Tiranë, grabitje me armë në një pikë bastesh sportive

669
Sigal

Një tjetër grabitje me armë ka ndodhur në kryeqytet. Tre persona të armatosur kanë sulmuar një pikë bastesh sportive duke marrë paratë që gjendeshin atje. Por gëzimi i njërit prej tyre nuk ka zgjatur shumë sepse ka rënë në duart e policisë. Seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, tha sot se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mariglen Isuf Cani, 26 vjeç, banues në Selitë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e pardjeshme rreth orës 22:50′, në rrugën “Irfan Tomini”, ku Maringlen Cani në bashkëpunim me dy persona, ka kryer vjedhjen me armë në lokalin e basteve sportive “Joy Lloto”, ku kanë marrë shumën prej 100 mijë lekë. Si rezultat i ndërhyrjes së strukturave të Policisë së Tiranës u bë e mundur kapja e shtetasit Maringlen Cani. Atij iu gjet e iu bllokua në cilësinë e provës materiale dhe një armë zjarri pistoletë “Magnum”, me mulli, si dhe 6 fishekë, të cilat i mbante pa leje.