I mbani mend ato sallat, që shpërthenin me brohoritje kur gjykata dënonte me pushkatim ndonjë intelektual, zë kritik apo të rinj që tentonin arratisjen? Dhe pyetjen, si mundet një shoqëri të bashkohet me të keqen? I mbani mend “burrat e shtetit” që u këndohej këngë para syve të tyre? Cili vend tjetër krijon këngë për udhëheqësin e radhës? I mbani mend skenat në KV kur punonjësit e bashkisë qanin se kryetrari i tyre humbi zgjedhjet, apo kur një tjetër kryetar u shkarkua për akte kriminale në të kaluarën? e mbani mend gruan në Berat që thoshte, nuk duam as ujë, as bukë, as punë, por ama vetëm ju në parti mos u zini? I mbani mend skenat e dëgjesave, kur hallexhinj të varfër e të braktisur turreshin për t’i puthur dorën kryeministrit dhe shefit të Partisë? E mbani mend policinë e rreshtuar me regji për t’i thënë faleminderit ministrit, që doli i lidhur me grupet kriminale? Etj,.
Janë copëza të një kulture, nënshtrimit dhe shërbimit ndaj pushtetit dhe “të fortit”, pa kushte, pa respekt, pa mendim, pa aftësi për të kuptuar e dalluar të mirën nga e keqja. Janë tipare të një shoqërie në degradim vlerash dhe krizë identiteti social e qytetar. Janë edhe tregues i “njeriut të ri” që nuk mendon, nuk kupton, nuk dallon, nuk reflekton, – thjesht bëhet pjesë e mekanizmit, siç e perifrazon Arend në tezën mbi banalitetin e të keqes.
Së fundmi, një zyrtare e lartë është zyrtarisht e pandehur për korrupsion dhe abuzim me pushtetin/buxhetin/interesin publik. Vlera abuzuese është shumë më e lartë sesa buxheti vjetor për pensionistët në Fier apo në Lushnje. Në një shoqëri normale qytetarët reagojnë, zyrtarët përgjigjen përpara ligjit, shteti e institucionet reflektojnë, bashkia dhe të zgjedhurit (deputetë, këshilltarë, etj) refuzojnë modele të tilla. Te ne? Festë, shampanjë, hartime lavdëruese në FB dhe fishekzjarrë në sheshe. Lavde dhe krenari. Vetëm komike, absurde dhe paradoksale? Mbi të gjitha fyese për shoqërinë, pasqyrë ku jemi dhe një grusht në fytyrë retorikës “në drejtimin e duhur”, Shqiperia qe duam, në 2030 pjesë e BE dhe se kjo se haxhiqamilizma të tillë janë e vemja rrugë për Shqipërinë.


















