Prof. As. Sherefedin Shehu: Borxhe, të marra nga Qeveria pa sovranitet, janë aferë e Kryeministrit dhe e ministrit të Financave

489
Sigal

Prof. As. Sherefedin Shehu, deputet i PD-së: PS-ja shkeli Rezolutën, duke miratuar ligjin për huamarrje të Qeverisë, pa miratimin e Parlamentit. Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese!

Deputeti i PD-së, prof. as. në Shkencat Ekonomike, Sherefedin Shehu, në intervistën për “Telegraf” pohon që PS-ja që ditën e parë shkeli marrëveshjen dhe Rezolutën, pasi nuk pranoi që p/ligjin për huamarrje pa miratim të Kuvendit, ta diskutojnë më vonë. Duke argumentuar juridikisht dhe profesionalisht këtë p/ligj, prof. as. Shehu pohon se huamarrja pa sovranitet, dmth, e ratifikuar në Kuvend, rrit riskon dhe rreziqet, shton koston e huamarrjes dhe, mbi të gjitha, është një aferë e Kryeministrit dhe e ministrit të Financave, për faktin e thjeshtë që Qeveria do të operojë me njerëz të cilët mund t’i afrojnë favore personale Kryeministrit dhe ministrit të Financave.

 – Zoti Shehu, Kuvendi pardje miratoi p/ligjin për huamarrjen e Qeverisë, pa miratimin e Parlamentit. A duhej miratuar ky ligj në seancën plenare, ku ju nuk keni marrë pjesë fare në diskutimin e këtij p/ligji në komisionet parlamentare?

– Nëse do të respektohej fryma e marrëveshjes, ky ligj duhej të hiqej nga rendi i ditës. Të mërkurën më 24 dhjetor, meqë u konfirmua pjesëmarrja jonë dhe përtej kësaj, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, ka kërkuar në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, që ky ligj të hiqej nga rendi i ditës, për dy arsye. Së pari, ne nuk kemi marrë pjesë në grupet parlamentare në diskutim, por kryesorja është, sepse ne e konsiderojmë këtë ligj si antikushtetues dhe një ndër pikat e Rezolutës është angazhimi i partive politike për zbatimin e Kushtetutës. Nga PS-ja nuk u pranua heqja nga rendi i ditës i këtij p/ligji dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe me frymën dhe me një nga pikat e Rezolutës, e cila sapo u miratua, maxhoranca sërish demonstroi mospërfillje dhe angazhimin e saj për vazhdimin e shkeljeve të saj të Kushtetutës.

 – Maxhoranca u nis nga mendimi që të mos i nxirrte vetes telashe ngaqë e dinte që ju do ta kundërshtonit, apo ka arsye tjetër?

– Kjo është më e pakta, sepse natyrisht që ne do të debatonim e kundërshtonim, siç edhe votuam kundra, por kryesorja është që maxhoranca është në ngut për të shfrytëzuar këtë moment paqeje – të themi – në Komunitetin Europian, sepse marrëveshja është negociuar nga 2 përfaqësues më të lartë të PE-së, për të kaluar në heshtje shkeljen kushtetuese të këtij ligji.

 – Cili është argumenti juridik që ky ligj shkel Kushtetutën?

– Sepse Kushtetuta në nenin 121, pika ç, lidhur me ratifikimin e marrëveshjeve, thekson që të gjitha marrëveshjet, të cilat krijojnë detyrime për shtetin shqiptar, duhet të ratifikohen. Dhe marrëveshjet që krijojnë detyrime për shtetin janë marrëveshjet e kredisë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, ky ligj, i cili ligjëron marrjen e kredive të paratifikuara në Parlament, shkel këtë pikë të Kushtetutës.

 – Arsyetimi që dha ministri i Financave Cani në komisionet parlamentare, senevoja për huamarrje nga qeveria pa miratimin e Kuvendit, mundëson që dikasteri i Financave të mund të veprojë më me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantojë interesa dhe kosto më të ulëta huamarrjeje”, a qëndron në konceptin profesional?

Ky nuk qëndron, sepse ministri i Financave, jo shumë kohë më përpara, ka ngritur edhe një padi, pikërisht nisur mbi këto absurditete, të cilat ai tashmë i përdor edhe si argumente për ndryshimin e ligjit. Ministri i Financave duhet të jetë jo vetëm profesional, por duhet të ketë edhe moralin minimal të një njeriu të zakonshëm, e ca më shumë të një ministri, që të mos keqpërdorë ato argumente të cilat, ai i ka përdorur si argumente akuze. Së dyti, ai duhet të pranojë faktin që ka 3 kredi të marra në mënyre të suksesshme nga qeveria e PD-së, 2 kredi sindikale dhe një eurobond me procedurat ekzistuese, duke përfshirë edhe ratifikimin nga Parlamenti. Nëse PD-ja doli dhe mori kredi, edhe ky ministër të dilte dhe të provonte veten që është i aftë dhe ka një besim te kreditorët për t’i dhënë kredi dhe në këtë kontekst, doja të shtoja edhe faktin tjetër. Që, nëse ministri Cani quan pengesa vonesat që mund të bëhen në procesin e miratimit, ka procedura të cilat lejojnë shpejtimin e miratimit. Ka akte të veçanta që mund të përdoreshin, edhe në rastin konkret. Dhe më tej, kryeministri Rama, nëpërmjet gojës së ministrit Cani mashtron duke thënë që ne mund të marrim kredi më të lirë, nëse përdorim këtë procedurë, duke hequr pengesën e ratifikimit të kredisë nga Parlamenti.

 – Cila është prapaskena e qëllimit të këtij ligji?

– E vërteta është krejt ndryshe. Qëllimi i Kryeministrit është që t’i ketë duart të lira për të bërë marifete dhe për të shkuar dhe marrë kredi te persona të cilët mund të jenë të lidhur ose që mund t’i afrojnë favore Kryeministrit ose ministrit të Financave. Ndërsa tregjet huadhënëse funksionojnë me logjikën e tyre dhe, sipas kësaj, çdo kredi e ratifikuar në Parlament, shndërrohet në kredi sovrane. Nëse kredia nuk ratifikohet nga Parlamenti, asaj i është hequr sovraniteti. 

– Si përkthehet kjo kredi pa sovranitet në tregjet financiare?

– Kredia pa sovranitet përkthehet në kredi me kosto më të lartë. Duke mos qenë shteti garanci e kredisë, nëpërmjet ratifikimit nga Parlamenti, kjo kredi është një kredi e mirëfilltë tregtare dhe kushtet e Shqipërisë janë të tilla që retingu (klasifikimi) nga ndërkombëtarët është shumë i ulët dhe heqja e detyrimit për ratifikim do të kthehet në kredi me interesa më të larta, sepse në kushtet kur tregjet janë të stabilizuara, pra, kur mund të merret kredi me procedurë të përshpejtuar, nuk është pengesë ratifikimi i kredisë nga Parlamenti. Ratifikimi mund të jetë pengesë për Kryeministrin, sepse tashmë ata nuk i kontrollon më kush në procesin e marrjes së kredive. Kështu, mungon transparenca në marrjen e kredisë dhe heqja e ratifikimit është shndërruar, edhe në një amendim tjetër në ligj, që në fakt ky ka qenë argumenti, ose kjo ka qenë arsyeja për ndryshimin e ligjit. Por, është përdorur e para për të shkuar te e dyta, që është heqja e detyrimit të zbatimit të procedurave të prokurimit me procesin e kontraktimit të kreditimit, që do të thotë që menaxherit apo të ndërmjetësve financiarë në ndërtimin e proceseve të marrjes së huasë. Pra, tashmë Qeveria mund të kontraktojë studio ligjore, mund të kontraktojë konsulentë financiarë, mund të kontraktojë menaxherin e procesit të huamarrjes, pa hyrë në procedura prokurimi, siç kërkohet deri më sot, dhe ky amendim është bërë sot në këtë ligj, bashkë me heqjen e detyrimit për ratifikim, për faktin e thjeshtë që Qeveria do të operojë me njerëz të cilët mund t’i afrojnë favore personale Kryeministrit dhe ministrit të Financave.

 – A mundet një ligj i tillë, t’i lejojë shtetit të marrë borxh me kushte më të mira nga privatët në tregun financiar?

– Kreditë merrennga tregu privat. Arsyeja nuk ka të bëjë pse merret kredia në tregun privat, por Kryeministri ka krijuar një mburojë, që edhe kur bën pazare në tregun privat, të mos japë llogari askujt dhe të mos jetë përgjegjës para ligjit, për kushtet jo të favorshme, në të cilat mund të merret kjo kredi.

 – Cilat janë rreziqet financiare nëse qeveria merr hua dhe kredi, pa ratifikimin nga Parlamenti?

Patjetër që një kredi e tillë përmban rreziqe financiare, të cilat janë të dyanshme. E para, mund të merren hua, edhe nga burime që mund të jenë të paligjshme, sepse nuk ka transparencë në proces e nuk jepen llogari, por kjo ka rreziqe financiare edhe për huamarrësit, sepse është kredi për përfitime personale dhe, pastaj vijnë përfitimet institucionale, që do të thotë këto kredi kanë rrezik më të madh. Këto rreziqe përkthehen në norma më të mëdha interesi. Do të ketë kosto më të lartë, sepse do të ketë edhe një prim ose kuotë, e cila do të kërkohet për të mbuluar rrisqet, sepse kreditimit të cilit i është hequr sovraniteti, shton riskun, dhe rrit edhe normën e interesit.

 – A është real ky rrezik për borxhin tonë publik?

– Natyrisht që është sepse rritja e koston së borxhit do të thotë që rritet edhe nevoja për të marrë borxh. Eliminimi i ratifikimit të borxhit nga Parlamenti, në momentin e krizës, kur ka një presion të madh për rritjen e borxhit publik, sepse borxhi është instrumenti që mund të garantojë financimin e nevojave të ngutshme, ose financimin e nevojave që nuk mbulohen me të ardhurat e zakonshme, përbën një rrezik të shtuar. Pra, përveç rrezikut real që është kriza ekonomike, tani shtohet edhe rreziku që është marrja e borxhit spekulativ, apo korruptim, është një risk i shtuar, së bashku nga risqet që vijnë nga zhvillimet negative në tregjet.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA