At Nikolla Marku: Bekimi për Krishtlindjet  për shqiptarët nuk vjen nga goja e Anastasios

628
Sigal

 Jezu Krishti a fliste greqisht që  kryepeshkopi mbajti Meshën  në Kishën Ortodokse në  greqisht

Në mesnatën e djeshme, besimtarët katolikë kanë nisur meshën që simbolizon lindjen e Krishtit. Mesha për besimtarët katolikë filloi në orën 00:00 në katedralen e ‘Shën Palit’. Mesha u mbajt nga Arqipeshkvi mitropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita. Ai uroi të gjithë besimtarët për më shumë dashuri dhe mirësi, ndërsa u shpreh se lindja e Krishtit hapi një epokë të re. Më tej Imzot Rrok Mirdita tha se Krishti zgjodhi të jetë me njerëzit, ndërsa feja e krishterë në miqësi me Krishtin.

Bekimi për Krishtlindjet për shqiptarët në …greqisht

Shqiptarët edhe në kremtimet e Krishtlindjes në Shqipëri trajtohen sikur të jenë emigrantë në…Greqi, ngaqë bekimin për rilindjen e Jezu Krishtit e dëgjojnë  në …greqisht në mes të Tiranës, në Kishën e bukur e të madhe të Ortodoksisë.  Jezu Krishti, lindi, u rrit dhe u martirizua larg Greqisë. Sot nuk ka asnjë dokument që të dëshmojë që Jezu Krishti kishte lidhje fisnore, kulture apo gjë tjetër me Greqinë apo grekët. Atëherë, përse kryepeshkopi i Kishës Ortodokse shqiptare të flasë e të bekojë shqiptarët në greqisht, në kremtimet e Krishtlindjeve në mes të Tiranës? Kjo është pasojë e politikave shqiptare të përuljes dhe të nënshtrimit ndaj politikave greke, dhe nuk ka asgjë të përbashkët me doktrinën dhe besimin fetar ortodoks.

At Nikolla Marku: Janullatos bën politikën greke kundër shqiptarëve

I vetmi klerik në Shqipëri, që i është kundërvënë me sa mundet politikës greke të asimilimit edhe nëpërmjet kryepeshkopit grek Janullatos, është At Nikolla Marku, i cili çdo kremtim e ceremoni fetare e kryen në shqip, duke i qëndruar besnik traditës së Kishës Ortodokse Shqiptare të themeluar nga Fan Noli. Në një prononcim për gazetën “Telegraf”. At Nikolla Marku thotë: “Shqiptarët po asimilohen nga politikat greke edhe në besimin e tyre ortodoks. Janullatos nuk ka ardhur që t’u shërbejë shqiptarëve si kreu i Kishës Ortodokse shqiptare, por si kreu i Kishës Ortodokse helene, duke na mohuar neve shqiptarëve edhe Kishën tonë Ortodokse Shqiptare. Këtë Janullatosi e bën që të asimilojë besimin fetar të shqiptarizmit dhe të na helmojë me helenizmin. A ka turp që shqiptarët të dëgjojnë në greqisht edhe bekimin për Krishtlindjet?”

 ***

Basha: “Bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, shpresa për optimizmin e së nesërmes”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zgjodhi Shkodrën për të kremtuar dhe uruar të gjithë besimtarët e krishterë në ditën e shenjtë të Krishtlindjes. Zoti Basha vizitoi kishën Ortodokse dhe Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër-Pult. Duke vlerësuar Shkodrën si margaritarin e bashkëjetesës fetare në gjithë Europën e konsideroi ketë ditë të bekuar, si moment besimi dhe reflektimi për tu përkushtuar më shumë për ata qe janë në pamundësi ekonomike për të sëmurët dhe të vobektit. Nga Shkodra e veshur me shpresën dhe besimin që sjell Krishtlindja, shprehu bindjen se e nesërmja do të jetë me e mirë dhe më e begatë për çdo shqiptarë. “Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër dua të uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve; Gëzuar Krishtlindjen! Festën e shpresës, dashurisë e të besimit. I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme, të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë. Gëzuar!”

 Meta: Festa e Krishtlindjeve na fton të jemi më solidarë dhe më të bashkuar me njëri-tjetrin 

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, z. Meta zhvilloi fillimisht një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale. Duke folur për median pas vizitës, Kryetari i Kuvendit uroi që kjo ditë të sjellë sa më shumë mbarësi për familjet shqiptare dhe për shoqërinë tonë. “Në këtë ditë Krishtlindje do të uroja gjithë besimtarët e krishterë, por edhe të gjithë popullin shqiptar sa më shumë mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, por natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë”, u shpreh  Meta. Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit zhvilloi vizita në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë si edhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.  Meta theksoi se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve dhe na fton të jemi më solidarë e më të bashkuar me njëri-tjetrin. “Kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve është një festë që na bashkon të gjithëve në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe natyrisht që është një ditë e cila në fton për të qenë gjithnjë solidarë dhe më të bashkuar me një-tjetrin”, u shpreh ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit,  Ilir Meta.

 Rama: Kremtojmë gëzimin e jetës

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët e krishterë por edhe të gjithë shqiptarët në faqen e tij zyrtare të Facebook, nëpërmjet një kartoline ku shfaqet me një vajzë të vogël, të cilën e mban në krahë. “Gëzuar Krishtlindjen!”, është urimi i thjeshtë dhe domethënës i kreut të qeverisë. Ndërsa nuk ka munguar edhe mesazhi shpresëdhënës nga kreu i qeverisë. “Kjo është një festë ku kremtojmë gëzimin e jetës, forcën e dashurisë, solidaritetin me njëri-tjetrin, besimplotë se e ardhmja do jetë edhe më e mirë se sot. Gëzuar!”, ka uruar kryeministri Rama.