Av. Gerdjan Xhanari: Ndalimi i koalicioneve parazgjedhore në Kushtetutë, është Diktaturë

687

“Kjo “tufë përfaqësuesish të denjë” të popullit  në atë parlament-teatër, lëvizin të komanduar nga Lideri Suprem  i një fushate kundër Kushtetutës, bazave të së Drejtës dhe të funksionimit të Shtetit”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Eksperti ligjor, Av. Gerdjan Xhanari, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore në Kushtetutë, është hapi  i parë i instalimit të diktatutës. Zoti Xhanari thotë se kjo mazhorancë dhe ky parlament-teatër i sotëm kanë ndërmarrë një fushatë kundër Kushtetutës, bazave të se Drejtës dhe funksionimit të Shtetit. Zoti, Xhanari, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Rama në seancën e fundit parlamentare, se do të përgatitet një ligj organik, për t’i hequr Presidentit të Republikës kompetencat e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pohon, se edhe këtë projektligj të qeverisë, nëse e sjell në parlament, do ta gjykojë Komisioni i Venecias, sikurse ka ndodhur edhe me shumë ligje të tjera, të kësaj mazhorance, të cilat “Venecia” ia rrëzoi.

Zoti Xhanari, çfarë domethënie politike dhe juridike ka votimi i djeshëm i Parlamentit për mosshkarkimin e Presidentit të Republikës?

– Në votimin e seancës parlamentare të së hënën së shkuar, në dukje është bërë një veprim procedurial-juridik i Teatër-Parlamentit aktual, pas një raporti të një Komisioni të ngritur vetëm mbi baza “kërcënimi dhe tentativë nënshtrimi”, ndaj Institucionit të Presidentit. Kjo tentativë,  përfundoi në koshin e vlerësimit juridik të Komisionit të Venecias. Pra, domethënia juridike, është mëse e qartë.

Ndërsa politikisht dhe moralisht, e gjitha është një palaçollëk teatral, sepse “votuan , PRO, ata” që me ngulm e ngritën këtë Komision ndëshkues. Ky ishte një demostrim i qartë, se kjo “tufë përfaqësuesish të denjë” të popullit, lëvizin të komanduar jo nga organi qendror nervor i tyre, por nga Lideri Suprem i një fushate kundër Kushtetutës, bazave të të Drejtës dhe të funksionimit të Shtetit, i cili kafshoi “gjuhën deri në rrëzë”.

“Kjo mazhorancë ka demostruar vetëm,  veprime thellësisht korruptive, ka shkatërruar tërësisht sistemin gjyqësor, ka shkatërruar çdo bazë ligjore dhe kushtetuese të shtetit”

– A ka rënë tashmë politikisht 30 Qershori i 2019?

Juridikisht, 30 qershori 2019, ka rënë që me zhdekretimin e tij nga ana  e Presidentit Meta, dhe tashmë me vulë indirekte, certifikimi edhe nga Komisioni i Venecias. Ndërsa politikisht dhe moralisht, për popullin, për miqtë tanë ndërkombëtarë, dhe për klasën politike të përgjegjshme në Shqipëri, ka rënë që në 1 korrik 2019.

Të vetmit që janë kapur fort pas 30 qershorit njëlloj “si plaku Mere, pas gjyleve të topeve”, janë “buratinët e Teatër-Parlamenti aktual, “kllounët” aktualisht, në krye të Bashkive, dhe Piktori i vetëm i kësaj   “tablloje”, me pasoja të rënda për Shqipërinë.

“Të vetmit që janë kapur fort pas 30 qershorit 2019, njëlloj “si plaku Mere, pas gjyleve të topeve”, janë “buratinët e Teatër-Parlamenti aktual, “kllounët” aktualisht, në krye të Bashkive, dhe Piktori i vetëm i kësaj   “tabloje”, me pasoja të rënda për Shqipërinë”

A është detyrim politik, moral, që edhe mazhoranca tashmë të pranojë ripërsëritjen e zgjedhjeve vendore, për të patur një përfaqësim pluralist politik edhe në pushtetin vendor?

Është një mazhorancë për të cilën vetëm për moral dhe dinjitet nuk mund të flitet. Është një mazhorancë, e cila deri më sot ka demostruar vetëm veprime thellësisht korruptive, që tashmë ka shkatërruar tërësisht sistemin gjyqësor, që i kanë vënë minat parametrave ekonomikë të këtij vendi, që ka shkatërruar çdo bazë ligjore dhe kushtetuese të shtetit, që vendimet i merr sipas projekteve që dalin nga shkarravinat e Liderit në formate A4, dhe që vetëm harxhon kohën për të mbytur çdo zë kundër, apo çdo votë të lirë.  Kështu që, askush nuk mund të këtë iluzionin dhe të mos presë asgjë morale  nga kjo mazhorancë, por të japë kontributin e tij, për ta “shporrur” sa më shpejt nga drejtimi – vendit.

Kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit të hënën nga foltorja e Kuvendit deklaroi se përgatitet një ligj organik, (ndryshim kushtetutese) që Presidentit të Republikës t’i hiqet e drejta kushtetuese të bëjë betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Venecia” e ka shprehur opinionin se kjo kompetencë kushtetuese i përket Presidentit të Republikës. A nuk rrëzon “Venecian” kryeministri Rama? 

Absolutisht, edhe kjo tentativë e mjerë do të rrëzohet nga Komisioni i Venecias. Por kjo mazhorancë me Liderin Suprem në krye, është e njohur se di të gatuajë vetëm “çorbë autokratike”, pa e vrarë mendjen, sesa të vjella mund të shkaktojë për Shqipërinë. Ata nuk dinë të veprojnë ndryshe.  Papërgjegjshmëria e tyre, tashmë ka kaluar në çmenduri, duke shpresuar që nësër mos kalojë në pandëshkueshmëri.

– A mundet një Parlament, që nuk ka përfaqësim të gjerë të popullit, që nuk ka as numrin e deputetëve, sipas Kushtetutës, të bëjë ndryshime të tilla Kushtetuese, saqë Kushtetuta e Republikës të ndalojë me ligj koalicionet parazgjedhore? A është cenim i Demokracisë një ligj i tillë kushtetues?

Ky “Teatër-Parlament” është i aftë të bëjë çdo gjë. Trushpëlarët, që janë ulur aktualisht në atë sallë, janë thjesht disa buratinë, që komandohen nga fijet që dalin nga “Disko-Ndërtesa” e Kryeministrisë, dhe që xhepat u mbushen nga ndonjë bagazh i “Toyota Yaris”.  Ju më pyesni, a është cënim i demokracisë?  Është vendosje antikushtetuese  dhe juridike e Monoshtetit. Pra, asaj që ne e njohim si diktaturë e një partie të vetme. Do të doja t’ju sillja në vëmendje deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane, e cila përkthehet në një shprehje të vetme: “ Ajo që do vendoset, vetëm me konsensus  nga Tryeza Politike, do votohet në Parlament”. Në këtë linjë kanë qënë edhe Ambasadorët e vendeve europiane. Dhe mua nuk më duket se është vetëm këshillë e Ambasadorëve, por një Udhëzues i qartë se çfarë duhet bërë.  Dhe kësaj rradhe i drejtohen direkt Liderit Suprem, me atë që duket qartë si një lojë me “detyrim dhe përcaktim”. Është simfonia e fundit e një të çmenduri,  që po çmend një vend të tërë.

– Faleminderit!