Ministria e Shëndetsisë/ Propozohet skemë e re e zhvatjes në Onkologjik: Ministrja u kërkon të sëmurëve të paguajnë ilaçet e kancerit

Ky vendim shënon një precedent të rrezikshëm: shteti tërhiqet nga detyrimi kushtetues për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa pacientët me kancer trajtohen si bashkë-financues të dështimeve qeveritare. Në vend të luftës kundër korrupsionit, tenderëve fiktivë dhe zhdukjes së fondeve, qeveria ka zgjedhur të faturëzojë të sëmurët.

  Skema e re e zhvatjes në Onkologjik: Ministrja u kërkon të sëmurëve të paguajnë ilaçet e kancerit

Evis Sala propozon bashkë-financim 30% nga pacientët për medikamentet jetike, ndërsa fondet publike dhe tenderët zhduken 

Sigal

Vazhdojnë vendimet tronditëse të Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, në lidhje me nevojat jetike dhe vështirësitë financiare të pacientëve që trajtohen në Spitalin Onkologjik të Tiranës. Sipas informacionit të siguruar  nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ministrja Evis Sala dhe Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Arti Papajani, kanë shkuar deri aty sa të miratojnë një skemë ku pacientët me kancer duhet të paguajnë vetë një pjesë të ilaçeve.

“Solidaritet financiar”, sipas ministres

Ministrja Evis Sala e ka quajtur këtë vendim “nismë për solidaritet financiar me spitalin”, duke propozuar që pacientët e Onkologjikut të paguajnë 30% të vlerës së medikamenteve që mungojnë në farmacinë spitalore. Në praktikë, kjo do të thotë se shteti, i cili ka detyrim ligjor të ofrojë trajtim dhe ilaçe falas për sëmundjet onkologjike, po ua kalon barrën financiare pacientëve dhe familjeve të tyre. Kjo skemë propozohet në të njëjtën kohë kur ministrja ka deklaruar publikisht se janë shtuar 2 miliardë lekë për furnizimin me ilaçe në Spitalin Onkologjik. Megjithatë, ilaçet vazhdojnë të mungojnë, ndërsa pacientët detyrohen t’i blejnë në farmacitë private pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Ministrja e ka quajtur këtë vendim “nismë për solidaritet financiar me spitalin”, duke propozuar që pacientët e Onkologjikut të paguajnë 30% të vlerës së medikamenteve që mungojnë në farmacinë spitalore. Në praktikë, kjo do të thotë se shteti, i cili ka detyrim ligjor të ofrojë trajtim dhe ilaçe falas për sëmundjet onkologjike, po ua kalon barrën financiare pacientëve dhe familjeve të tyre.

Lista e medikamenteve që pacientët duhet t’i paguajnë

Sipas dokumenteve dhe informacionit të siguruar, skema e bashkë-financimit 30% përfshin një sërë medikamentesh jetike për trajtimin e kancerit, mes tyre:

Cetuximab, Irinotekani, Irino, Carboplatine, Herceptin, Goserelin, TDM1, Brakiterapia, Phesgo 1200/600, Phesgo 600/600, Axitinib, Imunoterapi, Actinomycin-D, si dhe medikamente të tjera të specializuara. Këto barna rezultojnë të jenë të prokuruara nga ministria përmes tenderëve, por mungojnë në farmacinë e spitalit dhe gjenden vetëm në tregun privat, ku çmimet janë të papërballueshme për shumicën e pacientëve.

Mungesë shtretërish dhe pajisjesh, pagesë mbi pagesë

Sipas situatës aktuale, për rreth 70 pacientë që trajtohen çdo ditë në Onkologjik, ka vetëm 17 shtretër funksionalë. Pjesa tjetër e pacientëve detyrohen të presin, të blejnë vetë shërbime, apo edhe të paguajnë për pajisje mjekësore, riparime dhe materiale bazë që duhet t’i sigurojë shteti.

Në vend që të zgjidhë krizën e menaxhimit, ministrja ka zgjedhur rrugën më të lehtë: transferimin e kostos te pacientët më të pambrojtur në vend.

Kush e ka miratuar këtë skemë?

Skema është miratuar nga Këshilli Administrativ, i përbërë nga drejtues të lartë të qeverisë dhe institucioneve shëndetësore:

– Evis Sala, kryetare, ministre e Shëndetësisë

– Fatos Shkurti, nënkryetar, përfaqësues i sindikatave të shëndetësisë

– Arti Papajani, anëtar, Drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

– Xhoana Agolli, anëtare, Drejtore e Menaxhimit të Buxhetit dhe Borxhit Publik, Ministria e Financave

– Astrit Hado, anëtar, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore

– Dritan Trepça, Kryetar i Urdhërit të Mjekëve, dhe përfaqësuesi i sindikatave Kol Nikolla

– Alqi Kushi, anëtar, Drejtor i Përgjithshëm i Ekonomisë dhe Shërbimeve Mbështetëse, Ministria e Shëndetësisë

Ky vendim shënon një precedent të rrezikshëm: shteti tërhiqet nga detyrimi kushtetues për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve, ndërsa pacientët me kancer trajtohen si bashkë-financues të dështimeve qeveritare. Në vend të luftës kundër korrupsionit, tenderëve fiktivë dhe zhdukjes së fondeve, qeveria ka zgjedhur të faturëzojë të sëmurët./Pamfleti

Shqipëria, vendi më i pasigurt në Ballkan për përballimin e kostove shëndetësore

Familjet në Shqipëri rezultojnë ndër më të goditurat financiarisht në Ballkan nga shpenzimet shëndetësore dhe frika për përballimin e kostove në rast sëmundjeje të rëndë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit në sondazhin Securimeter 2025.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria shfaq një kombinim të pafavorshëm: shpenzime të larta nga xhepi, nivel të ngritur shqetësimi për shërbimet rutinë dhe një frikë ekstreme për kostot në rast sëmundjeje të rëndë apo aksidenti.

Shpenzimet nga xhepi mbeten të rënda për familjet shqiptare

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se vetëm 9 për qind e familjeve shqiptare deklarojnë se shpenzojnë “më pak se 1 për qind” të të ardhurave për shëndetin, një nivel dukshëm më i ulët se në disa vende të tjera të Ballkanit. Nga ana tjetër, 57 për qind e familjeve shpenzojnë “mes 1 për qind dhe 10 për qind” të të ardhurave për shëndetin, ndërsa 27 për qind deklarojnë se shpenzojnë “më shumë se 10 për qind”, një tregues i qartë i barrës së lartë financiare.

Në krahasim, Bosnje dhe Herzegovina ka 19 për qind të familjeve që shpenzojnë “më pak se 1 për qind” dhe vetëm 20 për qind e familjeve shpenzojnë mbi 10 për qind për nevoja mjekësore.

Kosova ka 14 për qind të familjeve që shpenzojnë nën 1 për qind dhe 32 për qind të tyre që shpenzojnë mbi 10 për qind. Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 13 për qind për familjet që shpenzojnë më pak se 1 për qind dhe 27 për qind për ato mbi 10 për qind, çka e vendos Shqipërinë nën mesatare për familjet me shpenzime minimale dhe në nivel të lartë për barrën reale financiare.

Frika për rastet e rënda: Shqipëria mbi të gjithë rajonin

Kontrasti më i fortë shfaqet në pyetjen për përballimin e kostove në rast sëmundjeje të rëndë apo aksidenti. Në 2025, 63 për qind e shqiptarëve janë “shumë të shqetësuar” dhe 25 për qind “disi të shqetësuar”, pra 88 për qind shprehin frikë të drejtpërdrejtë nga pamundësia për të përballuar shpenzimet. Mesatarja e rajonit është ndjeshëm më poshtë, me 77 për qind të shqetësuar. Në vendet e tjera, përqindja e “shumë të shqetësuarve” është dukshëm më e ulët: Mali i Zi (49 për qind), Serbia (45 për qind), Maqedonia e Veriut (38 për qind), Bosnje dhe Herzegovina (34 për qind) dhe Kosova (27 për qind). Të dhënat e vitit 2024 për Shqipërinë (64 për qind “shumë” dhe 22 për qind “disi”) tregojnë se ky nivel alarmi është praktikisht i pandryshuar, duke e bërë frikën nga kostot shëndetësore një nga shqetësimet kryesore sociale./ekofin.al