Prof. Dr. Kastriot Islami: Largimi i shpejtë dhe ndëshkimi i Ramës shmangin “skenarin ukrainas” për shqiptarët

349
Sigal

“Shqipëria dhe Kosova mbetën përsëri “delet e zeza”,  jo vetëm të Europës, por edhe të Ballkanit. Arsyeja “kokëfortë” është se qeveria shqiptare nuk kishte dhe ende nuk ka një strategji, apo së paku një program e kalendar veprimesh se çfarë duhet të bënin institucionet publike, më konkretisht spitalet, administrata, agjensitë, institutet”.

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish kryetari i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf”, argumenton përse Shqipëria dhe Kosova mbetën “delja e zezë” në Ballkan dhe Europë, duke shtuar se ende qeveria shqiptare nuk ka strategji për të dalë nga kjo krizë e thellë. Prof. Islami pohon se Rama vetëm mashtron, ndërkohë që qeveria e tij është përgjegjëse, duke shtuar se Rama prej kohësh punon intensivisht në disa drejtime antishqiptare dhe parashtron edhe argumentet, duke përmendur thellimin e varfërisë, për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulen nga Shqipëria, bandat e vjedhjes së votave, ku demokracia është në rrezik dhe pluralizmi inekzistent, ndërkohë, që parashtron edhe skenarët për shqiptarinë në Ballkan, duke analoguar me ngjarjet në Ukrainë, ndoshta edhe më keq, nëse shqiptarët nuk e largojnë Ramën nga pushteti me votë.

-Prof.  Islami, Europa kaloi një fazë të re drejt normalitetit pas krizës sanitare, por Shqipëria e Kosova mbetën përsëri të izoluara nga Europa si para 30 -vjetësh. Si e shpjegoni këtë situatë?

– Shqipëria dhe Kosova mbetën përsëri “delet e zeza” jo vetëm të Europës, por edhe të Ballkanit. Arsyeja “kokëfortë” është se qeveria shqiptare nuk kishte dhe ende nuk ka një strategji, apo së paku një program e kalendar veprimesh se çfarë duhet të bënin institucionet publike, më konkretisht spitalet, administrata, agjensitë, institutet, por edhe sesi do të kontrollonte respektimin e masave mbrojtëse në të gjithë sektorin privat. Është i vetmi vend në botë që nuk ka një strategji për daljen nga kriza sanitare dhe për masat që duhen marrë në periudhën e lehtësimit të masave drastike për të shkuar drejt normalitetit. Prandaj vendi ndodhet në një situatë epidemiologjike të njëjtë me atë që ishte gjatë muajit të parë pas izolimit, pra në prill 2020, madje më të rëndë po t’i referohemi statistikave.

“Rama mashtron dhe vetëm mashtron.  Po përse mjekët e kanë fajin që numri i të infektuarëve është rritur në spitale, që numri i të prekurve nga virusi është rritur në të gjithë administratën publike, përfshi edhe Kryeministrinë? Përgjegjës është vetëm Rama dhe qeveria e tij”

Më konkretisht numrit të të infektuarëve, i cili është dyfishuar vetëm në tre javët e fundit. Numrit të vdekjeve që, po ashtu, është dyfishuar në tre javët e fundit. Numrit të rasteve aktive që është trefishuar në tre javët e fundit.

–  Kryeministri Rama akuzon qytetarët se nuk respektojnë masat mbrojtëse? Si është e vërteta?

– Rama mashtron dhe vetëm mashtron.  Po përse mjekët e kanë fajin që numri i të infektuarëve është rritur në spitale, që numri i të prekurëve nga virusi, është rritur në të gjithë administratën publike, përfshi edhe Kryeministrinë? Përgjegjës është vetëm Rama dhe qeveria e tij. Dhe më konkretisht, Rama duhet të zgjedhë: ose është përgjegjës se është i paaftë e i papërgjegjshëm për të ndërmarrë veprimet e duhura, që në këtë fazë, kur duhet menaxhuar edhe kriza për shkak të virusit, por edhe kriza ekonomike, ose përgjegjësia e tij është shumë më rë rëndë, duke drejtuar një projekt diabolik kundër shqiptarëve për t’i detyruar ata të largohen nga vendi, ose kombinim i tyre.

– Sa kohë do t’i duhej Shqipërisë për të dalë nga kjo gjendje?

– Nëse do të largohej Rama shpejt, vendi mund të dilte me një strategji të qartë e kalendar të saktë veprimesh nga kjo gjendje, për rreth 1 muaj. Nëse Rama nuk do të lëshojë “karriken e kryeministrit”,  me shumë gjasa do të duheshin të paktën, rreth 3 muaj, nëse bëjmë supozimin se që nga sot është kaluar  “piku”/maja e kurbës. Por në këtë rast ekziston rreziku i vazhdimit të situatës epidemiologjike të rënduar për shkak të fillimit të vjeshtës e më tej të dimrit.

“Nëse do të largohej Rama shpejt, vendi mund të dilte me një strategji të qartë e kalendar të saktë veprimesh nga kjo gjendje për rreth 1 muaj. Nëse Rama nuk do të lëshojë “karriken e kryeministrit”, ekziston rreziku i vazhdimit të situatës epidemimologjike të rënduar për shkak të fillimit të vjeshtës e më tej të dimrit”

Mundet më konkretisht të sqaroni se çfarë keni parasysh me projekt diabolik?

– Rama prej kohësh punon intensivisht në disa drejtime antishqiptare. Kjo nuk është teori konspiracioni, por fakt kokëfortë. Shkaqet mund të jenë të shumta:

Së pari: Gjatë qeverisjes 7 -vjeçare të Ramës,  të varfërit janë varfëruar edhe më shumë dhe numri i tyre është rritur ndjeshëm. Klasa e mesme e vogël dhe e brishtë që kishte nisur të formësohej është pothuajse shkatërruar, ose larguar nga vendi.  Kurse pasuria kombëtare, e ligjshme dhe e paligjshme ka vazhduar  të  përqëndrohet në pak e më pak duar oligarkësh, që drejtohen të gjithë nga Rama.

Së dyti: Shqiptarët janë kërcënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë nga Rama e qeveria e tij oligarkike, ose t’i nënshtrohen qeverisjes së tij shkatërrimtare, dhunuese, policore, grabiqtare,  ose të emigrojnë. Gjatë kësaj periudhe numri i azlikërkuesve nga Shqipëria në Europë e SHBA, ka qenë më i lartë sesa i vendeve në luftë apo në kriza pas-lufte, si Siria, Afganistani, apo se sa i vendeve më të varfëra afrikane.

Së treti:  Rama me bandën e tij hajdute të votave dhe kriminale të kërcënimit të votuesve kanë dhënë mesazhin,  se demokracia në Shqipëri, është në prag të vdekjes dhe pluralizmi është jo ekzistent, madje shkruhet kot në Kushtetutë, përdersia Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Kjo do të thotë ndryshe, se Rama është përpjekur t’i induktojë shqiptarëve pesimizmin e thellë, se vendi do të qëndrojë në staniacion nën drejtimin e tij,  se “nuk ka kush e zëvëndëson dhe nëse dikush tenton të krijojë një alternativë zëvëndësuese, ai ose e eleminon ose e komprometon”. Dhe nuk ekziston asnjë mënyrë e mjet për të bërë ndryshimin, sepse po u bë ndryshimi, asgjë nuk do të ndryshonte, meqë të gjithë janë njëlloj të këqinj e të poshtër?!

Së katërti:  Dhe kjo është më e rënda. Rama është përpjekur, me paratë e pista përmes të cilave paguan  majmërisht  lobistët dhe disa këshilltarë, të komprometojë edhe segmente të faktorit ndërkombëtar, që ose të heshtin, ose të sheqerosin raportet e errta për qeverisjen e tij. Madje, planet e tij diabolike kanë shkuar edhe më larg, sëbashku me një pjesë të lidershipit  Kosovar është përpjekur t’i vërë zjarrin rajonit dhe t’i ngulë thikën pas shpine Europës, e më konkretisht Gjermanisë, duke vënë në rrezik të jashtëzakonshëm integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë e të Kosovës.

– Prof. Islami, mos vallë është i ekzagjeruar opinioni juaj?

– Duke analizuar fjalën e ish sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Samitin e Sigurisë Globale  në Mynih të Gjermanisë, në shkurt të vitit 2014, kam deklaruar që para 6 vitesh, riskun e “skenarit ukrainas” për Shqipërinë.  Por mesa duket kjo deklaratë e imja, ka rënë në vesh të shurdhër dhe për shkak të zhurmimit  të medias  së Ramës  ka kaluar pa u vënë re. Kam bindjen e thellë se ky përfundim nuk është aspak i ekzagjeruar, sepse nuk është përfundimi im personal, por një shqetësim i madh, i ngritur nga Ministri i Jashtëm i SHBA-së në një Samit të Sigurisë Globale. John Kerry e ngriti shqetësimin e SHBA-së në atë Samit shumë të rëndësishëm që zhvillohej në momentin kur Ukraina pasi kishte kaluar përmes një “revolucioni të dytë” për t’u çliruar nga oligarkia unipolare, më e fuqishme dhe më e organizuar nga të gjithë vendet ish-komuniste, kishte pësuar një cënim të rëndë të integritetit territorial dhe një dëmtim të jashtëzakonshëm të sovranitetit të saj. Në këtë takim, John Kerry, në një paragraf special të fjalës së tij, do të përcaktonte qartas rrezikun e madh të rregjimeve oligarkike që kishin nisur të kanosnin demokracitë e reja ish komuniste. Në atë kohë Rama, sapo kishte nisur të formësonte rregjimin e tij oligarkik në Tiranë e kërcënonte se “nuk keni parë gjë akoma” dhe askush nuk e besonte se ky paragraf një ditë do të mund të prekte edhe Shqipërinë.

“Shqiptarët janë kërcënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë nga Rama e qeveria e tij oligarkike, ose t’i nënshtrohen qeverisjes së tij shkatërrimtare, dhunuese, policore, grabiqtare, ose të emigrojnë”

Madje, Rama, edhe kur unë atëhere e ngirja në Kuvend këtë shqetësim,  i relativizonte fjalimet e mia duke i dhënë medias nën kontrollin e tij, urdhërin që gjithçka thoja në kuvend të censurohej/errësohej. Vetëm pas pak vitesh,  Shqipëria do të shndërrohet në një nga rregjimet oligarkike më të thekura të Europës Lindore, me të gjithë karakteristikat e oligarkisë ukrainase. Natyrisht duke mbartur edhe të gjithë rreziqet që kishin kanosur  Ukrainën, e madje një pjesë e tyre ishin shndërruar në fatkeqësi për shumë nga ukrainasit.

– Prof. Islami, ju parashikoni se Shqipëria mund të ketë fatin e Ukrainës? Mos kjo është e ekzagjeruar, po të kemi parasysh pozicionin gjeografik të Ukrainës dhe përbërjen e saj etnike?

– Ky përfundim duket logjik kur shikon se cila është treshja që na shfaqet si drejtuese e vendit në vitin 2020.  Por le të jemi deduktivë në këtë analizë serioze. Përfundimi nuk është aspak i ekzgjeruar,  sepse “pasojat ukrainase“,  të ngritura si shqetësim edhe nga ish Sekretari Amerikan i Shtetit,  lidhen me vendosjen e rregjimit oligarkik në një vend ish-komunist, apo më saktë me zëvendësimin e demokracisë pluraliste me qeverisjen e një pakice hajdutësh, të lidhur me krimin e trafiqet, dhe që vendos nën kontroll biznesin, median, shoqërinë civile, zgjedhjet dhe më se fundmi edhe drejtësinë. Pasojat konkrete, të tilla si mënyra e cënimit të integritetit apo dëmtimi i sovranitetit, mund të ishin të ndryshme nga ato ukrainase në kuptimin strict.

“Rama është përpjekur me paratë e pista përmes të cilave paguan majmërisht lobistët dhe disa këshilltarë, të komprometojë edhe segmente të faktorit ndërkombëtar, që ose të heshtin ,ose të sheqerosin raportet e errta për qeverisjen e tij”

Por, po të kemi parasysh edhe angazhimin antieuropian të Ramës në bashkëpunim me një pjesë të lidershipit Kosovar, dhe lidhjet e tij të çuditshme me drejtues të lartë serbë për të implementuar me çdo mjet e mënyrë skenarët e rrezikshëm të ndryshimit të kufijve në Ballkan, “skenari ukrainas” do të dukej lule para asaj që mund të ndodhte me territoret e banuara aktualisht nga shqiptarët në rajon.

– A do të shikoheshin negativisht apo më urrejtje shqiptarët në rajon nëse “skenari” fatkeq i Ramës për copëtimin e Kosovës do të avanconte?

– Me shumë gjasa, ky projekt i kryeoligarkut Rama,  do të nxiste një urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve  në rajon me argumentin se projekti i Ramës, është në thelb, jo vetëm kundër shqiptarëve, por për më tepër frikson të gjithë fiqnjët, përvec serbëve që do të mund të krijonin Serbinë e Madhe, duke gjeneruar destabilitet në rajon,  por edhe duke i qenë i pakonsultuar e i pambështetur nga europianët është edhe anti-europian. Pra të gjithë vendet europiane,  jo vetëm do të ngriheshin të gjitha kundër shqiptarëve destabilizues të rajonit, për t’a penguar projektin diabolik të Ramës,  por do të fajësonin Shqipërinë e shqiptarët, si shkaktarët e kësaj gjëme të madhe që po i sillnin rajonit. Dhe në fund fare, nga plani diabolik i Ramës, po ashtu siç veproi Janukoviç në Ukrainë, do të mbeteshin vetëm cënimi territorial dhe dëmtimi i sovranitetit për territoret shqiptare, pa harruar edhe boshatisjen masive të vendit nga shqiptarët  e eventualisht  mbushjen me emigrantë që Rama për të ruajtur pushtetin e tij personal  e ka nxitur intensivisht. Si dhe krijimi i Serbisë së Madhe, por edhe për këtë do të fajësonin shqiptarët që e nxitën.

– A ka ndonjë mundësi që Shqipëria t’i shmanget këtij projekti?

– Në Shqipëri duhet larguar sa më parë Rama nga pushteti, sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ndaluar këtë “skenar” fatkeq për kombin tonë.  Madje kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, duke mos pritur  ndoshta as fundin “normal” të mandatit të këtij kuvendi të turpshëm, ose nëse zgjedhjet do të bëheshin në fund të mandatit, pra në pranverën e ardhshme, i duhen “prerë duart” Ramës, që të mos ketë asnjë mundësi të gatuajë të ardhmen e rrezikshme për Shqipërinë e shqiptarët.

– Po si mund të ndodhte kjo nëse sipas jush, në Shqipëri është instaluar “staniacioni” politik apo thënë ndryshe, siç thoni ju, ka vdekur demokraica e është varrosur pluralizmi dhe duket i pashpresë ndryshimi apo rotacioni?

– Jam shumë optimist, sidomos pas publikimit  të akuzës ndaj Thaçit nga Gjykata e Hagës. Më duket se ekziston një zgjidhje  realiste për të penguar “zhdukjen” e kombit shqiptar që nuk ka mundur  të ndodhë gjatë disa mijëvjecarëve.  Ka tre rrugë:

Së pari, “Rruga normale” e cila me angazhimin e ndërkombëtarëve dhe aktivizimin e shqiptarëve, përmes të cilëve do të përcaktoheshin “rregullat minimale të lojës” për të mundësuar rotacionin dhe monitorimin strikt nga europianët të procesit zgjedhor.  Kjo rrugë ka nisur me 15 kushtet e PE-së, me monitorimin strikt të përfundimit të Reformës së Drejtësisë, me përcaktimin e një marrëveshjeje minimale për Reformën Zgjedhore, dhe së fundmi me ngritjen e akuzës nga Gjykata e Hagës. Nëse Gjermania, si drejtuese 6-mujore e Presidencës së BE-së, nuk do të lejonte shkatërrimin e kësaj “rruge normale”, me shumë gjasa në fillimin e verës së ardhshme, apo edhe më shpejt, do të ndodhte rotacioni i pushtetit. Ky duket opsioni më probable, ndonëse Rama ka dhënë përshtypjen se kërkon ta pengojë, por në realitet, ai më shumë po negocionon garancitë për largimin apo fundin e tij sesa qëndrimin.

“Rama me bandën e tij hajdute të votave dhe kriminale të kërcënimit të votuesve kanë dhënë mesazhin se demokracia në Shqipëri, është në prag të vdekjes dhe pluralizmi është jo ekzistent, madje shkruhet kot në Kushtetutë, përdersia Gjykata Kushtetuese nuk ekziston”

Dhe nga frika e rritur shumë pazarin në këtë negocim, duke mos i treguar as  njerëzve më të afërt të kupolës se çfarë po negocion se ka frikë të madhe se mund t’i shpërbëhet i gjithë mekanizmi që duket është në prag të shkërmoqjes.

 -Po rrugët e tjera kush janë?

–  Mendoj se ka edhe edhe dy rrugë të tjera:

”Rruga e dytë e butë”, do të ndërtohej tërësisht nga europianët, veçanërisht nga gjermanët, të cilët janë shfaqur qartas kundër sjelljeve dhe veprimeve diabolike të Ramës, duke ndjerë rrezikun e hedhjes në erë të stabilitetit të rajonit nga planet famëkeqe të Ramës &Co, duke çuar drejt një fundi të tmerrshëm bartësit e kryesorë të këtij projekti… Indikacionet janë të lexueshme. Duket një rrugë e komplikuar, por jo e pamundur.

“Rruga e tretë e përballjes” së qytetarëve me qeverinë e rregjimin oligarkik të Ramës, natyrisht  me një mbështetje ndërkombëtare  të qartë e të fuqishme. Ka shumë vetë që mendojnë se shqiptarët janë të lodhur e të pashpresë dhe ka shumë pak gjasa që të ngrihen në përballje. Po ashtu siç ka edhe shumë të tjerë që mendojnë se “shqiptarëve ju ka vajtur thika në palcë” dhe nuk durojnë më dhe janë gati të përballen, se nuk kanë ku të shkojnë dhe s’kanë më asgjë për të humbur.  Edhe ky opsion ndonëse ka pak gjasa të ndodhë, nuk është i pamundur.

Së fundmi, mund të ketë edhe një kombinim të këtyre dy apo tre rrugëve.

– Pra në këtë mënyrë ju mendoni se ekziston një rrugë për shmangur “skenarin ukrainas” për Shqipërinë, pavarësisht se në vend është instaluar sipas jush, rregjimi oligarkik?

– Sigurisht. Ekziston një rrugë plotë vështirësi e pengesa, por jo e pamundur.  Aspekti kohor apo thënë me fjalë të të thjeshta, shpejtësia e veprimeve është shumë e rëndësishme.

“Po të kemi parasysh edhe angazhimin antieuropian të Ramës në bashkëpunim me një pjesë të lidershipit Kosovar, dhe lidhjet e tij të çuditshme me drejtues të lartë serbë për të implementuar me çdo mjet e mënyrë skenarët e rrezikshëm të ndryshimit të kufijve në Ballkan, “skenari ukrainas” do të dukej lule para asaj që mund të ndodhte me territoret e banuara aktualisht nga shqiptarët në rajon”

Avantazhi i madh është se europianët, për interesat e tyre, janë kundër projektit të Ramës dhe  duken shumë të vendosur për të penguar një mandat të tretë të tij. Indikacionet janë dhënë, më i forti është ai i dhënë nga Gjykata e Hagës,  që me shumë gjasa në ditët e javët në vijim do të ndiqet me veprime/indikacione të ngjashme e po aq të forta edhe ndaj qeverisjes oligarkike të Tiranës.