Prof. Asoc. Zamira Çavo: Pafajësia që dha Gjykata e Krimeve të Rënda, gjykoi me vdekje drejtësinë tonë

439
Analistja politologe, Prof.Asoc Zamira Çavo, në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se gjykimi i fundit për pafajësinë e Arben Frrokut, gjykoi përfundimisht me vdekje drejtësinë tonë. Maxhoranca, sipas Prof. Asoc Çavo, po dështon në reformën në drejtësi, ngaqë i mungojnë njerëzit, ndërsa Opozita nuk e dëshiron, pasi ajo vetë do duhej të ulej e para në bankën e të akuzuarve. Pas marrjes së statusit, ndryshimi i vetëm në politikëbërje, sipas Prof. Asoc. Çavo, është se është shtuar demagogjia, ndërsa, sa për sjelljen politike, deri tani jemi në kuadrin e një demagogjie të pastër, e cila krijon imazh, por jo realitet. Ndërsa për produktin e zgjedhjeve të 21 qershorit, Prof. Asoc. Çavo thotë se “do të jetë atë që po mbjell! Asnjë ndryshim cilësor”.
– Prof. Çavo, cili është perceptimi juaj, a mund të kenë të drejtë, njëkohësisht, edhe gjykata e Krimeve të Rënda në pafajësinë e vendimit që dha për Arben Frrokun, por edhe Prokuroria, që dha dënimin me burgim të përjetshëm?
– Besoj se në perceptimin popullor gjykimi i fundit “gjykoi” përfundimisht me vdekje drejtësinë tonë. Unë nuk di se cili prej dy institucioneve ka gabuar, por duket qartazi, që njeri prej tyre duhet të shkojë në burg, në vend të Frrokut! Ky vendim besoj do përbëj rast në drejtësinë botërore, kur dy institucione të drejtësisë japin gjykime krejtësisht të kundërta! Ajo, që unë vlerësoj në këtë akt të paprecedentë, është “kapja” e drejtësisë sonë nga paraja, paaftësia, korrupsioni, apo çdo gjë tjetër, që vetëm me drejtësinë nuk ka të bëjë.
– Qëndrime kaq ekstreme të institucioneve të drejtësisë, a mund të përçojnë te shqiptarët, te ndërkombëtarët, që drejtësia jonë është e pavarur në kuptimin, që të ketë besueshmëri në të tilla vendime, kaq diametrikisht të kundërta Gjykatë-Prokurori?
– Shqiptarët po përjetojnë sot një situatë tepër të veçantë, që ka nxjerrë në krye problemin e madh të korrupsionit, të politikës, ekonomisë e drejtësisë. Madje, të krijohet përshtypja se gjithçka është nxirë dhe se do jetë një betejë e gjatë dhe me shumë përplasje interesash. Ka një mosbesim të dukshëm se kjo situatë do ketë një” fund të lumtur”. Ngjarjet e fundit nuk është se i çudisin shqiptarët! Ata kanë kohë që e kanë kuptuar se këtu mafia i ka të gjitha ngjyrat. Ndoshta, ndërkombëtarët do kenë mbetur të çuditur, por kurrsesi nuk besoj se tek ata ka ndonjë perceptim pozitiv për vendimin e fundit!
– Sa duhet të besojmë se kjo maxhorancë e ka vullnetin për të realizuar reformën në drejtësi? 
– Maxhoranca, kështu si është, me këtë përbërje, duket se e ka zvarritur problemin e reformimit të drejtësisë deri tani, duke sjellë këtë gjendje skandaloze. Nuk mund të them nëse ka munguar vullneti politik për ta reformuar drejtësinë, por kanë munguar njerëzit, që do duhej ta kryenin këtë reformë. Ndaj, në mendimin tim, them se sot maxhoranca do duhet të marrë përgjegjësinë e këtyre skandaleve, që sikundër pëshpëritet, kanë dhe prapavijë politike.
– Po opozita a dëshirojnë që drejtësia të japë drejtësi dhe të kultivojnë, me vendimet e saj, besueshmëri te shqiptarët?
– Në gjendjen që është sot opozita, ka shumë problem me veten. Berisha është kërrusur nën peshën e korrupsioneve, që gjatë qeverisjes së tij, nuk ishin më pak të dukshme. Opozita as e dëshiron dhe as e shpreson një reformim të sistemit të drejtësisë, pasi ajo vetë do duhej të ulej e para në bankën e të akuzuarve për gjithë ato krime, që janë kryer gjatë qeverisjes së saj.
– Çfarë ka ndryshuar në politikëbërjen, pas marrjes së statusit kandidat?
-Është shtuar demagogjia.
– A mendoni se me sjelljen e deritanishme të kastës politike, integrimi, dhe qasja për hapjen e negociatave për anëtarësim, është parësore në axhendën politike?
– Duhet ta ndajmë këtë pyetje në dy pjesë. E para, mund të ishte: A e kanë në mëndje përparësinë e negociatave për anëtarësim në BE politikanët shqiptarë? Unë do të thosha që në mëndje mund ta ketë Rilindja e z Rama, pasi e kërkon me çdo kusht mbërritjen e tyre për ta servirur si trofe të një politike ndryshe. Të tjetër, as që e çojnë ndërmend. E, sa për sjelljen politike, deri tani jemi në kuadrin e një demagogjie të pastër, e cila krijon imazh, por jo realitet.
– Opozita ka publikuar një paketë të dekriminalizimit të Parlamentit. A është kjo paketë mekanizmi i katharsit?
– Opozita ka treguar që nuk ka ditur të hartojë asnjë paketë që t’i ketë rezistuar kohës. Kjo, në të gjitha fushat. Ndërsa paketa e dekriminalizimit është gjysmake, që në dukje. Si e tillë, ajo mund të japë gjysmën e të vërtetës, por këto gjysma janë më të rrezikshme, se e gjithë e vërteta. Ndaj, nuk mendoj se kjo paketë është një mekanizëm katarsisi. Ndaj mendoj se do mbetet një nismë, e cila, kurrsesi, nuk mund të realizohet pa reformuar më parë sistemin e drejtësisë. 
– Sipas jush, mendoni se politika e ka vullnetin për të bërë katharsin?
– Ka një thënie të bukur të Henri Kisingerit: “ 90% e politikanëve njollosin emrin e 10% të tjerëve.” Nëse këtë thënie do ta vendosim në klasën tonë politike, unë do ta shtyja përqindjen e parë deri në 99%. Ndaj, nuk pres ndonjë vullnet për një ripastrim të vërtetë mes tyre.
– Çfarë produkti politik do të sjellin zgjedhjet e 21 qershorit?
– Atë që po mbjell! Asnjë ndryshim cilësor. Sepse procesi i zgjedhjeve administrative po ndjek të njëjtin model me zgjedhjet parlamentare. Dhe, sikundër po e shohim, prodhimi i zgjedhjeve të përgjithshme është ky Parlament, sa i inkriminuar, aq qesharak . Unë nuk pres asnjë të mirë nëse në krye të Bashkisë së Tiranës partitë do kandidojnë një të përfolur për kumar, apo një të përfolur për vjedhje, apo një ish i burgosur. Nuk pres asgjë të mirë, nëse në bashkitë kryesore kandidojnë po ata individë, që i kanë nxjerrë “fundin” këtyre bashkive dhe korrupsioni ka arritur në majë. Ndjehem pesimiste dhe jam e bindur se prodhimi i zgjedhjeve nuk do jetë i ndryshim nga “modeli” që është zgjedhur për kandidime.
– Ju si mendoni: Pse ambasadori amerikan, u detyrua të deklarojë se “SHBA” do të monitorojnë kandidaturat, do të informojnë partitë, dhe nëse ato nuk dëgjojnë, atëherë do të publikojnë të dhënat për kandidatët me cv kriminale? 
– Nuk është “detyrë” e përfaqësive diplomatike të bëjnë deklarata të tilla. Por duket që problemi është agravuar kaq shumë, sa z . ambasador detyrohet të bëjë jashtë çdo protokolli, një deklaratë të tillë. Kjo do të thotë, e para, se gjendja është vërtetë alarmuese, dhe, e dyta, se partitë politike duhet të bëjnë kujdes. Por kam frikë se kjo deklaratë do vazhdojë të mbetet e tillë. Pra thjesht një deklaratë! Kryetarët e kanë vendosur, sipas parimit të tyre ,se cilët do kandidojnë.
– Kjo zhurmë e madhe e dekriminalizimit, mos vallë eklipson problemet e vërteta që shtrohen për t’u zgjidhur nga qeverisja?
– Natyrisht! Qeveria ka aq shumë probleme për të zgjidhur, sa duket se e ka më të rehatshme të merret me zhurmat për dekriminalizim! Shqiptarët nuk çuditën nga krimi, sepse kanë 24 vjet që e shikojnë se si krimi bashkëjeton me politikën. Shqiptarët ende shpresojnë se jeta e tyre do përmirësohet falë reformave me rëndësi, që qeveria do duhej të ndërmerrte. Fatkeqësisht, deri tani , kur kanë kaluar mbi 19 muaj nga fillimi i qeverisjes, gjendja e shqiptarëve nuk është aspak më e mirë!
– Faleminderit!
Sigal