Prof.Paskal Milo: PS-së i ka mbetur vetëm emri

Kreu i PDS deklaron se Partia Socialiste nuk ekziston më. Jo rastësisht Rama, që kur u bë kryetar e quajti “Rilindje” duke mbajtur në xhep vulën e saj. PS-në e votojnë veteranët duke menduar se ajo është akoma partia e tyre, ndërkohë që Rama shiti LANCC, gjakun e dëshmorve dhe trojet

 

NOA

Paskal Milo: PS-në e votojnë veteranët për inerci dhe mendojnë se kjo është akoma partia përfaqësuese e tyre

Partia Socialiste është shuar, Rama e shndërroi në partinë e tij

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo pohoi dje se Partia Socialiste e tanishme nuk ka lidhje me atë që ka qenë në fillim dhe shtoi se tashmë Rama ka arritur që të krijojë partinë e Rilindjes, që mban vulën e tij.

PS-në e votojnë shumë veteranë për inerci dhe mendojnë se kjo është akoma partia përfaqësuese e partisë së tyre. Ka një numër shumë të madh të anëtarëve të ish Partisë së Punës që punojnë dhe e lidhin vendin me PS-në

Prof. Dr. Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale

Partia Socialiste tashmë ka vetëm emrin pasi në substancë ka ndryshuar, që në momentin që kryetar u bë Rama dhe jo rastësisht e quajti dhe ‘Rilindje’. Ai donte të krijonte partinë e tij dhe të shkëputej nga tradita e Partisë Socialiste, që e lidhte këtë Parti me Partinë e Punës dhe kur dihet që Rama që në 93 ka bërë deklarata ekstreme me ish komunistët, ai donte ta pastronte partinë dhe të krijonte një parti me stampën e tij, gjë që ka arritur ta bëjë. PS-ja ka qenë tjetër gjë dhe ‘Rilindja’ është tjetër gjë. Gramoz Ruçin e mban se i duhet për shkak të reputacionit dhe si një urë lidhëse mes PS-së dhe ‘Rilindjes’. Pasi sot për PS-në votojnë shumë veteranë për inerci dhe mendojnë se kjo është akoma partia përfaqësuese e partisë së tyre. Ka një numër shumë të madh të anëtarëve të ish Partisë së Punës që punojnë dhe e lidhin vendin me Partinë Socialiste dhe ka një pjesë të madhe të këtyre njerëzve, që janë të lidhur me historinë e tyre dhe vijojnë e votojnë PS-në.

Gramoz Ruçin e shikoj si një nga vlerat më të çmuara të Partisë Socialiste e vlerësoj për kontributet e tij dhe ka meritën që ka ditur që të ruajë ekuilibrin e e marrëdhënieve të brendshme. Së pari, unë shikoj një lëvizje pozitive në lëvizjen dhe në ndryshimin e drejtuesit të ministrisë së Punëve të Jashtme për të përqendruar të gjithë vëmendjen atje para detyrave të mëdha që ka Shqipëria, siç është integrimi evropian, për këtë nuk kemi një dyzim më të qeverisë, por kemi një person që me kohë të plotë të qëndrojë dhe të merret me problemet e këtij institucioni. Pasi kryeministri që ka shumë punë nuk kishte kohë që të merrej me politikën e jashtme. Fytyra zyrtare e shtetit duhet të jetë e pranishme kudo. Emërimi i Xhaçkës e mbyll boshllëkun dhe krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me drejtuesit e tjerë. Asnjëhere marrëdhëniet Shqipëri-Turqi nuk kanë qenë kaq shumë të personalizuara siç janë tani. Unë si historian po them se marrëdhëniet me Turqinë janë vendosur në ’58 dhe në komunizëm kanë qenë marrëdhënie zyrtare dhe korrekte. Çfarë ndodhte në Turqi nuk reflektohej në marrëdhëniet Shqipëri-Turqi dhe nuk ndikoi. Në kohën e Presidentit Berisha pati një tendencë për t’i ngritur në një nivel më të lartë. Por nga viti 2013 deri më sot marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë në pikëpamje të volumit të shkëmbimeve mund të jenë rritur, por kjo rritje marrëdhëniesh nuk ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së kontakteve gjithë përfshirëse institucionale, por si një politikë personale e kryeministrit Rama me Presidentin e Turqisë Erdogan dhe kjo u duk që në gusht të 2013, kur Rama pa krijuar ende qeverinë e tij, së bashku me Bushatin kanë shkuar në Turqi dhe kanë biseduar me Erdogan. Kjo marrëdhënie e personalizuar mund t’i ketë sjellë Shqipërisë dhe qeverisë përfitime, ndihma dhe mbështetje afatshkurtra, por nëse e analizojmë ndër vite një ecuri të tillë, ajo është lëkundur dhe është një marrëdhënie interesi për Shqipërinë afatshkurtër në funksionon të politikës së ditës, për Turqinë është ndryshe është një marrëdhënie me objektiva strategjike dhe afatgjatë.