Prof. Dr. Edmond Panariti/ Shëndetësia publike në koma, shqiptarëve u rrezikohet jeta, ndërsa “Rilindja” vjedh me tendera

Prof. Dr. Edmond Panariti, Drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës

Pandemia nxorri në pah për Shqipërinë një shërbim mjekësor të gjymtuar nga kapacitetet diagnostikuese dhe kuruese dhe të zbrazur nga personeli mjekësor dhe ai ndihmës

NOA

 Shëndetësia në koma, shqiptarët në rrezik, ndërkohë qeveria vjedh tenderët

Gazeta Telegraf

 Prof. Dr. Edmond Panariti, Drejtor i Kabinetit të Presidentit të Republikës, njëkohësisht, specialist edhe i sëmundjeve infektive, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se qeveria dështoi në përballimin e pandemisë së Covid-19, sepse në fillim nuk zbatoi këshillat e organizmave botërore të Epidemiologjisë, ndëkohë, që në mënyrën më absurde pandeminë e “luftoi”, duke nxjerrë ushtrinë dhe autoblindat në rrugë. Qeveria nuk mori as masat përgatitore, të siguronte shtretër, kur ka vetëm 400 copë, nga 2.000 të nevojshme, por munguan edhe bomblat e oksigjenit për të sëmurët, ndërsa personeli mjekësor u la i ekspozuar, pa masa mbrojtëse, sa deri tani humbën jetën mbi 30 mjekë dhe infermierë. Prof. Panaritii thekson se qeveria është kaq e papërgjegjshme, sa nuk ka rritje domethënëse në fondet për shërbimin mjekësor për vitin e ardhshëm, ndërkohë që shumën e fondeve për shëndetësinë e gllabërojnë tenderat e koncesionet.

Sipas të gjitha përllogaritjeve për të përballuar fluksin në rritje të infeksionit covid-19, Shqipërisë në fillim të tetorit i duhej të kishte 2000 shtretër për trajtim spitalor anti covid. Në fakt ajo kishte më pak se 400 të tilla

-Prof. Panariti, sipas jush, ju disa herë keni bërë apel publik për mirëmenaxhim të situatës së pandemisë në Shqipëri. Ku dështoi qeveria në përballimin e Covid-19?

– Në fillimet e pandemisë, qeveria dhe autoritetet shëndetësore duhet të kishin si përparësi absolute kryerjen e testeve për zbulimin e hershëm të individëve të infektuar.

Sepse këtë rekomandonin të gjitha organizmat botërore të Epidemiologjisë dhe të kontrollit të Pandemisë.

Kjo do të bënte të mundur, zbulimin dhe izolimin e rasteve dhe frenimin e përhapjes së virusit në popullatë.

Masa të tjera në këtë fazë të pandemisë ishin te pajustifikueshme.

Por kjo nuk ndodhi!

Përkundrejt tyre, për fat të keq qeveria preferoi marrjen e masave drakoniane të izolimit dhe të ndalimit të lëvizjes së njerëzve, me një show të panevojshëm butaforik të ushtrisë dhe policisë në rrugë me mjete të blinduara për të imponur karantinën totale, ndërkohë, që numrat e të infektuarve nuk e justifikonin një gjë të tillë.

Nga ana tjetër, në mënyrë të pakuptimtë dhe aspak të argumentuar nga pikëpamja epidemiologjike, lejoheshin grupe të popullatës të lëviznin në orare të caktuara, kur të tjerët mbylleshin.

Njëherë lëviznin pensionistët, pastaj mbylleshin këta dhe më pas lejoheshin të dilnin vetëm gratë me fëmijë.

Këto masa të çuditëshme dhe të kota, përveç penalizimit të njerëzve, presionit psikologjik dhe stresit të kotë si dhe dëmtimit të bizneseve, nuk sollën frenimin e infeksionit, por përkundrazi rritjen e tij galopante.

Cilat janë pasojat e mangësive të masave të qeverisë dhe institucioneve përkatëse shtetërore në këtë situatë pandemie në vendin tonë?

Që gjatë muajve të verës u pa qartë tendenca rritëse ditore e rasteve të infeksionit në popullatë.

Këmbanat e alarmit po binin!

Sipas të gjitha përllogaritjeve për të përballuar fluksin në rritje të infeksionit covid-19, pa e futur sistemin shëndetësor në kolaps, Shqipërisë në fillim të tetorit i duhej të kishte 2000 shtretër për trajtim spitalor anti covid.

Në fakt ajo kishte më pak se 400 të tilla.

Po kështu kishim mangësi të ndjeshme në medikamente dhe sidomos në preparate antivirale, për trajtimin e rasteve të mesme dhe të rënda.

Nuk kishim gjeneratorë dhe bombola oksigjeni për të siguruar oksigjenimin e rasteve me shenja të rënda të bllokimit të frymëmerrjes dhe uljes së oksigjenit në gjak.

Personat në terapi intensive te ne, pavarësisht sakrificave dhe vetmohimit të mjekëve kishin shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa te ata që kalonin në frymemarrje të drejtuar vdekshmëria shkonte në gati 100 përqind, ndërkohë, që në vendet evropiane nuk kapërcen 40%..

Në rastet e mesme dhe të rënda, kush kishte mundësi e linte vendin dhe u drejtohej klinikave dhe spitaleve jashtë vendit, sepse shërbimit tonë spitalor i mungonin pajisjet shëndetësore jetëshpëtuese, si pajisja ECMO, etj.

Kishim mangësi të ndjeshme në medikamente dhe sidomos në preparate antivirale, për trajtimin e rasteve të mesme dhe të rënda. Nuk kishim gjeneratorë dhe bombola oksigjeni për të siguruar oksigjenimin me shenja të rënda të bllokimit të frymëmarrjes

Prof. Panariti, ju si e shpjegoni që shumë mjekë, infermierë të QSUT, por edhe në spitale të tjera rajonale u infektuan nga Covid-19, duke humbur jetën? 

– Është e pajustifikueshme, numri i lartë i mjekëve të infektuar në ushtrimin e detyrës

Pjesa dërmuese e tyre u infektuan dhe rreth tridhjetë prej tyre faktkeqësisht ndërruan jetë.

Ky është një çmim i hidhur për një trupë mjekësore ndër më të voglat në Europë për nga numri i pacientëve që i duhet të përballojë.

Qartazi qeveria nuk u siguroi në kohë dhe në mënyrë të mjaftueshme kushte dhe mjete mbrojtëse nga infeksioni dhe kjo është e rëndë.

– Pandemia në Shqipëri çfarë nxorri në pah për shërbimin shëndetësor publik? 

Nxorri në pah një shërbim mjekësor të gjymtuar nga kapacitetet diagnostikuese dhe kuruese dhe të zbrazur nga personeli mjekësor dhe ai ndihmës.

– Me dhjetra tendera, koncesione, qeveria e ‘Rilindjes’ ka dhënë në 8 vite në shërbimin shëndetësor publik. Çfarë cilësie dhe sasi i sollën shëndetësisë?

Për cilësinë dhe efektin e shërbimeve pyesni qytetarët dhe atje do të merrni përgjigjen e hidhur dhe zhgënjyese.

Po kështu, ju sugjeroj të pyesni edhe mjekët dhe specialistët e shëndetësisë për cilësinë dhe impaktin shëndetësor të kontratave koncensionare dhe ata do t’ju dëshmojnë për dështimin e tyre… Një pjesë e tyre kanë bërë edhe denoncim publik të abuzimeve me këto kontrata.

Rreth tridhjetë mjekë dhe infermierë faktkeqësisht ndërruan jetë. Qeveria nuk u siguroi në kohë dhe në mënyrë të mjaftueshme kushte dhe mjete mbrojtëse nga infeksioni

Në buxhetin e 2021-it, a janë pasqyruar mjaftueshëm fonde për shërbimin shëndetësor publik?

– Nuk ka rritje domethënëse në fondet për shërbimin mjekësor për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, që nevojat janë ulëritëse dhe urgjente.

Kjo ishte dhe një ndër arsyet kryesore përse Presidenti i Republikes e ktheu projektligjin e buxhetit për rishqyrtim në Kuvend.

Ndërsa nuk u dhanë fonde dhe para për shëndetësinë, u dyfishuan pagesat për kontratat koncensionare.

-Prof. Panariti pse vetëm Shqipëria në rajon nuk ka mundur të garantojë doza vaksine Anticovid, ndërkohë, që vendet fqinje jo anëtare të BE-së kanë filluar vaksinimin?

– Sepse Shqipëria nuk loboi, nuk kontraktoi dhe as parapagoi me firmat prodhuese, edhe kur u bë e qartë se dalja e vaksinave nga to ishte e afërt.

Këtë e bënë Serbia, Maqedonia e Veriut, të cilat po e fillojnë njera pas tjetrës procesin e vaksinimeve në popullatë.

Shqipëria thjesht u mjaftua me firmosjen e nismës ‘COVAX’, e cila do të shpërndante vaksinat e tepricës, pasi të kishin mbaruar punë shtetet, të cilat i kishin kontraktuar dhe blerë stoqet e vaksinave.

Cilat mund të jenë pasojat, nëse, sipas pohimeve zyrtare të vetë kryeministrit Rama, por edhe institucioneve ndërkombëtare, Shqipëria mund të sigurojë vaksinën Anticovid-19 nga fundviti 2021 ose 2022?

– Kush vaksinon i pari kursen dëme shëndetësore dhe jetë njerëzore, kjo nuk do shumë mend dhe arsyetim.

Kush vonon vaksinën paguan një çmim të hidhur dhe tragjik për popullatën.

Ky është dhe kriteri që dallon një qeverisje të përgjegjeshme nga ajo e papërgjegjëshme.

– Faleminderit!