Prof. Dr. Kastriot Islami: Amendimi pa konsensus i Kushtetutës – Grusht Shteti

358

“Rrotacioni”do të ndodhë pa asnjë dyshim, për rrjedhojë nuk do të ketë mandat të tretë për Ramën e “Rilindjen”. Vetëm rruga dhe qasja mbeten të diskutueshme, sepse objektivi, masat që do ndërmerren  dhe rezultati, janë të qarta  

Sigal

Reagimi i fuqishëm, alternativë për të shmangur anarkinë

Rama po përpiqet që t’i shpëtojë ndëshkimit me çdo mjet e mënyrë. Dhe në varësi të rrethanave ndërkombëtare, ai po tenton:  i) ose t’i shpëtojë ndëshkimit duke kapur postin e Presidentit, ii) ose të jetë faktor politik i rëndësishëm dhe duke blerë disa “fake deputetë” të mund të ruajë statu quo-në.

Ky synim shpjegon të gjithë manovrat e tij “agresive” për të amenduar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, dhe më konkretisht me hapjen e pjesshme të listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Të gjitha këto veprime duke anashkaluar Këshillin Politik, i cili u ngrit si mekanizëm politik konsensual me mbështetjen e SHBA-së e BE-së.

Kjo shpjegon përse Rama duket se është futur në konflikt të hapur me faktorin ndërkombëtar. Duke u përpjekur të lëvizë në hapësirat mes interesave të tyre të ndryshme, apo të indiferencës së tyre për një vend të vogël si Shqipëria.

Ai duket aktualisht i vendosur për t’i shkuar deri në fund marrëzive të tij, dhe më tej, pas nëntorit 2020,  për të marrë, sipas rrethanave:

  1. ose kthesën për të dhënë përshtypjen se po kthehet në normalitet e të nxjerrë përfitime minimale,
  2. ii) ose për të vazhduar “lojën e fortë” deri në fund, duke menduar se rrethanat do t’i mundësonin përfitime të kënaqshme.

E gjithë kjo përpjekje po kryhet  me asistencën e këshilltarëve ndërkombëtarë e lobistëve të paguar majmërisht dhe/ose duke tentuar të komprometojë zyrtarë ndërkombëtarë që me heshtjen e tyre apo deklarata ambigy do të krijonin perceptimin se Ramën nuk e sulmojnë të gjithë ndërkombëtarët, ndërkohë që vende të rëndësishme europiane, e kanë shënjestruar negativisht; në këtë rast marrëzitë mund ta çonin drejt një fundi të tmerrshëm.

Këshilli Politik u ngrit si një mekanizëm, i ngjashëm me Komisionet e Reformës Zgjedhore, që ishin krijuar gjatë 20 vjetëve deri në vitin 2009, aq më tepër që parlamenti aktual është më ilegjitimi nga viti 1991 deri aktualisht.

Këshilli Politik u pranua nga Rama, pavarësisht se më vonë ai është bërë pishman, sepse opozita hoqi dorë nga dy kërkesat e saj “ultimative”:

  1. për të shkuar në zgjedhje pa Ramën kryeministër;
  2. ii) apo për të realizuar zgjedhjet me një “qeveri tranzitore”, siç kishte ndodhur në MV.

Këshilli Politik u pranua nga PD-ja vetëm pas një “presioni ndërkombëtar” që duket e ka garantuar atë se:

  1. reforma zgjedhore do të kryhej me konsensusin e plotë të opozitës së drejtuar nga PD, dhe me tej parlamenti do të kryente vetëm “aktin formal” të miratimit;
  2. ii) se zgjedhjet do të njiheshin nga OSBE/ODHIR-I, nëse do të ishin realisht të lira e të ndershme dhe nuk do të kishte kontestime nga opozita.

“E gjitha kjo, do të ishte jo vetëm një goditje shumë e rëndë për Kushtetueshmërinë, por edhe një “grusht i pastër shteti”, për të penguar opozitën të realizojë “rrotacionin”, apo të rrudhë dimensionin e suksesit të saj”

Këshilli Politik, mund të thuhet se u krijua:

  • Me përbërjen e të gjithë aktorëve/faktorëve politikë, brenda e jashtë parlamentit, për të kryer përmes një marrëveshjeje, Reformën Zgjedhore që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme;
  • Që do të funksiononte si një mekanizëm gjithëpërfshirës, duke marrë në shqyrtim kërkesat e propozimet e të gjithë palëve dhe marrë vendime vetëm me konsensus;
  • Që do të mbështetej “teknikisht” nga eksepertët më të mirë vendas si dhe nga ekspertiza e OSBE/ODHIR-it, dhe eventualisht mund të kërkohej asistenca e Komisionit të Venecias.

Vendimet konsensuale të Këshillit Politik me përmbylljen e Marrëveshjes së 5 qershorit 2020, morën “përgëzimet” e të gjithë faktorit ndërkombëtar, përfshi deklaratat e Sekretarit të DASH, Komisionerit të Zgjerimit të Komisionit Europian dhe drejtuesve të lartë të Parlamentit Europian. Këto së bashku me deklarimin e ambasadores amerikane në Tiranë, për “rrotacionin” politik e friksuan/tmerruan në ekstrem Ramën, duke shkaktuar në mendjen e tij një alarm për veprimet që duhet të ndërmerrte pa humbur kohë, për të siguruar “mosndëshkimin”.

Pikërisht këtu fillon edhe sjellja e tij, që është e pazakontë dhe kaotike. Ai duke hedhur në tavolinë idenë e amendimeve të njëanshme kushtetuese, tenton të krijojë perceptimin se është i “marrë” për t’i shkuar gjërave deri në fund, dhe askush brenda e jashtë vendit nuk e pengon në vendimarrjet e tij, natyrisht e gjitha kjo, e shoqëruar me një retorikë mashtrimesh e gënjeshtrash të rëndomta dhe kërcënimesh bajate e familjare, për të gjithë ata që e njohin mirë.

Rama insiston në realitet me propozimet e tij që në parlamentin e ardhshëm

  • të vazhdojë të përfshijë shumë nga individët e klientelës së tij servile dhe që janë treguar agresivë për mbrojtjen e bëmave të tij; kukullat, maneniket,  ai ka programuar t’i fusë në parlament përmes 1/3 së listës së mbyllur;
  • të vazhdojë të përfshijë në ekipin e tij, e madje të motivojë oligarkët, të korruptuarit, kriminelët, trafikantët; duke menduar se 2/3 e listave të hapura do të jenë incentivët adekuatë për ta;
  • të eleminojë partitë e vogla, kryesisht ato opozitare; gjë që ka programuar ta realizojë përmes moslejimit të koalicioneve të përbëra; kështu ai mendon se më shumë se gjysma e të gjithë votave të partive të vogla, (baraz me disa mandate kuvendore) që do të eleminoheshin do të “arkëtoheshin” për PS-në, duke ulur kështu suksesin e opozitës së bashkuar.
  • të pengonte opozitën e bashkuar të konkuronte në formën e një koalicioni të përbërë, gjë të cilën ja kanë këshilluar ta kryejë përmes ndalimit të koalicioneve të përbëra;
  • të motivojë përfshirjen në fushatën elektorale dhe eventualisht edhe në parlament, të disa “sharlatanëve” zullumqarë, të gatshëm të shërbejnë në formën e një “fake opozite”, gjë që ka programuar ta realizojë përmes listave të hapura, (për individët që konkurojnë, mjafton 1/3 e listave të hapura ose thënë ndryshe zgjidhja që ofron Rama funsionon si “lista 100 përqind të hapura për këta individë”), plus para të pista, apo leje ndërtimi, si dhe mundësi për të dalë disproporcionalisht në medien e tij.

E gjitha kjo, do të ishte jo vetëm një goditje shumë e rëndë për Kushtetueshmërinë, por edhe një “grusht i pastër shteti”, për të penguar opozitën të realizojë “rrotacionin”, apo të rrudhë dimensionin e suksesit të saj. Por pa mundur ta realizojë një gjë të tillë sepse edhe për këtë rast ekstrem, duket se opozita i ka marrë të gjithë masat.

Ndërkohë opozita e qytetarët, të revoltuar në ekstrem e gati në shpërthim nga gjendja e padurueshme e krijuar prej tij dhe qeverisë së tij,  janë përgatitur plotësisht ose për të ndalur përmes reagimit qytetar këto marrëzi, ose për t’a shporrur Ramën, me të gjitha mjetet demokratike, pavarësisht pasojave apo marrëzive që mund të shkaktojë reagimi i tij.

Përfundimisht, mund të thuhet se “rrotacioni” do të ndodhë pa asnjë dyshim, për rrjedhojë nuk do të ketë mandat të tretë për Ramën e “Rilindjen”. Vetëm rruga dhe qasja mbeten të diskutueshme, sepse objektivi, masat që do ndërmerren  dhe rezultati, janë të qarta.