Prof. Dr. Kristaq Kume: Demokracia funksionale kërkon reformë legjislative

595
Sigal

Demokracia funksionale kërkon reformë të thellë legjislative

Prof.Dr. Kristaq Kume

Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

Për krizën aktuale jo rrallë artikulohet vlerësimi i saj si një krizën politike që në thelbin e vet dhe si faktor nxitës ka sjelljen dhe luftën për pushtet të partive politike. Kriza konsiderohet se është e ngjizur në veçanti nga probleme që kanë shoqëruar zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes lokale, ndër të cilët veçohen fenomenet e shitblerjes së votës, përdorimit të parave “të pista”, interferimit në këto procese zgjedhore të botës së krimit, përdorimi abuziv i resurseve publike, etj… Efektet e këtyre fenomeneve, sipas partive të opozitës kanë deligjitimuar rezultatet e proceseve zgjedhore. Shtuar këtij vlerësimi edhe sjelljen e mazhorancës që, për partitë e opozitës i kishte mbyllur plotësisht rrugët dhe mundësitë që ato të realizonin rolin e tyre në Kuvend, PD e LSI morën vendimin për të “djegur” mandatet e deputetit, për të dal jashtë Kuvendit. Ky veprimin dhe këmbëngulja e opozitës për të mos u bërë pjesë e asnjë procesi sa kohë që vendi qeveriset nga Kryeministri Rama, janë, në fakt edhe shfaqet e krizës. Shpesh ato konsiderohen se janë edhe vet kriza. Kjo ka bërë që, gjatë të gjithë kësaj periudhe, të fitojë përherë e më shumë terren opinion sipas të cilit, zgjidhja e krizës mund të arrihet në se Rama pranon të heq dorë nga detyra e kryeministrit. Pas kësaj, një marrëveshje ndërpartiake deklarohet se do të jetë e mundur për t`u arritur, kriza arrin të zgjidhet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje. Vlerësimi i mësipërm për krizën në rastin më të mirë mund të konsiderohet dhe të pranohet vetëm si një vlerësim i pjesshëm, si një vlerësim që mbështetet në shfaqen e fenomeneve, në atë çfarë duket dhe çfarë perceptohet lehtësisht. Ndërkohë është shumë e rëndësishme të pranohet se çfarë perceptohet si efekte aktuale të kësaj krize, janë vetëm maja e ajsbergut. Kriza është shumë më thellë dhe shumë më komplekse se sa duket. Faktorët që e gjenerojnë dhe e mbajnë gjallë këtë krizë janë më tepër se sa ata që artikulohen. Kjo është krizë e demokracisë. Shkak kryesor i saj por edhe faktori që e ushqen më shumë se çdo tjetër atë është keqfunksionimin i demokracisë në të gjithë dimensionet e saj. Ndaj dhe për përballimin e kësaj krize nuk mjaftojnë dhe as që nuk mund të jenë efektive zgjidhjet që nuk e trajtojnë atë si një krizë të tillë. Çdo tjetër zgjidhje vetëm sa do te krijojë “qetësinë” relative, duke e mbajtur te mbuluar, si hiri prushin, tharmin për kriza të tjera që mund të riciklohen. Në vlerësimin se kriza aktuale është krizë e mungesës së demokracisë funksionale, mund të arrihet edhe pa qenë e domosdoshme të realizohen analiza të thella, komplekse e shkencore, të fenomeneve politike, sociale, ekonomike dhe të sjelljes të institucioneve publike, partive politike, institucioneve përfaqësuese, shoqërisë civile etj.. Një analizë jo shumë e detajuar e sjelljes dhe mënyrës se si është punuar për realizimin e demokracisë funksionale në vendin tonë, e shtrirë në kohë, duke filluar me miratimin me referendum të Kushtetutës në Nëntor 1998, mjafton për të kuptuar thelbin e krizës aktuale. Në Kushtetutën tonë, në parimet themelore të saj, përcaktohet se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Këtë sovranitet populli e ushtron nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Ky parim kushtetues është baza mbi të cilën mbështetet dhe është themeli legjislativ mbi të cilin ndërtohet tërësia legjislative për realizimin e demokracisë përfaqësuese dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Të dy këto forma dhe mënyra ushtrimi të demokracisë, duke qenë përherë plotësuese të njëra tjetrës, në një shoqëri demokratike përbëjnë tërësinë e parimeve dhe rregullave sipas të cilëve shoqëria duhet të qeveriset. Ndërkohe, si theksohet edhe në Kushtetutë, për ta bërë realisht të mundshme këtë qeverisje, në bazën e saj duhet të qëndrojë përherë sistemi i zgjedhjeve të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike. Çdo shmangie, anashkalim ose moszbatim i këtij rregulli parësor ka si rezultat mosfunksionimin e demokracisë, e cila nga ana e saj është edhe burimi kryesor i krizave me të cilat mund të përballet një shoqëri demokratike.

Në përpjekjet për pushtet, partitë politike, në veçanti PS e PD, pjesë të veprimit të tyre politik kanë bërë jo rrallë ndërhyrjet dhe ndryshimet në legjislacion, duke anashkaluar edhe parimet themelore të Kushtetutës. Ndër to kulmojnë ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008. Ndërhyrjet dhe ndryshimet e bëra ne legjislacion, shtuar atyre edhe sjelljen dhe vullnetin e munguar për zbatimin rigoroz e tij nga partitë politike, nga institucionet qeverisëse qendrore e vendore edhe pamjaftueshmërinë dhe zbehtësia e reagimit qytetar, kanë sjell si pasojë të tyre përballjen e shoqërisë tonë me një demokraci jo funksionale. Ndër faktorët kryesorë, me efekt te ndjeshëm negativ në funksionimin e demokracisë në vendin tonë, është sistemi zgjedhor sipas të cilit zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme politike. Sistemi zgjedhor proporcional rajonal i përcaktuar në Kushtetutë dhe mënyra se si ai zbatohet, rregullat dhe procedurat që përbëjnë Kodin zgjedhor, janë ndër faktorët kryesorë për mos funksionimin real dhe cilësor të demokracisë përfaqësuese në vendin tonë. Pa qenë nevoja për të bërë një analizë të thelluar për shpjegimin e arsyeve pse ky legjislacion ka një efekt të tillë mbi demokracinë përfaqësuese, në mbështetje të kësaj konsiderate mjafton vetëm evidentimi i dy problemeve që ky legjislacion gjeneron:

  • Ndarje vendit në 12 njësi zgjedhore dhe mënyra se si është parashikuar të llogaritet numri i mandateve që fitojnë subjektet e ndryshme politike, kanë si pasojë të tyre pabarazinë në fuqinë që merr vota për t`u transformuar në mandate deputeti dhe pamundësinë e përfaqësimit në Kuvend të partive të vogla politike, pesha elektorale e të cilave në rang vendi nuk është për t`u neglizhuar.
  • Gara zgjedhore me lista kandidatesh dhe votimi me lista të mbyllura nuk i jep mundësi zgjedhësit të delegojë vullnetin e tij për t`u përfaqësuar në Kuvend nga kandidati që ai dëshiron. Në të shumtën e rasteve dhe në përqindjen mbizotëruese, mandatin e deputetit e marrin ata që përzgjedh kryetari i partisë.

Këto dy probleme të mëdha që prodhon legjislacion zgjedhor aktual kanë sjell pasoja negative jo vetëm në rezultatin e zgjedhjeve. Ato kanë krijuar shtratin e përshtatshëm për të kultivuar tek drejtuesit e partive sjellje që janë karakteristike të drejtuesve autokratik. Në veçanti efekti i tyre është i ndjeshëm dhe akoma më shumë problematik për shoqërinë demokratike, në rastin e drejtuesve të mazhorancës qeverisëse. Akoma më shumë ky efekt krijon probleme për demokracinë funksionale kur mazhorancat janë një partiake dhe kanë fuqinë vendimmarrëse të vetme. Dhe, nëse kësaj situate i shtohet edhe një sjellje jo e mirëorientuar dhe me mungesa në vizionin për veprimin dhe objektivat afatgjatë të opozitës, vendi dhe shoqëria janë realisht të ekspozuar përpara krizës politike, institucionale, sociale e ekonomike. Ky është edhe rasti i krizës me të cilën është përballuar vendi dhe shoqëria e jonë aktualisht. Ndaj për të kaluar këtë krizë nuk mjafton vetëm një marrëveshje partiake që targeton vetëm probleme të kohës se kur mund të zhvillohen zgjedhjet.

Që demokracia përfaqësuese të funksionojë realisht është e domosdoshme që zgjedhjet të paraprihen nga një reforme zgjedhore, e cila nuk duhet të kufizohet vetëm në plotësimin e rekomandimeve të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtar të OSBE/ODIHR.

Është domosdoshmërish e nevojshme që objekt i kësaj reforme të jetë edhe trajtimi dhe zgjidhja e problemeve që gjeneron legjislacioni i sotëm zgjedhore për funksionimin e demokracisë përfaqësuese. Kriza aktuale përveç se është shfaqe domethënëse e keq funksionimit të demokracisë përfaqësuese, është në të njëjtën kohë edhe evidentuese e problemeve të funksionimit të institucioneve, probleme që gjenerohen dhe që i mundëson legjislacioni aktual.

Kështu, megjithëse sistemi dhe Kodi zgjedhor i kërkojnë zgjedhësit të votojë për subjektin politik, deputeti që e merr mandatin nga votat e dhëna për subjektin përkatës, mund të deklarohet se largohet nga ky subjekt. Deputeti mund të deklarohet i pavarur dhe, pas një periudhe kohe, mund edhe të rreshtohet krah një subjekti tjetër politik. Për rrjedhojë, parimi i përfaqësimit që qëndron në themel të sovranitetit të popullit në shoqërinë demokratike, anashkalohet ndjeshëm. Legjislacioni aktual nuk e ka parashikuar se si duhet te zgjidhet situata si kjo që është shkaktuar nga dorëzimi i mandateve prej deputeteve te PD e LSI. Për pasojë njësi zgjedhore të caktuara mund të rezultojnë të mos jenë të përfaqësuara plotësisht në Kuvendin e Shqipërisë si është p.sh. aktualisht njësia zgjedhore-qarku Kukës. Kushtetuta, pas ndryshimeve të bëra në prill 2008, e forcoi në mënyrë të ndjeshme pozitën e kryeministrit. Këto ndryshime kanë krijuar një mjedis mbështetës për kultivimin dhe realizimin e sjelljeve autokratike të këtij institucioni. Efektet e një sjellje të tillë shfaqen direkt dhe kanë pasojë të ndjeshme në funksionimin problematik të demokracisë. Këto probleme, shtuar edhe efektet negative që sollën ndryshimet kushtetuese për institucionin e presidentit, kërkojnë kryerjen e një reforme kushtetuese.

Objektivat i kësaj reforme

Objektivat e kësaj reforme duhet të jenë rregullimet e nevojshme legjislative që do ta bëjnë funksionale demokracinë përfaqësuese dhe do të vendosin në shinat e shtetit ligjor institucionet përfaqësuese.

Mos funksionimi i demokracisë së drejtpërdrejtë është një tjetër faktor që kanë ndikuar negativisht në zhvillim demokratik të shoqërisë sonë dhe në mos realizimin e pritshmërive që dëshirojmë. Arsyet dhe faktorët që kanë ndikuar në këtë mos funksionim nuk janë pak. Ndër ta bëjnë pjesë faktorë politikë, socialë, ekonomikë, të traditës, kulturës, sjelljes etj. Krahas tyre, legjislacioni është një tjetër faktor shumë i rëndësishëm.

  1. Analiza e këtij legjislacioni dhe përvojat e derisotme në zbatimin e tij kanë treguar se ai nuk është aspak “miqësor” me iniciativat e qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrje.
  2. Asnjë referendum i përgjithshëm popullor ose referendum lokal nuk është realizuar deri sot.
  3. Deri sot nuk ka iniciativa qytetare për ligjbërje ose për vendimmarrjen për çështje të qeverisjes lokale.
  4. Legjislacion efektiv mbështetës për nxitjen dhe realizimin e tyre nuk ka.

Është koha që ky boshllëk legjislativ të mbushet!

Ndryshe mundësitë e qytetarëve për të reaguar do të vazhdojnë të mbeten në kufirin e pamundësisë. Demokracia, nuk ka sa si të jetë demokraci funksionale. Partitë politike janë ndër institucionet e rëndësishme përgjegjëse për realizimin e demokracisë funksionale në shoqërinë tonë.  Ndërkohë, në se i referohemi sjelljes së tyre dhe efekteve që ato kanë në funksionimin e demokracisë, mund të pohohet se rezultati jo vetëm që nuk është i dëshiruar por, në jo pak raste ai është negativ. Një situatë e tillë, veç të tjerave është edhe rrjedhojë e mënyrës se si trajtohen në legjislacionin tonë problemet e organizimit, funksionimit dhe kontrollit të aktiviteteve të partive politike. Është koha që ky legjislacion të rikonsiderohet. Praktikat e derisotme në zbatimin e legjislacionit aktual kanë treguar se, pjesë e problemeve me të cilat përballet shoqëria jonë janë pasojë e mbivendosjes dhe intereferimit të partive politike në punën e institucioneve shtetërore. Është koha për të hartuar një kuadër ligjor për partitë politike i cili të kushtëzojë, në masën më të madhe të mundshme, funksionimin e tyre si institucione demokratike, sa më pak të ndikuara në vendimmarrje nga vullneti i lidershipit dhe sa më shumë të distancuara dhe të imunizuara nga efekti i veprimeve të grupeve me interesa të caktuara ekonomike. Realizimi i një reforme të thellë legjislative, me objektiv krijimin e kushteve për funksionimin normal te demokracisë është nevojë e kohës. Më shumë se çdo argument tjetër për këtë nevojë shërben kriza aktuale. Realizimi i kësaj reforme , në radhë të parë kërkon që ajo të pranohet si e domosdoshme për t`u bërë prej të gjithëve, partive politike, shoqërisë civile e institucioneve qeverisëse e vendimmarrëse. Pas kësaj, realizimi i saj si një proces gjithëpërfshirës është e vetmja mundësi për të arritur suksesin e synuar.