Prof. Dr. Zamira Çavo: Administratë publike apo privatizim administrate

493
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në të gjithë botën e qytetëruar njerëzit, vetëm kur nuk gjejnë asnjë mundësi, pranojnë për të punuar në administratën publike. Dhe ka një arsye: punësimi në këtë administratë nuk të bën dot të pasur! Ama, paradigma e administrimit publik në Shqipëri, është me kahe të kundërt: Nëse nuk ke para, përpiqu të gjesh një vend “të mirë” në administratën publike se, “në mos rrjedhtë, do pikojë”!

“Administratën publike njerëzit e shikojnë si ajo lopa që mund të milet deri sa të duash e kur ta duash!”

E dini sa drejtorë e drejtorevica gjeni, që vetëm me disa vite pune në këto pozicione, janë bërë vërtetë të pasur? Shikoni veshjet e tyre, veshje që kushtojnë sa rroga vjetore e një punonjësi të thjeshtë! Kam parë drejtorevica që vetëm çanta u kushtonte disa mijë euro! Pra bëhen të pasur! Po si ka mundësi? Më thoni një rast në botë ku me pagën(më të mirën e mundëshme) të jetë bërë dikush i pasur? Nuk ka! Po atëherë si ka mundësi që kjo kastë e administratorëve tanë publikë, arrijnë të blejnë vila, të investojnë në hotele, apo të bëjnë resorte? Me paga? Mos na bëni për budallenj! Dhe sikur të mos shpenzonin asnjë qindarkë për të jetuar, paga e tyre nuk mjafton as për të blerë një shtëpi modeste, e jo më vila e resorte!

Administratën publike njerëzit e shikojnë si ajo lopa që mund të milet deri sa të duash e kur ta duash! Dhe nuk është faji i njerëzve. Politika historikisht i ka edukuar këta njerëz me idenë se, “shteti” është ai që, është më lart se ty, në hierarki! Ndaj mjafton t’i bindesh atij, pa, për të tjerat, vepro si të duash. Ata që kanë një pozitë hierarkie më të lartë, bëjën ligjin si duan vetë! Shteti është “malli pa zot”, ku çdokush mund të fusë duart e të zhvasë! Ama, jo qytetari i thjeshtë. Qytetari i thjeshtë për një hall robtohet pas x-it apo y-it që t’ja zgjidhë. Përdor të gjitha mënyrat sepse “ai” që e ka në dorë t’ja zgjidhë hallin, e zvarrit, bën të vështirin, i tregon ligjin, të cilin e harron, sapo zarfi i vihet mbi tryezë.

“E dini sa drejtorë e drejtorevica gjeni, që vetëm me disa vite pune në këto pozicione, janë bërë vërtetë të pasur? Shikoni veshjet e tyre, veshje që kushtojnë sa rroga vjetore e një punonjësi të thjeshtë! Kam parë drejtorevica që vetëm çanta u kushtonte disa mijë euro!”

Dhe pastaj themi: Fajin e kanë qytetarët, se ata u japin para me zor punonjësve të zyrave të shtetit!

Zyrtarët e administratës publike janë privatizuesit e shtetit! (Të më falin këtu punonjësit e ndershëm të kësaj administrate, të cilët sapo i shikojnë si të tillë, i pushojnë nga puna)!

Kam dëgjuar njerëz që thonë se kanë lënë rrogën e 6 muajve tek “ai” shefi, që të zenë një vend pune! Kam dëgjuar që edhe për të bërë një vaksinë ‘Pfizer’ po të njohësh edhe dikë të “vogël” në hierarki, mjaftojnë ca para dhe… hopa e bëre!

Ka shumë arsye pse jemi kështu. Kam shkruar me dhjetra herë për to. Por sot dua të theksoj mënyrën se si merren në punë punonjësit e administratës publike, si emërohen drejtorët e drejtoret! Sot në fuqi është jo sistemi i vlerave, por sistemi i klaneve që mbështeten në “Njëra dorë lanë tjetrën dhe të dyja shefin”. “Ai”, drejtori i vogël, bën çdo gjë që të “kënaqë “Atë”, drejtorin e madh, e kështu deri në majë! Ndërsa specialisti përpiqet të “nxjerrë” diçka nga qytetari ose nga mundësitë që i krijohen për të abuzuar me shtetin, e këto abuzime shkojnë te shërbimet fiktive, nafta, tenderat e vegjël…E me që jemi te tenderat, pasojat bien mbi këta të vegjëlit dhe pse urdhërin dhe “pjesën e luanit” e marrin ata sipër!  Por le t’i kthehemi  problemit të emërimeve.

“Shteti është “malli pa zot”, ku çdokush mund të fusë duart e të zhvasë! Ama, jo qytetari i thjeshtë. Qytetari i thjeshtë për një hall, robtohet pas x-it apo y-it që t’ja zgjidhë.”

Ndjek me vëmendje çdo fjalim të kryeministrit Rama dhe po ju kujtoj se, skenat me “studentët që mbarojnë jashtë”, i kam parasysh si në fillimet e mandatit të parë, ashtu dhe në fillimet e mandatit të dytë. Nuk them se ku janë tani ata që iu përgjigjen thirrjes së kryeministrit për të kontribuar. Kjo është temë më vete. Por them, a është kryeministri Ligji, standardi për marrjen në punë? Si funksionon kjo?

Pra Kryeministri merr në punë sipas dëshirës, ministrat pasi plotësojë dëshirat e kryeministrit, marrin në punë sipas “dëshirës”, drejtorët po kështu…Dhe ky na qenka Shteti!

Ndaj e shtrova pyetjen që në fillim a është kjo një administratë publike apo është privatizuar dhe ne bëjmë llafe kot! Dhe në fund mos ma përmendni DAP-in, sepse ai është hall më vete!