Prof. Dr. Zamira Çavo: Paria e Tiranës po mban peng Shqipërinë

371
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Zamira Çavo/ Politika është jeta jonë e përditshme, ndaj ndaj nuk mund tua lëmë në dorë këtyre politikanëve, të cilët po ushqehen si “ shushunjat” me sakrificat e shqiptarëve. Ndikimi i uljes së mesatares së notës për mësuesisë, korrupsioni, zgjedhja e presidentit të ri dhe pse mungesa e opozitës çon në autokratizëm e diktaturë.

Si e shihni vendimin e qeverisë për uljen e mesatares së notës për mësuesinë? Sa do të ndikojë ky vendim në sistemin tonë arismor?

Çavo: Së pari më duhet të them se vendime të tilla, që më së shumti shiten dhe si reforma, nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëshmojnë për mungesën e strategjisë që kemi në fushën e arsimit. Mesatarja asnjëherë nuk ka qenë motiv për një cilësi më të mirë apo për një prurje më të mirë në universitete. Kushdo që e pranon këtë ose nuk e njeh arsimin ose i bën temena pseudoreformave në arsim. Pse e them këtë? Çfarë ndodhi që qeveria fillimisht vuri një mesatare 6.5 për universitete pavarësisht programit që zgjidhte nxënësi? U duk sikur filloi në epokë e re e arsimit universitar. Pas një viti u hoq mesatarja për disa degë dhe u rrit në 7.5 për degët e tjera. Çfarë ndodhi? A u rrit cilësia?  Në të vërtetë u rrit presioni, që prindërit ushtruan mbi shkollat e mesme për të rritur fiktivisht mesataren. Tani sërish merremi me mesataren, por askush nuk thotë se si do tërhiqen nxënësit në degët e mësuesisë. Pse kujtoni ju se mesatarja e lartë apo e ulët do shtojë numrin e studentëve në këto degë? Jam e bindur që jo!  Universitetet  në botë kanë autonominë e tyre që për t’i pranuar nxënësit në universitet bëjnë provimet paraprake. Dhe universiteti mban përgjegjësinë për rezultatet. Në Shqipëri kjo nuk mund të funksionojë për njëqind arsye. Atëherë pyes, ka ndonjë mënyrë që degët e mësuesisë tua bëjmë atraktive nxënësve? Sepse jam e bindur se edhe sikur shteti tua paguajë deri në një shpenzimet për çdo vit universitar studentëve të degëve të mësuesisë, sërish dëshira për t’i ndjekur është e ulët ama dëshira për të patur një diplomë do jetë e madhe, por cilësia sigurisht edhe më e vogël! Sepse vlera e diplomës së mësuesisë ka rënë jo vetëm në treg, por edhe në opinion. Mjafton të shikoni se sa është numri i përgjithshëm i të rinjve, që listojnë në preferencat e tyre degë mësuesie? Madje dhe nëse ka të tillë janë preference, janë nga fundi i 10 preferencave të tyre. Si përfundim mendoj se sistemi arsimor shqiptar ka mbetur shumë mbrapa dhe nuk duket të këtë sy për të kuptuar se jetojmë në shekullin e nanoteknologjisë.

“Mesatarja asnjëherë nuk ka qenë motiv për një cilësi më të mirë apo për një prurje më të mirë në universitete. Kushdo që e pranon këtë ose nuk e njeh arsimin ose i bën temena pseudoreformave në arsim. Sepse vlera e diplomës së mësuesisë ka rënë jo vetëm në treg, por edhe në opinion.”

A mendoni se pa një drejtësi të paanshme e të vërtetë nuk mund të luftohet korrupsioni?

Kjo është pyetje retorike. Baza e një shteti është drejtësia. Të tjerat janë broçkulla. Unë jam e ndërgjegjshme që drejtësi të vërtetë zor se do kemi në Shqipëri dhe për shumë kohë, pasi mungon kultura jonë në këtë fushë. Ne jetojmë akoma me ligjin e më të fortit. Kjo ka ndodhur edhe në Demokraci. Shën Agostini thoshte: Nëse nuk respektohet drejtësia çfarë janë shtetet: veçse banda hajdutësh! Dhe tek ne fatkeqësisht kështu ka ndodhur. Le të shpresojmë që disa gjëra të vihen në peshoren e drejtësisë, por do duhet kohë që të ndodhë ajo që të gjithë presim: Ndëshkim të pandëshkueshmëve që na e shesin për drejtësi pikërisht të padrejtën!

U dogj dhe raundi i tretë i presidentit. Kaq e vështirë është të zgjidhet një President i ri?

Kjo loja me president u bë sport popullor, jo pa qëllim diskreditimi. Sigurisht që nuk është vështirë. Ka personalitete të shquara ky vend me bollëk. Por politikanët e nderuar shqiptarë kanë zgjedhur që për të ruajtur të paprekshme pozicionet e tyre politike, të bëjnë sikur nuk bien dakord për një emër. Ama të gjithë e dinë që sipas Kushtetutës emri i takon atyre që kanë më shumë vota. Thjeshtë fare: Z Rama do na “befasojë” me një emër të cilin ne do ta përflasim sigurisht, që sapo ta dëgjojmë! Pra ne i kemi humbur autoritetin moral institucionit të presidentit, pavarësisht emrit që do zgjidhet. Dhe kjo e ka një arsye… Po le ta zgjedhim një president nga populli! Mundet, por as kjo nuk zgjidh gjë pasi ne jemi Republikë jo presidenciale që do të thotë se pak kompetenca ka Presidenti.

Çfarë mendoni ju për këtë?

Unë mendoj që vendimarrja e gjitha e politikës duhet t’i kalojë popullit. Le të vendosë ai çfarë është e mirë për të. Jo elitat politike. Nuk besoj kurrë që disa njerëz në politikën tonë 30 vjeçare i “pret barku” për hallet e popullit dhe vendosin me drejtësi për të. Pa futur modelin e referendumeve në politikën e vendimarrjes, asnjë llojë zgjedhje nga populli nuk bën derman! As platforma e Bashkëqeverisjes apo e Shqipërisë që duam!

“Ne i kemi humbur autoritetin moral institucionit të presidentit, pavarësisht emrit që do zgjidhet. ”

Opozita është në ditën e saj më të keqe. A na intereson kjo ne si popull?

Sigurisht që është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një vendi! Mungesa e opozitës çon në autokratizëm e diktaturë. Dhe shkaktarët e kësaj gjendjeje janë sërish ata “Politikanët 30 vjeçarë” të të dy krahëve. Ata mbajnë njëri tjetrin në njëmijë mënyra. Ndaj dhe na e kanë mërzitur politikën dhe na kanë humbur besimin. Ata janë bashkë edhe në degradimin e opozitës madje do jenë bashkë edhe në të ardhmen, sepse njerëzve u ka humbur tashmë edhe dëshira për të luftuar e ndryshuar diçka. E shikoni se ku jemi sot pas 30 viteve demokraci? Një vend i dhënë me PPP dhe një popull që zvogëlohet në numër për shkak të largimeve dhe që shton rradhët e varfërisë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Po a ka ndryshime? Sigurisht që ka, sidomos ndryshime në fasadën e shtetit dhe fasadën infrastrukturore. Ama në Tiranë ujë nuk ka akoma. Rritet paga minimale, por nuk kontrollohen bizneset nëse e respektojnë atë ose jo. Flitet për transparencë pagash, por a duhen publikuar dhe pensionet që janë më poshtë besoj edhe se minimumi jetik i pashpallur? A ka zgjidhje kjo gjendje? Sigurisht që po.

Së pari: duhen ndryshuar modelet tona. Modelet qeverisëse, modelet arsimore, modelet ekonomike…Dhe këtë duhet ta bëjnë  intelektualët e fushave të ndryshme. Por intelektual nuk është një njeri që ka një apo dy diploma, që ka një apo dy tituj shkencor, por ai që përpiqet për të mbledhur rreth vetes individë të së njëjtës fushë, për të dhënë modelin më të mirë dhe që gjen forca për t’iu imponuar politikës, medias dhe për t’ia sqaruar popullit.

Së dyti: ne të gjithë duhet të edukojmë vetveten e të gjithë njerëzit që të mos e lëshojnë votën për individin, por të dëgjojnë se çfarë programi kanë. E nëse gabojnë një herë apo dy nuk do ta përsërisin më gabimin e bërë. Ama nëse votojmë për individin që i ka gënjyer 30 vite, faji nuk është më i atyre, që na  gënjejnë.

“Mungesa e opozitës çon në autokratizëm e diktaturë. Dhe shkaktarët e kësaj gjendjeje janë sërish ata “Politikanët 30 vjeçarë” të të dy krahëve. Ata mbajnë njëri tjetrin në njëmijë mënyra. Ndaj dhe na e kanë mërzitur politikën dhe na kanë humbur besimin.”

Së treti, por jo për nga rëndësia, duhet të organizojmë një lëvizje masive ku të kërkojmë vendosjen e REFERENDUM-eve si mënyrë qeverisëse.

Së fundmi: jemi ngarkuar me negativitet kaq shumë si shoqëri sa jo vetëm nuk po merremi vesh mes nesh, por po nxjerrim më të keqen edhe si shoqëri: Shajmë, anatemojmë, vulgarizojmë çdo gjë dhe pastaj kthehemi e shesim moral. Mendoj se media, sidomos ajo vizive, ka rolin kryesor në këtë katrahurë sociale.