Kur nuk do të bësh avokatin e djallit, por e ndjen se e ke pranë

640
Sigal

Nga Gentian Çala

Nëse rrjeshtoj disa fakte, mund të kuptoni se midis ShBA-së dhe shqiptarëve diçka po ndryshon, diçka nuk është si më parë:

– Një plan ndarje territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilltari i Trump dukej i përfshirë. Ai jep dorëheqjen para disa muajve.

– 2 negociatorë bisedimesh në Kosovë: filimisht Ndihmës Zv. Sekretari i Departamentit të ShBA-së Z. Palmer dhe më pas Ambasadori GrenelL

– Tolerancë ndaj qeverisë Rama, e përsëritur nga dy Ambasadorët amerikanë, evidente dhe e pakuptueshme në Shqipëri.

– Mbështetja ndaj planit të Mini-Shengenit Ballkanik, jo i dukshëm, por i pranishëm.

– Presioni mbi Qeverinë e Kosovës për heqjen e taksës 100% për produktet serbe në Kosovë.

– Zërat për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Kosova, e hedhur si ide në rrjetet sociale nga Senatori Republikan Perdue.

A mjaftojnë kaq elementë për të kuptuar se me hyrjen e Trump në dhomën ovale qasja ndaj shqiptarëve po ndryshon?! Besoj se mjaftojnë.
A po ndryshon vetëm ndaj nesh apo ka diçka më globale në politikën e jashtme të ShBA-ve që po tjetërsohet?!
Mbase.
Por, unë dua të mbetem te marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Nëse ne jemi të njëjtët, po aq pro amerikanë si popuj, si klasa politike (së paku në Shqipëri dhe Kosovë), kujt i atribuohet ky ndryshim?!
Përgjigja duket e thjeshtë.

Aleatët tanë nuk janë si dikur. Duket se epokës së mjaltit dhe të shkëlqimit të raporteve shqiptaro-amerikane po i vjen fundi. Dashuria po këmbehet me përllogaritjet, armiqtë e djeshëm nuk janë më të tillë dhe faktorët gjeo-strategjikë janë dinamikë. Ballkani sherrmadh dhe shqiptarët pak të ndreqshëm duken jo fort partnerë të besueshëm. Ndaj duket se ndryshon dhe qasja. Tashmë duket se po kthehemi me këmbë në tokë dhe të kuptojmë se duhet të ndryshojmë qasjen dhe të kthehemi në aleatë të besueshëm dhe seriozë.

Përmes këtij vështrimi të një njeriu që ndjek aktualitetin dhe politikën nuk dua të them se “dashuria” amerikane për shqiptarët duhej të ishte pa kushte, por së paku duhej të ishte në vazhdimësi dhe e drejtë. Mua më shqetëson ky ndryshim, i cili për fat të keq më duket jo pa pasoja në këtë anë të botës ku jetojnë shqiptarët. Kosova ka bërë hapa mbrapa në njohje, nuk ka ecur në procesin e integrimit, duket e izoluar dhe peng i një marrëveshje të re me serbët, kurse Shqipëria ka bërë hapa pas në demokraci dhe në standartet e lirisë. E pra, kushdo që ka menduar se kjo qasje e re, e mjegullt, jo fort e qartë është pa ndikim te ne, e ka plotësisht gabim.

Nuk desha të bëj avokatin e djallit, por sot nuk e di përse e ndjeva pranë duke dëgjuar se ushtarët amerikanë nga Kosova mund të tërhiqen në një të ardhme jo të largët. Mbetet të shohim zhvillimet e mëtejshme.