Frank Shkreli: Ndërroi jetë Simon Simonlacaj, bamirës dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan

1191
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një shënim personal:  Me 2 korrik ndërroi jetë, papritmas, në moshën 80-vjeçare, Simon Simonlacaj, njëri prej bamirësve dhe aktivistëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan i disa dekadave të fundit. I lindur në një fshat të rrethit të Ulqinit, Simoni emigroi në Shtetet e Bashkuara, si shumë bashkatdhetarë të tij të atyre krahinave nën Malin e Zi, në fillim të 1970, për arsye që dihen.

Simon Simonlacajn e kisha njohur në vitet 1960,  kur të dy ne, pa ditur për njërin- tjerin, gjendeshim në qytetin Rijekë të Kroacisë. Ai i larguar nga vendlindja për të gjetur punë në Kroaci, pasi punësimi ishte i pakët dhe pothuaj i pamundur për shqiptarët në trojet tona, dhe shqiptarët e atyre viseve detyroheshin të kërkonin punë, çfardo pune, anë e mbanë ish-Jugosllavisë.  Kështu kishte ndodhur edhe me Simonin. Ai kishte gjetur punë në Rijekë, ndërsa unë në vitin shkollor 1964-1965,  isha regjistruar për të ndjekur mësimet në seminarin katolik në atë qytet, larg vendlindjes dhe familjes. Ndërkaq, Simoni kishte zbuluar, nëpërmjet famullitarit të Kishës Shën Gjergji në breg të lumit Buena, Dom Simon Filipaj,  përkthyesin e Biblës në shqip, që ishte edhe famullitari ynë i përbashkët , se në seminarin  klasik katolik të Rijekës, gjendej një student nga famullia e Shën Gjergjit, në rrethin e Ulqinit.

Marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, me botues z. Tonin Mirakaj

Ishte viti 1966 kur Simoni, megjithëse nuk e njihja, pasi ai ishte nga një fshat tjetër i Ulqinit, por edhe 10-vjet më i moshuar se unë, erdhi të më takonte në seminarin salezian të Rjekës. Ishim dy shqiptarë prej të njëjtin vend, por në dhe të huaj, pasi Kroacia megjithëse ishte pjesë e të njëjtit shtet që quhej “Jugosllavi”,  për të dy ne, ishte vend i huaj, me gjuhë dhe zakone ndryshe, por një vend ku shqiptarët, trajtoheshin pak më mirë se në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë komuniste. Takimet tona u bënë të rregullta me Simonin, i cili vinte shpesh të më takonte në seminar, për t’u çmallur për vendlindjen, derisa të dy vendosëm në mbarim të dekadës së 60-ve që, më në fund, të largoheshim nga ai vend dhe të merrnin rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me të ardhur në Amerikë, Simoni u vendos me familje në Nju Jork, ku me mund e djersë ndërtoi një jetë shumë të mirë dhe të begatë për veten dhe familjen, duke u bërë më vonë edhe njëri prej shqiptaro-amerikanëve më të suksesshëm në fushën e pronave të paluajtshme. Unë pas dy tre vitesh në Nju Jork, shkova në Washington për të punuar për “Zërin e Amerikës” dhe lidhjet tona, për arsye të distancës, ishin të pakta. Por si aktivist i dalluar që ishte në komunitettin shqiptaro-amerikan,  Simoni vizitonte Washingtonin, nga hera në herë, për të qarë hallet e shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi, sidomos të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve nën Malin e Zi.  Ai ishte shumë aktiv në organizimet e komunitetit dhe veçanërisht, dallohej,  për vite me radhë, për veprimtarinë e tij të pakursyeshme në Kishën Katolike shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Shkodrës”.

Me këtë rast të dhimbshëm të kalimit në amëshim të Simon Simonlacajt, dëshiroj të përmend vetëm një prej kontributeve të Simonit me shokë, që ndihmuan në organizimin e Seminarit për Imzot  Pjetër Bogdanin, në Universitetin “Fordham” të Nju Jorkut, në tetor të vitit 1989.  Një veprimtari kjo, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit,  e cila është përjetësuar në librin  “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, kushtuar kësaj ngjarjeje historike, botuar nga një tjetër aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Tonin Mirakaj.

Them historike, sepse ishte hera e parë që në Shtetet e Bashkuara, mbahej një seminar i tillë në përkujtim të vitit jubilar kushtuar Pjetër Bogdanit,  një vigani të fesë dhe të letërsisë shqipe,  me një pjesëmarrje të disa prej figurave më të shquara të kulturës dhe letrave shqipe në mërgim dhe të trojeve shqiptare.  Në atë seminar dalloheshin At Daniel Gjeçaj, kryekapelani për shqiptarët jashtë Atdheut, profesor Arshi Pipa dhe profesor Martin Camaj.  Por, ajo që e bëri këtë seminar historik,  ishte pjesëmarrja nga Kosova e profesorëve të Institutit Albanologjik  të univresitetit të Prishtinës, dr. Ibrahim Rugovës dhe profesorit Engjëll Sedaj. E përmend  këtë rast, sepse një organizim i tillë, mund të bëhej i mundur vetëm nga  individë si Simon Simonlacaj me shokë, i cili nuk mungonte kurrë të merrte pjesë dhe të sakrifikonte për vepra të tilla të rëndësishme kombëtaro-fetare.  Pas seminarit në Universitetin “Fordham”,  Simon Simonlacaj, në kapacitetin e tij si anëtar i Komisionit Përgatitës i këtij seminari, më telefonoi dy ditë përpara se të niseshin  duke më thënë se kishte në plan të shoqëronte dr. Ibrahim Rugovën dhe dr. Engjëll Sedajn për një vizitë në Washington. Në kryeqytetin amerikan, kaluam dy ditë të mrekullueshme me vizitorët e çmuar nga Kosova, të cilët gjendeshin për herë të parë në Amerikë, por duke marrë parasysh  se si u zhvilluan punët, kjo vizitë  vërtetë ishte e para  në Washington për dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e ardhshëm legjendar të Republikës së Kosovës së Pavarur, por jo e fundit. Pas kësaj vizite, edhe Simoni vinte shpesh në Washington dhe kurrë nuk kthehej për Nju Jork, pa kaluar të pakën një natë në shtëpinë tonë.

Ulur nga e majta: I ndjeri Simon Simonlacaj, Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit, në Falls Church, Virxhinia, afër Washingtonit, tetor, 1989.

Ka shumë veprimtari kombëtaro-fetare dhe akte bamirësie në të cilat Simon Simonlacaj merrte pjesë dhe kontribuonte, përshirë  ndihmën për ‘Urdhërin e Motrave të Nënë Terezës’, por edhe për projekte në vendlindje. Po përmend  vetëm rastin e kontributit të tij në organizimin e seminarit të Pjetër Bogdanit, si diçka tepër me vend dhe e drejtë, 30-vjetë më parë në Nju Jork, një ngjarje kjo që unë besoj se me pjesëmarrjen e dr. Ibrahim Rugovës në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, mund të ketë ndryshuar  rrjedhën e historisë për shqiptarët,  sidomos për ngjarjet e mëvonshme në Kosovë.

Për shumë arsye sot, e kujtojmë me mendje e me zemër Simon Simonlacajn, mikun tim të dashur prej viteve, që nga viti 1966 kur e njoha në Rijekë të Kroacisë ku na kishte hedhur fati të dyve, larg familjes dhe venddlindjes sonë, për t’u bashkuar disa vite më vonë, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Së bashku me familjen e tij të ngushtë, e kujtoj me dhimbje Simonin, ashtu si e kujton me mall i mbarë komuniteti i gjerë shqiptaro-amerikan, të gjithë shqiptarët që e njohën në Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe të huajt që patën rastin ta njihnin dhe të punonin me Simon Simonlacajn.  Kur ndahet nga të gjallët një njeri kaq zemërmirë, patriot e fetar, jo vetëm familja e tij por të gjithë miqtë e Simon Simonlacajt dhe të familjes së tij, jetojnë përgjithmonë me ndjenjen e një humbjeje të madhe.  Ndarja e papritur nga kjo jetë e Simon Simonlacajt me të vërtetë le një zbrazëti të pazëvendësueshme për familjen e tij fisnike, si dhe një mungesë të madhe në gjirin e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Ngushëllimet e mia më të thella bashkëshortes, Santës, dhe mbarë familjes e farefisit të Simonit, me respektin më të sinqertë për ta, dhe për jetën e veprimtarinë e të dashurit të tyre më të shtrenjtë dhe mikut e shokut tone, dhe të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të.

Njoftim nga familja:

Our Lady of Shkodra
Lajmërim Mortor
Simon Zefi Simonlacaj
12 shkurt 1941 – 2 korrik 2021
Me hidhërim njoftojmë se me 2 korrik, papritmas u nda nga jeta atdhetari dhe bamirësi Simon Zef Simonlacaj, në moshën 80 vjeç.
I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, “Yorktown Funeral Home 945 East Main Street”, Yorktown, NY 10588, të dielën me 11 korrik 2021, nga ora 2pm – 9pm.
Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të hënën me 12 korrik 2021, në orën 11:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” prej ku mbas meshes, trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.
Famullia “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.
Simoni, pastë dritë në amëshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.
Jepja o Zot, pushimin e pasosur, e i shndritë drita e pambarueme. Pushoftë në paqe! Ashtu kjoftë!

SIMON SIMONLACAJ