Prof.Dr.Kristaq Kume: Nisma ligjvënëse qytetare për votimin e këshilltarëve bashkiakë të bëhet me lista të hapura, për të rritur përfaqësimin e qytetarëve

Qytetarët kanë deklaruar se nuk ndihen të përfaqësuar nga anëtarët e Këshillave Bashkiakë

 

Nisma ligjvënëse qytetare për votimin e këshilltarëve bashkiakë me lista të hapura

Sigal

 

Prof. Dr. Kristaq Kume

Pas një procesi të gjatë dhe intensiv konsultimi me qytetarë, të rinj, gra e vajza, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme qytetare në zonat urbane dhe rurale, përfaqësues të pakicave kombëtare, staffet akademike në universitetet e ndryshme të vendit, të zgjedhur dhe punonjës në organet e qeverisjes vendore, Aleanca qytetare, e drejtuar nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, në të cilën bën pjesë OJF që zhvillojnë aktivitetin e tyre në bashki të ndryshme të vendit, është angazhuar në realizimin e nismës ligjvënëse qytetare, objekt i të cilës është projektligji “Për ndryshime në Kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Për qeverisjen e pushtetit vendor Kodi zgjedhor parashikon zgjedhjen nga populli të Kryetarit të bashkisë dhe Këshillin bashkiak. Zgjedhja e Kryetarit të bashkisë bëhet sipas sistemit mazhoritar, me një raund. Mandatin e Kryetarit e fiton kandidati, i cili merr më shumë vota se kandidatët e tjerë. Për zgjedhjen e Këshillin bashkiak zbatohet sistemi propocional. Subjektet zgjedhore, partitë politike ose koalicionet e tyre, garojnë me listë të mbyllur kandidatësh. Kodi zgjedhor i jep të drejtë zgjedhësit të votoje për një prej subjekteve zgjedhore, i cili mund të jetë edhe kandidat i pavarur. Nëpërmjet kësaj vote zgjedhësi shpreh vullnetin e tij mbështetës për subjektin, partinë politike, koalicionin ose kandidatin e pavarur. Duke qenë se sistemi parashikon votimin me listë të mbyllur, zgjedhësi nuk ka asnjë mundësi të shprehet për kandidatët e listës të subjektit që ai voton, për kandidatin, qe ai do të donte ta përfaqësonte në Këshillin bashkiak. Në këtë mënyrë, sistemi aktual për zgjedhjen e antarëve të këshillit bashkiak, i jep përparësi vullnetit dhe vendimit të partive politike, përparësi, e cila është ndjeshëm më e madhe në krahasim me vullnetin dhe vendimin e qyetarëve.

Duke ju referuar sistemeve sipas të cilëve shqiptarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre, në nivel qendror dhe lokal, rezulton se ata  zgjedhin vetë, direkt, vetëm Kryetarin e bashkisë. Edhe ndryshimi që u bën në Kushtetutë për votimin me votë parapëlqyese, ndryshimi, i cili krijoi mundësinë që zgjedhja e deputetëve të bëhet nëpërmjet votimit me lista të hapura, si pasojë e mënyrës se si u hartua legjislacioni për administrimin e kësaj vote, e bëri pothuajse të pamundur shfaqjen e efektit të këtij ndryshimi në praktikë.

Realizimi i nismës ligjvënëse qytetare për votimin më lista të hapur për anëtarët e këshillit bashkiak është një kontribut domethënës i qytetarëve.

Duke ju referuar perceptimeve dhe opinioneve të qytetarëve si dhe mbështetur në një analizë të thjeshtë të rezultateve që ka dhënë zbatimi i sistemit propocional me lista të mbyllura për zgjedhjen e këshillave bashkiak, arrihet lehtë në përfundimin se demokracia përfaqësuese në nivelin vendor, ka probleme në mënyrën dhe në cilësinë e funksionimit të saj. Në këshillat bashkiake, si organe kolegjiale vendimmarrëse, komunitete të ndryshme lokale nuk arrjnë të përfaqësohen me antarë nga rradhët e tyre.  Veçanërisht një fenomen i tillë, i cili ndikon në mënyrë të ndjeshme në cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve në këshillin bashkiak, është shfaqur më shumë pas ndryshimeve të bëra në hartën për ndarjen territoriale administrative të vendit. Ndarja e miratuar, në kuadër të reformës së fundit për pushtetin vendor, ka krijuar Bashki me shtrirje të madhe në territor. Kjo ka bërë që në një Bashki të bashkëjetojnë komunitete që jetojnë në zona urbane, me komunitetet që banojnë në zona rurale, ku pesha e këtyre të fundit, në jo pak bashki është e konsiderueshme. Kjo ka sjellë si pasojë përfaqësimin jo proporcional në Këshillin Bashkiak të këtyre komuniteteve. Kështu p.sh. në Këshillat Bashkiak të Bashkive Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë etj.. që qeverisën pushtetin vendor në periudhën 2015-2019, antarë në këto këshilla, që banonin në zonat rurale, në fshat, pra këshilltarë që përfaqësonin komunitete të këtyre zonave, ishin në një numër shumë të vogël, gati të papërfillshëm në krahasim me këshilltarë që banonin në qytet. Kjo shmangie e ndjeshme nga parimi i proporcionalitetit në përfaqësim bie ndesh me parimet sipas të cilëve duhet të funksionojë demokracia përfaqësuese në nivel vendor. Ndërkohë, duhet të theksohet se kjo situatë mbarte me vete rrezikun për cenimin e cilësisë në shërbimet për qytetarët, që duhet të ofrohen nga organet e pushtetit dhe të vetëqeverisjes vendore. Ky është edhe përfundimi i arritur pas analizës së perceptimeve dhe opinioneve të shprehura nga qytetaret, të cilët, në kuadër të një projekti që mbeshtetet nga LëvizAlbania  dhe Agjensia Zvicerane për Zhvillim, u pyetën se sa dhe se si e ndjenin veten të përfaqësuar në Këshillin Bashkiak. Në përgjigje të kësaj pyetje në rreth 74.4 përqind e qytetarëve që banonin në zonën rurale ose suburbane dhe rreth 46.3 përqind e qytetarëve të intervistuar, që banonin në qytet, u shprehen se nuk e ndjenin veten të përfaqësuar në këtë këshill.

Mbështetur në mendimet dhe propozimet e administruara nëpërmjet procesit të konsultimit publik, Aleanca qytetare e drejtuar nga INSIZ, hartoi disa draft-propozime për ndryshimet që mund të bëhen në Kodin Zgjedhor, ndryshime, të cilat kanë të përbashkët, ndërtimin e një legjislacioni i cili të bëjë,  në mënyrën më të mirë të mundëshme, përfaqësimin cilësor të qytetarëve në organet që zgjidhen për vetëqeverisjen vendore. Në të gjithë draftet e hartuar është përfshirë kërkesa e qytetarëve që t`ju jepet e drejta për të votuar, me votë parapëlqyese, për antarët e Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, në të gjitha rastet dhe nga të gjithë mbështetësit e këtij ndryshimi në sistemin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave Bashkiak është theksuar domosdoshmëria për hartimin e rregullave dhe procedurave ligjore, të cilat të bëjnë realisht të mundshme dhe efektive votimin me listë të hapur.

Mbështetur në këto kërkesa të qytetarëve, tashmë është përzgjedhur drafti për ndryshimet që mund të bëhen në legjislacion, i cili është formuluar në trajtën e një projektligji. Në këtë projektligj parashikohet që, në Kodin Zgjedhor të Republikës të përfshihen dispozita, të cilat do të bëjnë të mundur dhe efektiv votimin e këshilltareve bashkiak me lista të hapura. Sipas këtij projektligji, ndarja e mandateve për këshilltarët, që do të fitojnë një subjekt midis kandidatëve të rregjistruar në listën shumëemërore të tij, do të bëhet vetëm pas rirenditjes së kandidatëve të kësaj liste, mbështetur në numrin e votave parapëlqyese, që fiton çdo kandidat. Në këtë mënyrë arrihet që të materializohet plotësisht vullneti i zgjedhësve, i shprehur nëpërmjet votës parapëlqyese. Kjo është një zgjidhje e cila, në krahasim me mënyrën aktuale se si zgjidhen anëtarët e Këshillit bashkiak, e rrit ndjeshëm mundësinë për qytetarët, për të zgjedhur ata vetë se cilin kandidat duan t`i përfaqësojë në këtë këshill. Mbështetur në të drejtën që parashikohet në Kushtetutë, sipas të cilës 20.000 zgjedhës kanë të drejtën ligjvënëse për të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë një projekt ligj, Aleanca qytetare, ka filluar procesin për realizimin e kësaj nisme.  Mbështetur në kërkesën e saj, KQZ ka miratur Fletën tip për grumbullimin e firmave mbështetëse nga qytetarët që kanë të drejtën për të votuar. Procesi i grumbullimit të këtyre firmave është duke u shtrirë gradualisht në të gjithë vendin.  Ky proces është organizuar dhe po zhvillohet jo vetëm si një thirrje formale për qytetarët për të firmosur në Fletën tip. Ai është konceptuar dhe po zhvillohet si një proces nxitës, informues dhe kulturë formues, i cili po realizohet si një proces që mbështet zhvillimin e kapaciteteve, tek komunitetet qytetare, për pjesëmarrje në proceset demokratike. Në këtë proces janë përfshirë të rinj, studentë, gra e vajza, pjestarë të komuniteteve të margjinalizuara dhe pakicave kombëtare si janë pakicat rome e egjyptiane. Pjesë e tij janë bërë punonjës dhe të zgjedhur vendorë, mediat audiovizive lokale dhe me shtrirje kombëtare.

Nisma synon që të arrijë objektivin kohor të parashikuar, dërgimin e projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë pa u mbyllur sesioni aktual i punimeve të tij. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se arritja e kësaj objektive nuk do të thotë edhe përfundim i përpjekjeve për të bërë në Kodin zgjedhor ndryshimet që projektligji parashikon. Duke patur parasysh procedurat parlamentare, projekt ligji do të jetë objekt shqyrtimi, analize dhe vendimmarrje e Komisionit të reformës zgjedhore. Si parashikohet edhe në ligjin për nismat ligjvënëse qytetarë në të gjithë këtë proces ne do te jemi prezent, duke patur vëmendje të shtuar për miratimin e propozimit tonë, pa i bërë ndryshime që mund të cënojnë thelbin e tij. E theksojmë këtë sepse, praktikat e derisotme ligjbërëse kanë treguar se edhe në rast kur ata bëhen në përgjigje të kërkesës së qytetarëve, jo rrallë zgjidhjet që gjen dhe vendos klasa politike, jo gjithmonë konvergojnë me kërkesat dhe mënyrën se si i artikulojnë qytetarët.

Realizimi i nismës ligjvënëse qytetare për votimin më lista të hapur për antarët e këshillit bashkiak është një kontribut domethënës i qytetarëve. Ajo do të ketë si efekt të saj krijimin e kushteve shumë më të mira për funksionimin e demokracisë perfaqësuese. Ky është një ndryshim qe e kërkon edhe stadi aktual i zhvillimit te demokracisë përfaqësuese në nivelin vendor.