Prof. Dr. Jamarbër Malltezi: Misioni i pamundur i patronazhistit Ervin

327
Sigal

Në lagjen ku banoj zona më e kuqe është ajo e pallateve të ish-oficerëve pranë këndit të lojrave te rruga e Elbasanit. Para 50-60 vitesh komunizmi sistemoi oficerët e rinj me banesa shumë të mira, pranë qendrës së Tiranës dhe mu buzë parkut të lojrave të fëmijëve. Ata banorë ndihen si të privilegjuar nga regjimi komunist ndonëse ishin si të gjithë ne me tallonë dhe mungesë të çdo lirie bazë njerëzore. Gjithsesi në lagjen tonë, pallati i gjatë 5 katësh i ish-oficerëve mbetet bastion i ish-komunistëve tani me emër të ri. Tek ky pallat banon edhe patronazhisti i PS, gazetari sportiv Ervin Baku që mesa duket ka plotësuar të dhënat e tendencave të votimit tek databaza e vjedhur shtetërore që përmban edhe të dhëna personale si tel. celular apo numri personal që janë shkelje ligji të dënueshme. Para shume vitesh shoku Lame dilte në konferenca shtypi e qahej se Basha do lejonte ndërtim të një pallati 9 katësh tek ish-parku “7 xhuxhat”. Kjo i zemëronte banorët e pallatit 5 katësh të ish-oficerëve pasi do i zinte pamjen. Lamja na u përbetua se kur të vinte Rama në pushtet do kishim fushatën “Rikthim në Identitet” dhe do rindërtohej këndi i lojrave.

Sot në 2021 pamja na është zënë 70 familjeve të pallatit tim që jemi 200 metra tutje (shih foton si ishte dhe si është tani – nuk arrin ta fusësh dot ne foto!), ndërsa atyre njerëzve hallexhinj, familjarë të ish-oficerëve u është zënë jo vetëm pamja, por edhe dielli edhe ajri. Për më tepër janë me frikë nëse largqoftë ndodh ndonjë tërmet dhe kanë 45 kate pallat përmbi kokë dhe nuk i dihet çfarë i zë poshtë. Në këtë hall të madh që i ka zënë ato familje (përfshi Z. Baku) që ju zu edhe dielli e ajri bashkë, do duhet të mendojnë të vijnë të na mbushin mendjen neve për të votuar PS! Ndërtimi 45 katësh i përdhunshëm (në dhunim të parimeve bazë të planifikimit të territorit) mban vulën e PS dhe të Edi Ramës “për ca miliona më shumë”. Të vështirë do e ketë të vijë të thotë ndonjë fjalë pse duhet votuar Edi Rama, përveçse në ndonjë rrugicë nga ku nuk duket gradaçela që i ka zënë frymën vetë patronazhistit. Nuk e di nëse tashme edhe patronazhisti ynë është skandalizuar me PS dhe Ramën (dhe të ketë kaluar me PD apo LSI si patronazhisti i Andi Bejtes dje), por di të them që tani atij “po i ikin” edhe banorët e pallatit të tij, që pavarësisht nga fjalët e bukura gazetareske FAKTI kokëfortë është 45 katesh dhe nuk i përvidhesh dot.