Monika Kryemadhi: Ja pse LSI është partia e shpresës së të rinjve. Sa më e fortë të jetë rinia, aq më i fort është kombi

289
Sigal

Ja pse LSI është partia e shpresës së të rinjve. Sa më e fortë të jetë rinia, aq më i fort është kombi. Më 25 Prill 2021 rinia do të votojë për të ardhmen e saj për të qënë e barabartë me rinjtë e vendeve të BE-së, kundër padrejtësive, vrasjeve policore dhe zëvendësimit të nepotizmit me meritokracinë

Gazeta ‘Telegraf’

E formuar politikisht nga forumet rinore të së Majtës shqiptare pas ardhjes së Demokracisë në Shqipëri dhe e cilësuar si shpirti dhe gjenaratori i shpresës së të rinjve, padyshim që Monika Kryemadhi mbetet edhe simbol i përkushtimit ndaj këtij grupimi, i cili përfaqëson edhe të ardhmen e Kombit. Pikërisht këtë vizion promovues për të rinjtë të shoqëruar me shpirtin e garës së fituesit në shërbim të Atdheut, Kryemadhi e rindërtoi tek LRI, si forca e pashtershme, që gjeneron gjallëri, gëzim, entuziazëm dhe pasion për vetë LSI-në, por edhe për shpresat e njerëzve të thjesht, auditorëve universitar, intelektualve dhe botës akademike.

  Rinia dhe e Ardhmja

Sipas Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, termi “Rinia dhe e Ardhmja “ gjithmonë do të lidhen, sepse nuk mund të ekzistojnë në mungesë të njëra- tjetrës. Një Komb që nuk arrin të investojë në të ardhmen e rinisë së tij është një Komb i dënuar, një Komb i dështuar. Rinia është simbol i rëndësishëm i forcës dhe këmbënguljes. Rinia është e ardhmja e Shqipërisë dhe ne na duhet që energjitë e saj t’i përdorim për prosperitetin e Kombit, për vitalizimin e tij dhe të familjes shqiptare. Nëse ka një shërbim në këtë botë që mund t’i bëhet antishqiptarizmit është shpopullimi i vendit dhe sidomos i të rinjve. Ndaj dhe Monika Kryemadhi me politikat e LSI-së u krijon hapësira pa fund të rinjve që të mos braktisin vendin, duke organizuar fushata promovuese për malet, fushat, detin, duke prekur dhe shijuar të gjitha resurset që gëzon Atdheu ynë i dashur Shqipëria. Madje zgjedhjet e 25 Prillit 2021, kanë një risi të jashtëzakonshme për LSI-në në veçanti dhe për politikën e re shqiptare në tërësi, pasi shumica e kandidaturave për në kuvendin e Shqipërisë përfaqësohen nga brezi i të rinjve, të cilët bashkë me fuqinë rinore, pastërtinë shpirtërore do shpalosin edhe dashurinë për trojet e të parëve.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka treguar me vepra se prioriteti i saj janë të rinjtë

Kryemadhi ka zhvilluar takime të shpeshta në qytete të ndryshme të Shqipërisë për t’u qendruar në linjë me problemet me të cilat po përballen. Në një takim të saj me të rinjtë e LRI-së, pak ditë më parë, Kryemadhi deklaroi: “Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japë Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri, ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë, por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri. Unë ju mirëpres të gjithëve, edhe nëse jeni me një parti, pa parti, apo si shumica e shqiptarëve që ndihen të lodhur nga partitë politike, që të bashkoheni me mua dhe LSI në misionin tonë për të rikthyer shpresën, vendet e punës dhe mundësitë këtu në vendin tonë dhe bashkë ta bëjmë Shqipërinë të ndihet sërish shtëpi për të gjithë.”

Është fakt që sa më e fortë të jetë rinia, aq më i fortë është kombi

Prandaj edhe roli i rinisë në ndërtimin e kombit zë vendin kryesor. Ato kombe që shfrytëzojnë rininë e tyre në drejtimin e duhur janë më të zhvilluara, më të emancipuara. Janë të pavdekshëm! Energjia nga njëra anë e mendjeve të freskëta dhe pa paragjykime e të rinjve nga ana tjetër, veprojnë si bartës të idealeve për kombin. Politikat e vjetra nuk e duan rininë si aktore në vendimarrjet për fatet e Atdheut, pasi i tremben fuqisë së saj, duke harruar se nëse rinia nuk është në drejtimin e duhur dhe nuk shqetësohet për të ardhmen e kombit, ajo do të bëhet një pengesë për të ardhmen e Kombit. Ndaj dhe vlerat e Kryemadhit qëndrojnë, pikërisht në ndërthurjen e LSI-së me LRI-në,pasi Monika falë profilit të saj rinor e di shumë mirë se rinia shpreson për një botë pa varfëri, papunësi, pabarazi dhe shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Rinia dëshiron një botë pa diskriminim në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, gjinisë, arsimimit, profesionit dhe kombeve që u përkasin. Suksesi i një kombi varet nga rinia. Është detyrë e vendit t’u sigurojë të rinjve mundësi të bollshme për të luajtur rolin e tyre në një mënyrë efektive. Çfarë i ofrohet rinisë në këtë vend le për të dëshiruar. Disa të rinj shprehen se vendet e punës janë të politizuara edhe se është e ditur se kush do të punësohet. Ka raste kur konkurset dalin vetëm kot, sepse emrat që do të punësohen dihen. Studentëve u kërkohen para për shkollim në auditorët publikë, u kërkohen para për dhënien e notave kaluese, të rinjtë provokohen, të rinjtë vriten nga policia e veshur me uniformën e shtetit, të rinjtë helmohen nga gazi lotsjellës dhe helmues, të rinjve u mungojnë kushtet në konvikte, mungojnë korpuset universitare. Meritokracia është zëvendësuar nga nepotizmi, vlerat përdhosen dhe promovohen antivlerat.

Në 25 Prill 2021, të rinjtë do të votojnë për të ardhmen e tyre, për të qenë të barabartë me të rinjtë e vendeve të BE-së

Prandaj dhe Kryemadhi i mëshon problematikës së papunësisë dhe se mungesa e shpresës po dëmton rininë shqiptare, ndërkohë që ka premtuar mbështetje pa kufi për ta për një arsim më cilësor dhe punësim të mirëpaguar, sipas profileve të tyre të studimit. “Të ndalojmë largimin e të rinjve nga vendi. Papunësia, mungesa e shpresës po dëmtojnë rininë shqiptare. E vendosur për të shpëtuar të ardhmen e fëmijëve dhe rinisë shqiptare. Mbështetje pa kufi rinisë shqiptare për arsim cilësor e punësim të mirëpaguar në profilet e studimit” – deklaroi Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një nga takimet më të fundit në kuadrin e përgatitjeve për fitoren e madhe të 25 Prillit 2021, ku të rinjtë e LRI-së do të shkruajnë një epokë të re dhe fitimtare në historinë e Shqipërisë dhe LSI-së si forcë e parë.