Prof.Dr. Aleksandër Biberaj: Opozita e bashkuar do ta përmbysë këtë qeveri

262
Sigal

Prof. Aleksandër Biberaj: Asgjë nuk e ndalon dot opozitën e bashkuar nga ardhja në pushtet

Edi Rama dhe rilindja po përpiqen në mënyrë shumë diabolike dhe të pabesë që të sabotojnë, apo deformojnë reformën elektorale, duke përdorur patericat e tyre në Parlament, deputetët e listave të opozitës, të cilët fatkeqësisht, që nga hyrja në Parlament, janë bërë shtojcë e qeverisjes aktuale. Këta pseudo-deputetë e dinë fare mirë që s’do të kenë më shans të jenë në Parlament, as të bëhen ndonjëherë  tjetër deputetë. Qëllimi i rilindjes është fare i qartë për të penguar me Kushtetutë  koalicionet parazgjedhore, me qëllim që të shmangë humbjen e zgjedhjeve, por nuk ka asgjë që ta ndalojë opozitën e bashkuar për të ardhur në pushtet dhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga rilindja. Rilindja e di fare mirë që nuk do të ketë më shanse të krijojë koalicione  para  zgjedhore,  pasi besueshmëria e rilindjes ka rënë në zero, ndërkohë që opozita do të konturojë një koalicion të madh mbarëpopullor për të bërë të mundur ndryshimin e shumëpritur. Të gjitha sondazhet e nxjerrin opozitën e bashkuar mazhorancë absolute, prandaj edhe bëhet kjo përpjekje nga rilindja për të penguar koalicionet parazgjedhore, por që do të dështojë. Marrëveshja për reformën elektorale/zgjedhore ka miratimin dhe bekimin e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe, si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme që garantojnë rotacionin normal të pushtetit pas 7 vitesh keq-qeverisje të tmerrshme të rilindjes. Opozita po krijon një koalicion të madh me partitë politike opozitare, me shoqërinë civile, me të gjitha grupet e interesit dhe shtresat e shoqërisë, me të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë në opozitë me këtë model qeverisës.