Prof. Shefqet Muçi: Me ndryshimet kushtetuese të propozuara Shqipëria bëhet protektoriat i të huajve

344
Prof. Assoc Dr. Shefqet Muçi, ish ministër i Drejtësisë, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf”, thotë se cënohet sovraniteti i Shqipërisë me nenin 60, të draftit për ndryshimet kushtetuese, që ekspertët i kanë dërguar për vlerësim Komisionit të Venecias, pasi me Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit, Kushtetuta jonë u jep të drejtë shtevete të huaja, me anën e vëzhguesve të tyre që do të jenë anëtarë të Komisioneve të Vlerësimit, të shqyrtojnë të gjitha dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë, duke monitoruar çështje të brendshme të qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu, Prof. Muçi thotë se neni 3 i jep të drejtën Këshillit të Ministrave që, pa lejen e Parlamentit, të firmosë vendime që të lejojë forcat ushtarake të shteveve aleate, të dislokojnë në territorin tonë, ndaj kjo e drejtë duhet ta ketë vetëm Parlamenti, por jo Këshilli i Ministrave.
– Prof. Muçi, në draftin që ekspertët e reformës të drejtësisë i kanë dërguar për vlerësim Komisionit të Venecias, në nenin 60 bëhet fjalë për mision ndërkombëtar të monitorimit. Çfarë domethënie ka ky ndryshim kushtetues, që kërkohet të bëhet?

– Ky mision ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga BE, SHBA dhe organizma dhe organizata të tjera që bashkëpunojnë me Shqipërinë. Ky mision ka disa funksione dhe një ndër to është edhe të emërojë vëzhgues ndërkombëtarë në të dyja shkallët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pra, ndër institucionet e tjera, do krijohet edhe ky institucion tjetër plus, që është i përkohshëm dhe do të merret me vlerësimin dhe rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për aftësitë e tyre, sipas kritereve të caktuara. 
– Kush do ta kontrollojë Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit?

– Gjyqtarët përgatiten në shkollën e Magjistraturës, por reforma do të ndërtojë edhe një tjetër komision, i cili nuk dihet me cilët njerëz do të përbëhet, çfarë aftësie duhet të kenë, por çfarë aftësie kanë edhe të huajt që do të vijnë dhe do të vijnë në këtë komision e do të japin mendimin që ky gjyqtari i ynë duhet të jetë, dhe ai tjetri nuk duhet të jetë? Mënyra sesi është ndërtuar ky Mision Ndërkombëtar i Monitorimit, mua më krijohet përshtypja sikur cënohet rëndë sovraniteti i shtetit shqiptar. Çfarë pune kanë të huajt që të merren me vlerësimin e punonjësve tanë, qoftë edhe gjyqtarëve tanë? A ka ndonjë shtet tjetër, që na lejon neve të dërgojmë njerëzit tanë e të marrin pjesë nëpër komisionet e tyre që të vlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët e Gjermanisë dhe të Italisë, përshembull? Ndërsa, ne tashmë edhe me Kushtetutë, u japim të drejtën disave organizmave dhe disa shteteve, që të ushtrojnë kontroll dhe të kenë kompetenca, dile edhe në marrjen e vendimeve të caktuara përsa i përket vlerësimit dhe rivlerësimit të punonjësvë tanë të drejtësisë. 
– Ku është e keqja, që ne, ndërsa synojmë të shkojmë në BE dhe të pranojmë të monitorohemi nga partnerët tanë ndërkombëtarë?

– Unë pyes: Po SHBA dhe organizma të tjera jo të BE, çfarë detyra kanë ndaj neve? Unë jam i bindur që SHBA nuk kanë për ta pranuar një variant të tillë, sikurse nuk kanë pranuar edhe herë tjetër, kur pushtetarët tanë kanë kërkuar gjyqtarë dhe prokurorë që të vinin nga SHBA dhe vendet e tjera, për t’u marrë me hetimet e rëndësishme që kemi ne. Edhe kryeministri ynë në një intervistë në Zëri i Amerikës, para disa ditësh, kur u pyet nëse është dakort për një hetim ndërkombëtar të çështjes së CEZ, është shprehur se ne jemi shtet Sovran dhe kemi organet tona, që hetojnë dhe gjykojë këto çështje. Pra, qëndrimi i kryeministrit Rama është qëndrim kushtetues, ndërsa ndryshimet që bëhen tani, bien ndesh me këtë frymë, dhe, besoj unë, as kryeministri Rama nuk do t’i pranojë vendosjen në Kushtetutë të një dispozite të tillë, derisa i ka të qarta çështjet e sovranitetit të popullit tonë. Me sa mbaj mend, ambasada amerikane (dmth, SHBA) kanë kthyer përgjigjen që shteti shqiptar ka organizmat e tij, është një shtet Sovran dhe duhet t’i përmbushë vetë detyrat e veta. Detyra e SHBA është të ndihmojë me këshilla, konsulencë, nëse e kërkojnë, me ekspertë, por jo që të caktohen organizma, të caktohet në Kushtetutë që ne të futemi nën monitorimin e shteteve të tjera. Po u fut nën monitorimin e huaj, qoftë edhe me dëshirën dhe vullnetin tonë, do të thotë që nuk kemi më pavarësi, që jemi një shtet me sovranitet të kufizuar dhe që të huajt ta kufizojnë ato shtete që vetë ne i kemi pranuar me Kushtetutë, që të na monitorojmë. Prandaj, mua kjo më duket krejtësisht në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me sovranitetin e një shteti. Ndaj është e domosdoshme që ky nen të rishikohet, sepse bie ndesh me nocionin e sovranitetit, të pavarësisë së shteteve, pavarësisht se është jemi shtet i vogël, sovraniteti ushtrohet nga populli dhe jo nga të huajt, në vendin tonë. Të huajt thirren për të dhënë mendime, për konsulta. Ka gjithmonë reciprokitet. Kur mungon reciprokiteti, atëhere do të thotë që bëhemi vasalë të një shteti tjetër. 
– Prof. Muçi, mund ta argumentoni më hollësisht këtë kritikë tuaj, pikërisht për nenin 60?

– Kur lexoj në këtë nen që vëzhguesit ndërkombëtarë mund të dërgojnë çështjet për shqyrtim në në Komisionin e Pavarur Alternativ të shkallës së parë ose në Komisionin e Zgjeruar të Shkallës së Apelit, sidomos në rast se ata e konsiderojnë të paarsyeshëm vendimin e propozuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose nëse konstatojnë tregues të mjaftueshëm dhe bindës që vendimi i propozuar është i papërshtatshëm, nuk mban parasysh fakte ose prova të rëndësishme, nuk bazohet në ligj, ose është rezultat i një ndikimi të papërshtatshëm. Pra, siç e shikoni hartimin e nenit 60, vëzhguesit ndërkombëtarë, hulumtojnë në mënyrë të plotë çdo çështje të vlerësimit, në të gjitha nivelet punonjësit tanë, që nuk kanë pse ta dinë një gjë të tillë, bile vëzhguesit e huaj nuk kanë pse të dinë se çfarë dosje kanë punonjësit tanë, por, vëzhguesit e huaj, me Kushtetutën tonë, kanë edhe të drejtën të dërgojnë çështjen për shqyrtim në komisionet më të larta. Pasandaj, edhe më keq akoma, thuhet se personi i vlerësuar mund ta ankimojë vendimin e vëzhguesve të huaj të komisionit të parë te vëzhguesit ndërkombëtarë të komisionit të ankimimit, brenda një jave. Për fat të keq të qytetarëve shqiptarë, përveç ankimimeve që duhet të bëjnë te organet shqiptare, na u dashka tani, me ndryshimet kushtetuese që propozojnë, të krijojnë situata të tilla, që të ankohen edhe te komisionet ndërkombëtare, kundër vendimeve të komisioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë, e të krijohet një procedurë e tillë që nuk ka punë qytetari shqiptar me plekset me komisione të vëzhguesve të huaj në Shqipëri, për çështjet e tij. Qytetari shqiptar ka vetëm punë me institucionet e shtetit shqiptar. Kjo dispozitë e vë qytetarin shqiptar në mënyrë diskriminuese në raport me shtetet e tjera. Nëse jemi shtet i pavarur, nëse jemi shtet me personalitet, nëqoftë e shikon që në Europë nuk plotëson dot dëshirat dhe ëndrrat e popullit tënd, ke të drejtën të dalësh kur të duash jashtë saj. Sikurse tentojnë edhe shtete të tjera të BE, nëpërmjet referendumeve, nëse do qëndrojnë, ose jo, në BE. Ne nuk mund të bëhemi skllevër të BE, nëse mirëqënia e popullit tonë nuk ngrihet në standartet europiane, kur të bëhemi anëtarë të BE. Çështja shtrohet që populli dhe shteti ynë të mos jenë të diskriminuar dhe me pavarësi të kufizuar me shtetet e tjera. 
– Ka një dispozitë në ndryshimet kushtetuese që propozohen, që qeveria jep autorizimin forcave të huaja që të dislokohen në territorine Shqipërisë, pa marrë miratimin e Parlamentit tonë. Mos këtu ka diçka që nuk shkon?

– Në nenin 2 të draftit të ekspertëve për ndryshimet kushtetutese, thuhet se “ Forcat ushtarake të shteteve aleate mund të vendosen dhe të kalojnë në territorin shqiptar, si dhe forcat ushtarake shqiptare mund të dërgohen jashtë vendit, me vendim të Këshillit të Ministrave sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara.”. Këtu kam dy vërejtje. E para, nga ana e formulimit: “Forcat ushtarake të shteteve aleate”, po të thuhet kështu, “Forcat ushtarake”, ke thënë gjithë ushtrinë e një shteti të huaj mund të dislokohet në Shqipëri, ose të kalojë nga territori ynë. Kjo kështu nuk duhet të pranohet, të jetë e formuluar kështu, por duhet formuluar “Forca ushtarake”, ose “reparte ushtarake”, ose duhet gjetur fjala e duhur, që të vendosuet në vend të fjalës “Forcat suhtarake”. Së dyti, meqënëse kemi të bëjmë me cënimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, sepse me ose pa vullnetin tonë, ardhja e ushtrive të huaja në territorin tonë, cënon territorin tonë dhe kjo marrëveshje nuk duhet kurrsesi t’i besohet Këshillit të Ministrave, e shkruar kështu në Kushtetutë. Vendimi i Këshillit të Ministrave duhet të kalojë detyrimisht për votim në Parlament. 
– Faleminderit!