokumentit “Opinion Ligjor”, “Mbi situatën emergjente në Gjykatën e Lartë” të datës 29 maj 2019, të hartuar nga ekspertët e Misionit “EURALIUS V”, Presidenti i Republikës vlerëson të domosdoshme të paraqesë vlerësimin e Tij si më poshtë.

Nga informacioni që jepet në dokumentin e prodhuar nga misioni EURALIUS dhe referuar përmbajtjes së përgjigjes së KLGJ-së dhënë me shkresë nr. 3061/1 prot, datë 18.06.2019 rezulton se, Këshilli i Lartë Gjyqësor deri më datë 29 maj 2019, ende nuk ka hartuar dhe miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve dhe për emërimin e anëtarëve jomagjistratë, në Gjykatën e Lartë.

Presidenti i Republikës, konstaton të paarsyetuar faktin se përse nuk është vepruar në kohën e duhur për t’i kërkuar EURALIUS-it të gjithë ndihmën dhe asistencën për të hartuar dhe miratuar aktet nënligjore të nevojshme, ndërkohë që, i kërkohet opinion për zgjidhjen e një situate “emergjente”, të krijuar së fundmi, kur Gjykata e Lartë ka ngelur vetëm me dy anëtarë. Paraqitja e gjëndjes së emergjencës nga KLGJ dhe EURALIUS është tërësisht e pajustifikuar.

Procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve apo kandidaturave për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e KLGJ-së.

Qëndrimi i Presidentit të Republikës për opinionin e “EURALIUS V”

Për sa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V”, që përmbyllet me rekomandim se:“Me qëllim që të kalohet kjo periudhë tranzitore, ndërkohë që procesi i ngritjes në detyrë dhe i emërimit në Gjykatën e Lartë nuk ka përfunduar ende, KLGJ-ja mund të konsiderojë të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Përveç kësaj, nëse në skemën e delegimit nuk ka magjistratë të përshtatshëm që plotësojnë kushtet për në Gjykatën e Lartë, atëherë referimi tek Neni 46 i Ligjit për Statusin do të ishte i argumentuar dhe i mundshëm, duke transferuar për një afat të përkohshëm, dhe me pëlqimin e tyre në Gjykatën e Lartë, gjyqtarë me performancë shumë të mirë profesionale”, Presidenti i Republikës vlerëson se ky rekomandim i propozuar:

– Cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës;

– Ky propozim bie ndesh në mënyrë flagrante me parashikimet e nenit 136, 179 pika 4 e 12 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;

– Dëmton rëndë qëllimet kryesore mbi të cilat u ndërmor dhe u miratua paketa kushtetuese dhe ligjore e reformës në sistemin e drejtësisë;

– Cenon besimin e publikut tek organet e reja të sistemit të drejtësisë;

– Bën të mundur që Gjykata e Lartë të funksionojë me gjyqtarë të përkohshëm, të cilët do të ushtrojnë funksionet në gjykatën më të larë të vendit, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, duke cenuar besimin tek reforma në drejtësi e miratuar 3-vjet më parë.

Ky opinion në vetvete është një përpjekje për të ofruar një zgjidhje me mjete ekstra ligjore aspak kushtetuese e ligjore nën argumentimin e situatës emergjente.

Nëpërmjet tij synohet së pari të fshihet problematika, apo mangësitë që mund të paraqesë baza ligjore ekzistuese dhe prej së cilës mund të jetë krijuar edhe kjo gjendje.

Për shkak të përdorimit të këtij mekanizmi të papërshtatshëm të propozuar nga EURALIUS mund të bëhet i mundur promovimi përkohësisht në karrierë i gjyqtarëve, që nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që mund të vlerësohen si të tillë nga organet e rivlerësimit kalimtar.

Nuk është logjike dhe aspak e drejtë që duke argumentuar një situatë “emergjence” “EURALIUS” të propozojë zgjidhje të tilla ekstraligjore që cenojnë rëndë parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo, përveçse ul besimin tek reforma, vendos njëkohësisht në pikëpyetje serioze nivelin profesional dhe paanshmërinë e këtij misioni në Republikën e Shqipërisë.

Nuk është aspak logjike që 3-vite nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese, “Euralius” të propozojë sërish skema të tilla, tranzitore, të përkohshme që shkelin rëndë parashikimet Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj letre:

– Kërkon dhënien e një informacioni shterues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, siç është parashtruar më sipër;

– Synon t’i japë impuls KLGJ-së që të vendoset në pozita të plota pune për të përmbushur detyrimet e kushtetuese brenda afateve ligjore në mënyrë që Republika e Shqipërisë të ketë sa më shpejt një Gjykatë të Lartë funksionale;

– Po i paraprin krijimit të një situate ekstraligjore që mund të vijë nga përdorimi i qasjes së këshilluar nga Euralius V, që eventualisht siç ka ndodhur edhe më parë (me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm me 69 vota), mund të dëmtojë besimin tek Reforma në Drejtësi dhe që do të përbënte shkelje të hapur të parashikimeve kushtetuese;

– Synon të eliminojë çdo mundësi eventuale për cenimin e kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës;

– Të kontribuojë që, të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cenohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë.