Zakonisht popujt që karakterizohen nga dhuna dhe që nuk i lenë vend arsyetimit, quhen primitivë. Popujt primitivë janë të destinuar të jetojnë në skllavëri. Një popull i kultivuar dallohet nga ai primitiv nga sjellja e tij, nga këndvështrimi që ka ndaj botës që e rrethon, nga zgjidhjet që i jep të ardhmes së tij. Po ne çfarë populli jemi? Le të analizojmë disa elemente si dhuna, padurimi, arroganca.
01
A jemi ne një popull i dhunshëm?
a)- Dhuna fizike dhe verbale janë karakteristika jonë e dukshme. Madje kjo e fundit është shndërruar në kulturë mbisunduese falë edhe mjeteve të komunikimit masiv dhe rrjeteve sociale. E keni vënë re ? Dhe kur dëgjon biseda normale në autobuz, apo lokale, zëri është aq agresiv sa duket sikur do plasë grushti nga çasti në çast! Nuk po flas më tej për dhunën fizike që e dimë se e kemi në gjak.
b)- Kjo mendoj se vjen ngaqë në histori na është dashur të përballemi më shumë me luftra se sa të vëmë mëndjen në punë. Forca fizike ka mposhtur gjithnjë forcën e ligjit, pale më atë të arsyes së shëndoshë.

02 Por ajo që na tregon si popull ende të pakultivuar është padurimi ynë.
a)- Ky padurim shprehet në çdo moment të jetës sonë. Padurim për t’u bërë të pasur brënda ditës, padurim për të dëgjuar deri në fund bashkëbiseduesin, padurim për të kuptuar çfarë po bëhet… Eee si thotë ajo fjala popullore: ”Baba dua nuse, e dua si kjo tëndja dhe e dua sonte”! Ky padurim ka bërë që shqiptarët të mos lypin rrugëvë të botës, por t’i futen me kokë ‘krimeve, vjedhjeve, prostitucionit, drogës. Ky padurim ka bërë që shqiptarët sapo të kenë diçka në dorë qoftë edhe pak “pushtet” ta shfrytëzojnë për veten. Ndaj sot kudo që ta vesh gishtin në administratën publike do gjesh korrupsionin të shtruar këmbëkryeq, por me shkallëzim sipas nivele të pushtetit.
b)- Ky padurim bën që asnjëherë të mos kuptohet se çfarë realisht kërkon të thotë bashkëbiseduesi. Dikush ka një ide dhe thotë. Të paduruarit, pra ne të gjithë, i sulemi pa kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, e ky sulm varet nga preferencat tona. Ama gjithmonë është Bardh a Zi! Pra pro ose kundër, pa nunaca, pa ngjyra. Kështu kemi varrosur me dhjetra ide progressive në të shkuarën, kështu vazhdojmë të bëjmë.
03
E meqë jemi këtu dy fjalë edhe për çështjen “ Status i bektashizmit”.
Z. Rama hedh një ide në një vend që nuk është i yni. Pala që e dëgjon nuk reagon. Pret me durim të kuptojë se çfarë do të ndodhë me këtë ide? Sepse sikundër e themi vetë ne “Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë”. Mbase ideja ndryshohet gjatë rrugës, mbase është e parealizueshme, mbase është ide progresive… Por jo, ne nuk presim dot. Në opinione çdo natë shpalosen lloj lloje trajtimesh foshnjarake. Ama themi “ata të tjerët, (të huajtë), nuk po reagojnë”! Përtojmë të lexojmë diçka deri në fund. Marrim lexojmë një fjali të shkëputur , që dikush e ka hedhur për konsum diku dhe e tjerrim sipas mideve tona duke dalë në përfundime ekstreme, shpesh nxitëse të përçarjes e madje edhe të dhunës. Ndaj njerëzit e të ditur e të mësuar të këtij vendi heshtin, sepse e dinë se duhet të përballen me të “paduruarit” që përbaltin duke lexuar vetëm një fjali e pastaj e tjerrin sipas dëshirës!
04
Që na pëlqen vetja kjo dihet.
Madje është e dukshme në çdo detaj të jetës. Mendimi ynë është i vetmi që pranojmë dhe mbi bazën e këtij veprojmë. Hidhini një sy komenteve që bëhen në disa media të shkruara poshtë shkrimeve, madje edhe të atyre që ne i konsiderojmë shkencëtarët tanë! Gjeni pa fund individë që në jetën e tyre nuk kanë lexuar mbase as edhe një gazetë deri në fund, ama japin mënd për arkeologjinë, për historinë, për politikën e madje edhe për inteligjencën artificiale! E mirë që japin “mend”, por dhunojnë me një fjalor vulgar artikullshkruesin. E mediat e lejojnë se ky qenka “zëri i popullit të thjeshtë”. Sigurisht ky është zëri i popullit të pakultivuar, por detyra e medias është mision, pra të kultivojë e jo t’i japë zë të pakultivuarve!
Madje shikoni Kryeministrin: “Sa më shumë flisni për statusin e bektashinjve aq më shumë bindem që duhet bërë”! E ja pra kur të pëlqen vetja, arroganca bëhet triumfuese dhe pas saj dalim aty te fillimi i këtij refleksioni : Dhuna! Ky është kryeministri që e quan veten mbret! Hedh në ide e që pa ditur çfarë rruge do të marrë kjo ide, a do të jetë rezultative, progresive ose jo ,deklaron pa më të voglën llogjikë shtetari : Ju nuk doni se jeni injorantë, por unë do ta bëj!(Nuk po e citoj , por po e perifrazoj z Rama). Prandaj nuk doni? Mu prish puna! Unë do e bëj për inatin tuaj.
Një rreth vicioz i padurimit, i vetpëlqimit dhe dhunës sonë si karakteristikë e jona si popull!
05
Ndërkohë që ne merremi me gjërat që nuk i njohim e nuk marrim mundimin t’i njohim, lemë pas krahëve të përditshmen tonë.
Lemë në harresë shëndetësinë, arsimin… E dini që më shumë ndjekës në rrjetet sociale kanë të ashtuquajturit “Mjek” të tallavasë shëndetësore? Dhe njerëzit i besojnë. Nga ana tjetër pak u intereson se një Mjek i kultivuar me diplomë thotë pa pikë turpi “Pacientin ta çojmë më afër varrezave”. Epo punë e madhe. Një universitet shet diploma, mbyllet. Punë e madhe, e pse na duhet? Prindërit akuzojnë mësuesit që nuk u venë nota maksimale fëmijëve të tyre, po as marrin mundimin ti pyesin e t’i dëgjojnë se çfarë thonë ata për fëmijët e tyre. Ndërsa mësuesit e kanë lënë në rënie të lirë edukimin në shkolla. Epo punë e madhe! Rëndësi ka t’i tregojmë “vendin” njeri tjetrit! Popuj të tjerë në historinë e tyre mësuan e kultivuan ecjen përpara falë të kuptuarit të gabimeve që kanë bërë në histori. Epo ne jemi një popull që kurrë , po vërtetë asnjëherë nuk kemi pranuar gabimet tona! Ndaj nuk kemi ndryshuar! Ndaj themi që fajin e ka politika, ndërkohë që rendim poshtë dritares për të brohoritur për një lider që duhet dënuar për shumë vepra të tij antishqiptare e korruptive. Pse? Sepse kanë përfituar prej tij? Sepse besojnë në mënyrën më absurde se do rikthehet sërish në pushte e do t’i japë atë ç’ka duan? Apo se me qëndrimin kundër këtij tjetrit që është në pushtet, nxitojnë të rikthejnë të shkuarën e pakthyeshme? Çfarë tregon kjo? Vetëm një psikologji mesjetare!
06
Fajin e ka politika! Si i bëhet ?
a)Fajin e ka politika!
Po a nuk votojmë ne pa arsyetuar? Po a nuk jemi ne mosbesues ndaj çdo lëvizje të re opozitare? Apo vetë këto lëvizje janë të formave të “pakultivuara” në psikologjinë e tyre populiste? Përsa kohë fajin do tua lemë Enverit (që ka 40 vjet që nuk është më) apo Sorosit, Saliut apo Ramës, madje edhe amerikanëve, apo europianëve, ne vërtetë nuk do ndryshojmë!
b)-Si i bëhet ?
Fare thjeshtë! Mjafton të duam të bëhemi si popujt e kultivuar! Mjafton të kuptojmë gabimet tona. Mjafton të përdorim arsyen mbi emocionet tona primitive, mjafton t’i japim rëndësi mendimit të kultivuar e të mos i japim zë publik injorantëve, modeleve primitive, dhunës verbale e dhunës fizike. Mjafton të jemi serioz me njëri tjetrin e mjafton të kuptojmë se sa dimë e se sa të përgjegjshëm jemi për këtë. Mjafton të duam arsimin dhe edukimin e të kuptojmë se pa edukim e dije nuk mund të jesh një qytetar e më tej një popull i qytetëruar. Mjafton të kuptojmë se gjithkush që kërkon liritë e tij, ka detyrimisht dhe përgjegjshmëritë për këto liri. E mbi të gjitha të mos e shajmë më këtë vend, as mes nesh e as me të huajt.
Atëherë do ta kuptojmë se sa mirë është të jesh shqiptar!




















