Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Sovraniteti, legaliteti dhe legjitimiteti

448
Sigal

Viti 2020 filloi me marrëveshjen, midis pozitës dhe opozitës reale që firmosën me lirinë e plotë, më 14 janar 2020, themelimin e Këshillit Politik. Miratimi i platformës së funksionimit dhe i kompetencave të tij, në Kuvendin e Sajuar i dha marrëveshjes politike, fuqi ligjore. Filozofi surelist i së Drejtës, atë kohë, shfaqej në televizionin më informues për shqiptarët, te ERTV-ja, si politikani më modern, që bën sakrifica edhe me personalitetin e tij, vetëm e vetëm që “opozita e rrugës” ta institucionalizonte veprimtarinë e saj. Hiqej si “demokrati rrezatues”, sepse nuk e kuptoi, as ai, dhe asnjë nga politikanët e juristët e tij “të famshëm”, se miratimi i Këshillit Politik dhe i platformës së funksionimit me kompetenca ekstra, delegjitimoi dy institucione. Këshillin e Reformës  Zgjedhore dhe Kuvendin e Sajuar. Me të njëjtën megalomani politike u prit edhe Marrëveshja e 5 qershorit. Por, sapo u kuptua, se miratimi i Marrëveshjes së 5 qershorit ezauroi ndryshimet në legjislacionin zgjedhor,  dhe pushteti do i humbiste, filloi të përdorë me tepëri nocionet e sovranitetit, legalitetit dhe legjitimitetit. Kultura e mangët politike dhe ajo e jurisprudencës, nga ai dhe deputetëve juristë, e ka shfaqur filozofin surealist para opinionit dhe institucioneve të BE-së, ashtu si është në të vërtetë, si filozof  i anarkisë kushtetuese dhe institucionale. Që t’i kuptojnë shqiptarët e interesuar për zhvillimet politike demokratike dhe militantet e dëshpëruar nga “darra shtërnguese” e institucioneve perëndimore, të cilët, deri para Marrëveshjes  së 5 qershorit i kanë konsideruar ata, vetëm “aleatet e tyre”, le t’i shpjegojmë në formë leksioni, ashtu si në auditorët e studentëve të drejtësisë, se përse është kaq i alarmuar filozofi surelist nga ndërhyrja e Gjermanisë  në “punët e përbrendëshme” dhe tjerr e tjerr çdo orë në terr monologun “jemi sovran”! Filozofi surelist i së Drejtës, nuk mund ta dijë e as që e kupton, se të dy blloqet politike në Gjermani, të Social Demokratëve dhe Kristian Demokratëve, kanë pranuar, se nuk mund të ekzistojë demokracia sociale, pa realizuar lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin. Ata kanë pranuar bashkërisht, se “Liria natyrore e njeriut, qëndron në faktin që të jetë i lirë nga çdo fuqi madhore mbi tokë, të mos i nënshtrohet vullnetit apo pushtetit legjislativ, të një njeriu, por, të ngrejnë lart, vetëm ligjin themeltar të së drejtës”. Sipas tyre,” liria e njeriut në shoqëri qëndron në faktin që të mos qëndrojë nën asnjë pushtet tjetër legjislativ, veç atij që është  zbatuar me mirëkuptim  për të mirën e përgjithshme, të mos qëndrojë nën sundimin e një vullneti apo të kufizimit të një ligji, por vetëm të atij që është vendosur nga legjislativi në mënyrë kushtetuese”. Por, filozofi surelist i së Drejtës, duke qenë kundër kësaj filozofie politike, në mandatin qeverisës, prej 2017, ka eleminuar të gjitha pushtetet e shtetit të së Drejtës dhe sundon i vetëm. Prandaj flet për sovranitetin, që ta zhbëjë, si e zhbëri marrëveshjen e 14 janarit dhe artikulon me nervozizëm se ky parlament është Sovran, për të mos i pranuar detyrimet juridike të Marrëveshjes së 5 qershorit, të cilat i anulloi me marrëveshjen që ai bëri mediatikisht me personalitetet e “ferrave dhe drizave”! E turpshme, tipike Haxhi Qamiliste! Filozofi surelist në marrëveshjen me Murrizin, pranoi votimin formalisht të Marrëveshjes së 5 qershorit në Kuvendin e Sajuar, për ta rrëzuar më 30 korrik, me ndryshimet kushtetuese. Parlamenti i BE-së, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë duhet ta kuptojnë, se për aq kohë sa Haxhi Qamili ka mbështetjen e grupit të “ferrave e drizave”, ai nuk pyet për Evropën, se ata jezitë, duan të cënojnë “sovranitetin e Shqipërisë së tij”! Mesazhin ua dha Perëndimit nga foltorja e Kuvendit të Sajuar. Ne kemi legjitimitetin të ndryshojmë Kushtetutën e Shqipërisë, kur të duam, paralajmëroi  Haxhiu ynë i rilindur.  Por, filozofi surelist i së Drejtës, ngatërron dhe as e kupton, se cili është dallimi, midis legalitetit dhe legjitimitetit. Legaliteti lidhet me të drejtën objektive dhe të drejtën pozitive. Është e përcaktuar në Kushtetutë se si ndryshon Kushtetuta dhe si ndryshon e funksionon legjislacioni zgjedhor. Pra i kemi normat kushtetuese e ligjore, por, a mund të ndryshohet Kushtetuta e miratuar me Referendum, pa konsensus politik? A e ka legjitimitetin ky parlament ta ndryshojë Kushtetutën jashtë çdo procedure kushtetuese, kundër traditës e me nismën e deputetëve listarë, me inicim të nismës në Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore? Dhe pyetja fundore është: A mund të ndryshohet Kushtetuta, kur nuk funksionon Gjykata Kushtetutese? Përgjigja është, abdolutisht jo! Përse? Përgjigjen e jep interpretimi shkencor i normave kushtetuese, përderisa nuk funksionon Gjykata Kushtetutese. Në mënyrë diplomatike përgjigjen e japin edhe marrëveshjet politike të 14 janarit e 5 qershorit, të shoqëruara me detyrimet që kanë vendosur aleatët strategjikë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me 15 kushtet për integrimin institucional në BE. Por, a e keni dëgjuar sovranistin tonë? Nuk ka kushte përsërit ai pa u lodhur, duke “tundur kokën e me sytë ulur”! Pra në gjuhën Haxhi Qamiliste filozofi surelist i së Drejtës, kërcënon Perëndimin, se jam sovran dhe për të mbajtur pushtetin, ju paralajmëroj, se nuk e dua integrimin. Jo pa qëllim iu përgjigj edhe Ambasadores Kim, duke i kujtuar se “nuk do të ketë më marrëveshje në ambasada”! Sa vonë u kujtua “liberali ynë”, të jetë “sovran”! Po përse nuk e ka legjitimitetin ky parlament ta ndryshojë Kushtetutën? Sepse parlamenti nuk ka korumin legal kushtetues me 140 deputetë. Kushtetuta nuk mund të ndryshohet nga deputetët e mazhorancës relative, të PS-së, që kanë marrë mandatin e deputetit nga KQZ-ja, si përfaqësues të saj. Ajo është bërë mazhorancë absolute me mandate të deputetëve të ish partive opozitare. Nuk ka legjitimitetin ky parlament ta ndryshojë Kushtetutën, se opozita reale është larguar nga parlamenti. Deputetët listarë, që filozofi surelist i emërtoi “opozita parlamentare”, nuk i ka votuar njeri. Ata hynë në parlament, pasi nuk pranuan të merrnin mandatet 182 kandidatë të partive opozitare e përsëri nuk u plotësua numri 140, ashtu si e përcakton Kushtetuta. Filozofi surelist artikulon shpesh, se Kushtetuta nuk mund të përcaktonte se si mund të zgjidhen konfliktet me Presidentin, prandaj do bëjmë një ligj të ri. Kushtetuta jonë vërtetë nuk ka normë kushtetutese si veprohet kur nuk janë 140, por ajo i kishte përcaktuar si plotësohej parlamenti, edhe kur ishte mangut një deputet. Parlamenti nuk mund të ishte me 139 deputetë dhe presidenti kishte detyrimin kushtetues të dekretonte zgjedhjet brenda muajit në zonën ku mungonte deputeti. Pra është zakoni që na tregon, se nuk mund të jetë legjitim të ndryshojë Kushtetutën një parlament me 122 deputetë dhe aq më shumë me deputetë që pretendojnë se përfaqësojnë PD-në dhe LSI-në, kur partitë e tyre morën vendim politik që të largohen nga parlamenti. Të gjithë deputet listarë kanë mandatin e deputetit të pavarur. Ata janë pjesë e mazhorancës dhe këtë e kanë vërtetuar me votimet e tyre si mazhoranca. Përse ka lajthitur dhe “ka marë arratinë” mendimi politik demokratik i filozofit surelist të së Drejtës, duke fshehur qëllimin e tij? Sepse është i bindur që zgjedhjet parlamentare do i humbasë, prandaj do e ndryshojë Kushtetutën, jo për listat e hapura, pasi ai ka deklaruar faqe botës që nuk i do ato, prandaj do i bëjë “lista të përdredhura”, por me dekretin e tij sulltanor, do shkrijë partitë politike, që janë subjekte politike kushtetuese dhe të eleminojë koalicionet parazgjedhore. Ky është qëllimi i vetëm.