Financat drejt kolapsit/ Detyrimet e prapambetura, 547 mln. euro në fund të shtatorit. Shteti nuk paguan dritat, 626 mln euro të pashlyera

379
Sigal

Detyrimet e prapambetura arritën 547 mln euro në fund të Shtatorit

Ministria e Financave raportoi se në fund të muajit shtator 2021 detyrimet e prapambetura (faturat e pashlyera në kohë ndaj kontraktorëve private për punë dhe shërbime) arritën në 19,5 miliardë lekë (159 milionë euro).Të dhënat zyrtare (shih tabelën bashkëngjitur) tregojnë se për gjatë një muaji stoku i detyrimeve është zgjeruar me 18 për qind, duke arritur në fund të shtatorit në 19.5 miliardë lekë nga 16.5 miliardë lekë që ishte në fund të muajit gusht. E gjithë rritja e detyrimeve të prapambetura erdhi nga akumulimet e faturave ndaj punëve të pashlyera në infrastrukturë. Në fund të shtatorit detyrimet në këtë zë arritën në 10.3 miliatrdë lekë ose 84 milionë euro me zgjerim 43 për qind në krahasim me muajin gusht ku numëroheshin 7.2 miliardë lekë detyrime. Ndërsa detyrimet në zërin “të tjera” që përfshijnë borxhe për mallra e shërbime të enteve të tjera arritën në vlerën 9,2 miliardë lekë, pothuajse e pandryshuar në raport me muajin gusht.

547 mln euro megjithë detyrimet e gjykatave të huaja

Shuma e detyrimeve të prapambetura që nuk reflektohen në borxhin public, por që janë fatura që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë arrin në 547 milionë euro, duke përfshirë edhe vendimet e gjykatave të huaja. Kontrolli i Lartë i shtetit në analizën për zbatimin e buxhetit 2020 të cilën e ka depozituar edhe në Kuvendin e Shqipërisë evidentoi se fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020 Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave. Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje, në vlerën 388,479,560 euro, janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje, në vlerën 10,651,257 euro,  janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH. KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

Borxhlinjtë e OSHEE-së, shteti s’paguan dritat, edhe biznesi rrit detyrimet, 626 mln euro të pashlyera

Viteve të fundit kanë qenë dy kategori tipike që vijojnë të rrisin stokun total të detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë. Në fund të shtatorit, OSHEE Group raportoi se borxhi ndaj saj nga katër kategori regjistroi nivelin 76.9 miliardë lekë, duke u rritur me 1.74 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Gjatë këtij viti kategoritë që kanë vazhduar të rrisin borxhin janë institucionet buxhetore me një stok në fund të shtatorit në 4.5 miliardë lekë, nga 4.1 miliardë në fund të vitit të kaluar. Edhe institucionet jobuxhetore, ku bëjnë pjesë ujësjellësit, kompanitë e ndriçimit të qytetit që në fund të shtatorit, kishin një detyrim të akumuluar prej 15.5 miliardë lekë gati 13.4 për qind më e lartë se ajo në fund të vitit të shkuar.Sektori privat nga ana tjetër, që përfaqësohet nga bizneset kanë arritur në fund të shtatorit nivelin më të lartë të borxhit të akumuluar ndër vite të paktën që nga viti 2009 që janë të disponueshme shifrat e OSHEE. Detyrimet e prapambetura të kësaj kategorie arritën 11.5 miliardë lekë me një rritje prej 3.7 për qind në raport me fundin e vitit 2020.

Kategoria e familjarëve janë të vetmit që vijojnë të ulin stokun prej vitesh ku nga niveli prej 55 miliardësh që ishte në vitin 2014, kur edhe nisi reforma në sektor deri në fund të shtatorit të këtij viti, është ulur në vlerën 45.4 miliardë lekë.

Vetëm në vitin 2020 stoku shënoi një rritje të lehtë duke mos ndjekur ciklin rënës që kishte ndër vite diçka që u argumentua nga kompania e shpërndarjes me situatën e pandemisë, pamundësinë për të lëvizur normalisht gjatë karantinës apo vështirësitë financiare me të cilat mund të jenë përballur familjet në kulmin e COVID-19.

Detyrimet e prapambetura që familjarët kanë ndaj OSHEE janë reduktuar gradualisht përmes aplikimit të aktmarrëveshjeve ku përveç faturës korrente paguhet edhe një pjesë e detyrimit të prapambetur. Në një fazë më të hershme nga ana e OSHEE u aplikuan edhe skema të pagesës së menjëhershme të borxhit duke reduktuar kamatëvonesat që ishin aplikuar në fatura.

Situata e borxheve vijon të mbetet problematike për sektorin energjetik në një lidhje zinxhir mes vetë operatorëve. Vështirësia me të cilën po përballen tani kompanitë dhe sidomos shpërndarja sa i takon  shpenzimeve për import të energjisë e bëjnë edhe më të ndjeshme situatën e detyrimeve të prapambetura