PD-PS shkelin ligjin për zgjedhjen e KQZ-së së re. Bëhen pazare në prapaskenë

503
Sigal

Është skaduar afati i depozitimit të kandidatëve për Kryetarin e ri dhe anëtarët e KQZ-së.

Në 13 shtator 2012 ishte afati i fundit, ku PD dhe PS duhet të dorëzonin në Kuvend kandidaturat për Kryetarin e KQZ-së, ose edhe kandidatura të pavarura. Gjithashtu, në 16 shtator ishte afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për anëtarët e KQZ-së. Sipas ligjit, 30 ditë pas dekretit të Ligjit për Sistemin Zgjedhor, duhet të dorëzohen në Kuvend listat për Kryetarin e ri dhe anëtarët e rinj të KQZ-së. Presidenti i Shqipërisë, zoti Nishani më 15 gusht ka dekretuar ligjin “Për Sistemin Zgjedhor” dhe partitë politike PD-PS, por edhe partitë e tjera parlamentare, e kanë të detyrueshme nga ligji, që të depozitojnë, deri në 15 shtator listat e tyre për KQZ-në e re. E megjithatë, deri sot, as nga PD-ja dhe as nga PS-ja akoma nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë, as për Kryetarin e KQZ-së dhe as kandidaturat për anëtarë të KQZ-së. Sipas procedurës, për çdo anëtar të KQZ-së, palët politike, PD-PD duhet të depozitojnë nga 2 kandidatura, dhe detyrimisht 2 kandidatura femra. Pastaj, këto kandidatura përcillen nga administrata e Kuvendit në Komisionin e Ligjeve, ku zhvillohen procedurat e përzgjedhjes. Sipas burimeve të mirinformuara, bëjmë me dije, se midis PD-PS ka një konsensus të heshtur, për të shtyrë afatet e dorëzimit të emrave kandidatë për anëtarë të KQZ-së dhe kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së. Mirëpo, ço shtyrje afati është shkelje e ligjit. Çdo marrëveshje në heshtje, në prapaskenë, midis PD-PS është shkelje ligji. Që ka një konsensus në heshtje midis PD-PS, kjo dëshmohet edhe nga fakti që asnjë palë politike nuk ka depozituar listat me kandidatët e saj. Madje edhe anëtarë të Komisionit të Ligjeve, deputetët Fino dhe Hysi, të pyetur nga “Telegraf”, pohuan që nuk dinë asgjë, në lidhje me këtë vonesë të depozitimit të kandidatëve për anëtarë dhe Kryetarin e KQZ-së. Kjo dëshmon se PD-PS, pavarësisht nga ngërçet politike që artificialisht ndërtuan për një periudhë të gjatë kohe, duke e mbajtur pezull reformën zgjedhore, edhe pasi e kanë miratuar, akoma bëjnë pazare në prapaskenë për të zgjedhur KQZ-në e re. Asgjë nuk është transparence, qoftë nga PD-ja, qoftë edhe nga PS-ja, e më shumë i mbetet barra e përgjegjësisë PS-së. E cila për një kohë të gjatë e kontestoi KQZ-në e deritanishme, akuzoi PD-në për përpjekje për të vonuar zgjedhjen e KQZ-së së re. Lind pyetja: Përse PD-PS, në shkelje të plotë të ligjit, shtyjnë afatet e dorëzimit të kandidatëve të KQZ-së së re? Kjo shkelje e ligjit, me shtyrjen e afatit a nuk dëmton transparencën e zgjedhjes të KQZ-së së re dhe kështu dëmton që në ndërtim, mirëbesimin politik që duhet ndaj KQZ-së? Me këto shtyrjeje të afateve, a nuk dëmtohet edhe puna përgatitore që duhet të bëjë KQZ-ja e re për fushatën e re elektorale të 2013-s? Sa e besueshme mund të jetë PS-ja, në akuzat që ngre, kur thotë se mund të vidhen votat edhe në zgjedhjet e 2013-s, kur nga ana tjetër, jep konsensusin e heshtur PD-së, që të shtyjnë afatet e dorëzimit të kandidaturave për anëtarët e Kryetarin e ri të KQZ-së? Sipas ligjit, më përpara seancave shqyrtuese, duhet detyrimisht, që të publikohen emrat e të gjithë kandidatëve, duhet të jetë transparencë edhe vetë përzgjedhja e kandidatëve në Komisionin e Ligjeve. Kjo shtyrje e afateve, i shërben pazareve në prapaskenë midis PD-PS për të rënë midis tyre në një emërues konsensual për emrat e mundshme, për anëtarë dhe Kryetarin e KQZ-së, larg asaj përzgjedhjes transparente në Komisionin e Ligjeve, që parashikohet në ligj. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Armando Subashi, anëtar edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, në prononcimin për “Telegraf”, pohon: “Me dijeninë time, shtyrja e afateve të dorëzimit të listave për Kryetarin e ri dhe anëtarët e rinj të KQZ-së, bëhet pasi PD-ja qëllimisht nuk e ka gati listën e saj. Ndërsa PD-ja e ka gati listën, por presim PD-në”.  Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjonçaj, në prononcimin për “Telegraf”, thotë: “Nuk ka marrëveshje të PS-PD për shtyrjen e afatit të dorëzimit, por, me sa duket, do të ketë konsensus në heshtje. Asnjëra palë nuk ka dorëzuar listë më kandidatët e saj për Kryetar dhe anëtar të KQZ-së. Është e vërtetë që çdo shtyrje e afatit, është shkelje ligji. Asnjë marrëveshje, apo konsensus i heshtur midis PD-PS nuk justifikohet nga ligji, por janë shkelje të ligjit”.

_________________________________________________________________________________________________

JA PROCEDURA E PËRZGJEDHJES TË KRYETARIT DHE ANËTARËVE TË KQZ-së

Dy anëtarë propozohen nga PD-ja dy nga PS-ja. Për secilin anëtar të KQZ-së.  Reciprokisht, partitë seleksionojnë nga dy emra dhe dy që mbeten, votohen në Kuvend. Pastaj, janë dy anëtarë nga dy partitë e dyta parlamentare, majtas e djathtas. Këta kërkojnë nënshkrime mbështetëse nga dy partitë e mëdha. Siç shikohet, edhe për to vendosin partitë e mëdha …për shkak votash që duhet të marrin. Jo më vonë se 30 ditë nga shpallja e këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së. Ligji është shpallur më 15 gusht me dekretin e Presidentit.

Kryetari

Lista e kandidatëve i kalon Komisionit të Ligjeve. Ky komision përzgjedh me 2/3 dy kandidatë. Nëse ky votim nuk arrihet, zgjidhen 4 kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Nga këta kandidatë, opozita seleksionon dy kandidatë dhe ja paraqesin Kuvendit për votim. Kryetar zgjidhet ai që ka marrë shumicën e votave të Kuvendit. Ky votim për Kryetarin bëhet 10 ditë, pasi të jenë emëruar anëtarët e KQZ-së.