Probleme gjatë mbledhjeve dhe hedhjes së shortit, shkelja e afateve, mangësi në vlerësimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese

302
Sigal

Raporti i Avokatit të Popullit, liston gjithë shkeljet e Dvoranit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përgjatë vitit 2019

Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një raport të veçantë të “Monitorimit të Veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” përgjatë vitit 2019. Avokati i Popullit shprehet se ka pasur probleme gjatë mbledhjeve, ndërsa shton se ka pasur problematikë edhe gjatë hedhjes së shortit. Raporti i publikuar, evidenton probleme të konstatuara nga institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e tij si vëzhgues i mbledhjeve të KED-së përgjatë vitit 2019. Raporti i publikuar, evidenton probleme të konstatuara nga institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e tij si vëzhgues i mbledhjeve të KED-së përgjatë vitit 2019. Ndër këto problematika spikasin ato të vërejtura gjatë procedurave të hedhjes së shortit për krijimin e KED-së, mbledhjet dhe njoftimet për mbledhje të këtij institucioni, pjesëmarrja në mbledhje, procedurat e ndjekura nga KED-ja për verifikimin e plotësimit të kushteve formale për vlerësimin e kandidaturave, vlerësimin e kandidatëve, transparencën e organit të KED-së, respektimin e afateve nga ana e saj, etj.

Shkresat e KED-së nisen nga Dvorani, pa dijenë e relatorit

Për komunikimet me institucionet e tjera, rezultoi se gjatë vitit 2019, të gjitha shkresat drejtuar këtyre institucioneve janë nisur nga kryetari i KED-së. Duke pasur parasysh mungesën e regjistrimit të komunikimit të brendshëm ndërmjet relatorëve dhe kryetarit të KED-së (si në rastet e dërgimit të shkresave për institucionet e tjera, ashtu edhe në rastet e kthimit të përgjigjeve nga këto institucione pretendimet e njërit prej kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, që nga ana e kryetarit të KED-së janë nisur shkresa pa dijeninë e relatorit; do rekomandonim që deri në momentin që të rregullohet komunikimi i brendshëm ndërmjet relatorëve dhe kryetarit të KED-së, shkresat për jashtë institucionit të hartohen nga relatori dhe kryetari i KED-së të hartojë shkresën përcjellëse.

Mungesa e zbardhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-së

Pavarësisht se parashikimet e mësipërme rregullatore normative janë mjaft të qarta, gjatë 11 muajve të parë të vitit 2019, nga ana e kryetarit të KED-së, nuk u respektuan detyrimet e sipërcituara (për zbardhjen e procesverbaleve dhe rrjedhimisht për sa kohë nuk ishin zbardhur edhe mosdërgimi i tyre).

 

Dvorani nuk informon Avokatin e Popullit

Në situatën, kur nga ana e kryetarit të KED-së nuk po dërgoheshin procesverbalet e mbledhjeve, Avokati i Popullit kërkoi zyrtarisht, (disa herë me gojë gjatë mbledhjeve, por edhe me disa shkresa zyrtare), vënien në dispozicion të tyre. Megjithatë, procesverbalet e mbledhjeve të KED-së nuk na u vunë në dispozicion dhe nuk patëm përgjigje. Kërkesat për vënien në dispozicion të procesverbaleve, Avokati i Popullit ia ka drejtuar gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por kjo çështje nuk iu përcoll për diskutim anëtarëve të KED-së nga ana e kryetarit të këtij organi publik, për një kohë shumë të gjatë. Gjithashtu, situata bëhet më shqetësuese në se kemi parasysh faktin se, kërkesave të Avokatit të Popullit, kryetari i KED-së, z. Dvorani, nuk u ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për muaj me rradhë, duke mos dhënë kështu as arsyet ligjore të refuzimit të tyre.

Dvorani shkel ligjin, zbardh fjalimet e tij, por jo të anëtarëve të KED-së

Në se vazhdojmë me hipotezën e ekzistencës së një detyrimi ligjor për ndalimin e publikimit të diskutimeve të anëtarëve të KED-së, të kryera gjatë mbledhjeve të këtij organi publik, konstatojmë se ka një qëndrim të ndryshëm të vetë kryetarit të KED-së, në raport me këtë detyrim. Më konkretisht, diskutimet e kyetarit të KED-së, në një pjesë të konsiderueshme janë publikuar, por në se do ekzistonte kufizimi ligjor i pretenduar nga kryetari i KED-së, ky kufizim duhej të ishte i vlefshëm edhe për të, pasi nuk ka asnjë parashikim ligjor, që i jep atij të drejtën të botojë vetëm diskutimet e tij dhe jo edhe ato të anëtarëve të tjerë të KED-së.

Mungesë transparente nga Dvorani i KED-së

Mosvënia në dispozicion e procesverbaleve të plota të mbledhjeve, anëtarëve të KED-së, mosvënia në dispozicion e procesverbaleve të plota të mbledhjeve, vëzhguesit (Avokatit të Popullit), apo subjekteve të tjera të ftuar, që kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e KED-së, si dhe mospublikimi i procesverbaleve të përmbledhura me veprimet që kanë ndodhur gjatë mbledhjes së KED-së, ul shumë nivelin e transparencës së organit publik, përkatësisht KED-së, përtej kufijve të përcaktuar nga ligji. Kjo transparencë është shumë e ulët për vetë institucionet e parashikuara në ligj që të jenë pjesëmarrëse në mbledhje për të garantuar transparencën, pasi për të tretët, mendojmë se transparenca është edhe më e kufizuar. Gjatë hartimit të Rregulloreve të brendshme të funksionimit të këtij organi publik, u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit.

Kandidatët e përzgjedhur nga KED-ja, pa njohuritë përkatëse

Pas miratimit të Rregulloreve për funksionimin e KED-së dhe shpalljeve përkatëse, kandidatët dorëzuan dokumentacionin përkatës. Ashtu si dhe në procesin e hartimit të rregulloreve, edhe faza e shpalljes dhe marrjes në dorëzim të dokumentave ishte një procedurë që zhvillohej për herë të parë nga ana e KED-së, ndaj edhe kishte çështje që ngjallën diskutime. Rezultoi se një pjesë e kandidatëve nuk kishin njohuritë e duhura për procesin dhe/ose nuk kishin të njëjtin lexim për kriteret, me atë që kishte KED-ja, në mënyrë të veçantë në lidhje me afatin e verifikimit të përmbushjes së kriterit të pasurisë.

Afatet për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe ILD-së mjaft të kufizuara

Nga konstatimet tona rezultoi se afatet strikte të parashikuara nga ligji për këtë fazë, (veçanërisht neni 235, pika 2, e ligjit 115/2016), bënë që një pjesë e kandidatëve të tërhiqeshin nga kandidimi, për shkak se nuk arritën dot të siguronin/plotësonin dokumentacionin përkatës në kohën e duhur. Pra, afatet e parashikuara nga ligji, janë mjaft të kufizuara, si për kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese ose Inspektor të Lartë të Drejtësisë, por edhe për institucionet.

Pamundësia e kandidatit për anëtar i Gjykatës Kushtetuese për të komunikuar me KED-në

Një problem tjetër ligjor i konstatuar nga ana jonë është, pamundësia e kandidatit për të komunikuar drejtëpërdrejtë me Këshillin. Më konkretisht, komunikimi ndërmjet kandidatit me organin e KED-së, bëhet kryesisht nëpërmjet relatorit dhe ky i fundit përpilon relacionin përkatës, për Këshillin. Në kushtet kur siç përmendëm, nuk na u vu në dispozicion dokumentacioni i plotë i komunikimit ndërmjet relatorit dhe kandidatit, nuk mund të përcaktohet në se ky dokument është përmbledhur në relacion.

Mungesa e informimit nga KED-ja për për vlerësimin e kandidatëve

Në datën 10 shtator 2019, institucioni ynë u informua nëpërmjet medies, se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kishte kryer vlerësimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët kishin kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Në mungesë të një njoftimi zyrtar për Avokatin e Popullit, për zhvillimin e një mbledhjeje të tillë, kemi verifikuar këtë informacion pranë faqes zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga ku rezultoi se, në rubrikën “Njoftime për medien dhe publikun”, nuk kishte asnjë njoftim për mbledhje të KED-së me objekt: Vlerësimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët janë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese (nga publikimi në faqen e KED-së, rezultonte se mbledhja e fundit e KED-së kishte qenë ajo e datës 09.09.2019, e cila ka pasur tjetër objekt). I vetmi informacion që lidhej me këtë temë (pra me vlerësimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët ishin kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese), ishte një Njoftim për shtyp i publikuar nga Zyra e Shtypit e Gjykatës së Lartë, i cili mbante datën 10.09.2019. Nëpërmjet këtij njoftimi të publikuar në faqen “on line”, të KED-së, jemi vënë në dijeni të faktit se, citojmë: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët janë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të nenit…..bën publike rezultatin paraprak të pikëzimit për secilin kandidat si me poshtë: “Nga ky njoftim për shtyp, por edhe nga mungesa e njoftimit për mbledhjen me këtë temë, për institucionin tonë ishte e paqartë në se ishte mbledhur KED-ja për përcaktimin e pikëve për kandidatët për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, dhe në se po, në cilën datë?”

Kryetari i KED-së mohon të informojë Avokatin e Popullit

Avokati i Popullit kërkoi që t’i vihej në dispozicion një kopje e të gjithë dokumentacionit, që lidhej me sqarimin e pyetjeve të mësipërme (përfshirë edhe proces-verbalin e mbledhjes me objekt: Vlerësimin e kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët janë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese). Pavarësisht se kërkesa jonë ishte e qartë dhe nuk kërkonte përgatitjen e ndonjë materiali të veçantë, apo ndonjë volum të madh pune, nuk na u dërgua asnjë përgjigje nga kryetari i KED-së. Përpara datës 20.09.2019, Avokati i Popullit, por as kandidatët apo publiku i gjerë nuk ka qenë njoftuar për ndonjë mbledhje, në të cilën të ishte bërë vlerësimi dhe pikëzimi i kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese. I vetmi njoftim në faqen e KED-së për këtë çështje është ai që përmendëm më sipër (i datës 10.09.2019), i cili bën publik rezultatin paraprak të pikëzimit. Pra, nga dokumentacioni i publikuar nga KED, rezulton që nuk ka pasur mbledhje të veçantë për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidaturave. Për sa më sipër është e pakuptueshme se si mund të kalohet në bërjen publike të rezultatit paraprak të pikëzimit për kandidatët (njoftimi i datës 10.09.2019), për sa kohë që nuk ka pasur mbledhje për këtë çështje. Shtojmë se, nga data 10.09.2019, deri në datën 21.09.2019 nuk ka pasur asnjë njoftim jo vetëm për publikun, por as për institucionin tonë si një pjesëmarrës i legjitimuar aktiv në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së, për të siguruar zbatimin e parimit të transparencës, parashikuar si në Kushtetutë, ashtu edhe në ligjin nr.115/2016.

Aktet e vlerësimit të arsyetuara, nuk u arritën të publikoheshin nga KED-ja përpara mbledhjeve ku u shqyrtuan kandidaturat

Një tjetër konstatim i yni është edhe se, aktet e vlerësimit të arsyetuara, nuk u arritën të publikoheshin përpara mbledhjeve ku u shqyrtuan kandidaturat. Vlen të theksohet se bërja publike e vlerësimit për secilin kandidat, prej secilit prej anëtarëve të Këshillit është një vendim që duhet vleresuar dhe që kontribuon në përgjegjshmërinë në vendimarrje dhe realizon deri në një shkalle të kënaqshme transparencën për këtë pjesë të procesit. Theksojmë se metodologjia e vlerësimit, si një akt orientues i miratuar nga Këshilli, përmban e përbën një bazë të rëndësishme për të aplikuar të njëjtat kritere për të gjithë kandidatët. Megjithatë një analizë mund të bëhet në rastet kur në Këshill janë vënë re pikëzim me vlera thelbësisht të ndryshme për kandidatët nga disa prej anëtarëve të KED-së. KED-ja nuk arriti të realizonte një proces pa të metë, për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Mungesa e transparencës nga KED-ja

Mungesa e analizës në Relacion, cënon edhe të drejtat e kandatëve, pasi ata kanë të drejtë të njihen me arsyet konkrete përse po ju mohohet kandidimi (pra kandidati nuk do kundërshtojë bërjen ose jo të veprimit nga relatori, por përmbajtjen/konkluzionin). Kjo mungesë nuk garanton zbatimin e parimeve mbi të cilat duhet të funksionojë organi i KED-së dhe të zhvillohet procesi i verifikimit të përmbushjes së kushteve ligjore dhe vlerësimit të kritereve profesionale dhe morale, të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë. Mungesa e analizës nga ana e relatorit në Relacion, si dhe po ti shtohet edhe fakti që institucioni ynë me Vendimin nr. 4, datë 11.03.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, është përjashtuar nga pjesa e mëtejshme e procesit (pra gjatë bisedimeve për shqyrtimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët), jo vetem që ul nivelin e transparencës, por bën shumë të vështirë, kryerjen e detyrave që Kushtetuta dhe ligji nr. 115/2016, i kanë ngarkuar Avokati të Popullit në këtë proces.

Mospasqyrimi i informacionit të plotë në Vendimet e KED-së

Nga shqyrtimi i Vendimeve të KED-së, për aprovimin ose jo të kandidatëve, na rezulton se nuk është pasqyruar gjithë sa ka ndodhur gjatë procesit. Më konkretisht, fakti i përjashtimit të institucionit të Avokatit të Popullit nga veprimtaria e KED-së, sipas normave të caktuara në vet rregulloret e brendshme të këtij organi publik, nuk pasqyrohet në Vendimet e KED-së. Në pjesën hyrëse të të gjitha vendimeve të KED-së thuhet se, Avokati i Popullit ka qenë prezent, në pjesën arsyetuese thuhen mendimet e dhëna nga Avokati i Popullit për çështjen në fjalë, por në asnjë rresht të këtyre Vendimeve nuk thuhet që Avokati i Popullit, nuk ka qenë prezent në momentin e diskutimeve për problematikat e ndryshme që mund të rezultojnë për kandidatët, si dhe në momentin e votimit.

Mospublikimi i diskutimit të anëtarëve të KED-së, në procesverbalin e përmbledhur të mbledhjeve të KED-së

Duke vlerësuar rëndësinë e pasqyrimit të punës së një organi publik dhe transparencën e treguar karshi publikut të gjerë, Avokati i Popullit mban qëndrimin se, në procesverbalin e përmbledhur të mbledhjeve të KED-së, duhet të pasqyrohen edhe mendimet/diskutimet e anëtarëve të KED-së dhe jo vetëm ato të kryetarit të KED-së, vëzhguesit të përhershëm pra, të Avokatit të Popullit dhe të të ftuarve të tjerë (përgjithësisht përfaqësuesit të institucionit të Presidentit të Republikës), sikurse edhe ka ndodhur deri më tani. Mospërfshirja në përmbajtjen e procesverbalit të përmbledhur të mbledhjeve të KED-së, e mendimet/diskutimet e anëtarëve të KED-së dhe mospublikimi i tyre, jo vetëm nuk i shërben qëllimit të parashikuar nga legjislatori për një transparencë sa më të gjerë të veprimtarisë së këtij organi kolegjial publik, por bën që procesverbali përmbledhës të mos pasqyrojë saktë atë që ndodh realisht në këtë veprimtari.

Mungesa e listës (inventarit) të dokumenteve dhe mangësia e këtij dokumentacioni të dërguar në institucionin e Avokatit të Popullit

Përkundër detyrimit të KED-së ndaj Avokatit të Popullit, gjatë proceseve të zhvilluara nga ana e këtij organi publik gjatë vitit 2019, për shqyrtimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, na ka rezultuar se: -Asnjë prej dosjeve nominale, të kandidatëve për vendet vakante, për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, të dërguara në institucionin e Avokatit të Popullit, nuk ka pasur listën (inventarin) e dokumenteve të përcjella. Mungesa e kësaj liste ka rëndësinë e saj gjatë procesit të verifikimit të dosjeve të dërguara nga KED-ja në institucionin e Avokatit të Popullit, pasi nuk jep siguri dhe nuk garanton numrin e akteve të administruara nga Relatori gjatë procedurës paraprake të zhvilluar prej tij, si dhe nuk konfirmon vërtetësinë e numrit të dokumenteve që janë pjesë e dosjes së kandidatit. Dokumentacioni i dërguar ka pasur mangësi, gjë që e ka vështirësuar së tepërmi krijimin e një opinioni objektiv dhe të saktë, për procedurat e ndjekura nga ana e KED-së, si dhe ka bërë të pamundur për Avokatin e Popullit, dhënien e një mendimi shterues për plotësimin e kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për secilin kandidat. Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht në mbledhjet e KED-së, nga ana e Avokatit të Popullit. Gjithashtu nga procesi i vëzhgimit, na ka rezultuar se në dosjet e dërguara nga Relatorët në Këshill, asnjëherë nuk ka pasur evidencë të tërë materialeve që përmban dosja.

Dvorani shpërfill Avokatin e Popullit për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese

Avokati i Popullit në mbledhjen e KED-së, datë 27.07.2019 jo vetëm që i propozoi KED-së pezullimin e shqyrtimit të kandidaturave përkatëse të cilësuara në këto kushte, por rekomandoi edhe rishikimin dhe riformulimin e pikës 112, të Vendimit të KED-së nr. 4 datë 11.03.2019 «Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë». Avokati i Popullit kërkoi gjithashtu që në kuadër të bashkëpunimit institucional, të votoheshin me prioritet nga KPK-ja dhe KPA-ja kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese. Ky qëndrim i yni nuk është marrë parasysh nga ana e KED-së, pavarësisht këmbënguljes sonë. Megjithatë, muajt në vijim treguan se mospezullimi i procesit të shqyrtimit nga ana e KED-së, në rastin e kandidatit B.M. (i cili u kualifikua nga KED-ja, u emërua më pas nga Presidenti i Republikës dhe në fund u shkarkua me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit), tregoi që jo vetëm nuk u shkurtua koha për plotësimin e vakancës, por procesi detyrimisht rifilloi për pasojë të krijimit të vakancës, pas shkarkimit të z. B.M.

KED-ja nuk ka marrë përgjigje nga institucionet shtetërore të cilave iu është drejtuar për verifikimin e kritereve ligjore

Në vlerësimin tonë, KED-ja nuk ka marrë përgjigje nga institucionet shtetërore të cilave iu është drejtuar për verifikimin e këtij kriteri ligjor. Në këto rrethana, një fakt i tillë duhej pasqyruar si në Relacionin e Relatorit, ashtu edhe në Vendimin përfundimtar të KED-së për çdo kandidat të marrë në shqyrtim. Kjo gjë jo vetëm mungon në Relacionet dhe Vendimet e hartuara nga KED, gjatë vitit 2019, por kjo çështje nuk është ngritur si problematikë as edhe në raportin vjetor të KED-së, për veprimtarinë e saj gjatë vitit 2019.

2 standardet e Dvoranit për caktimin e ekspertëve të jashtëm

Nga ana jonë është konstatuar se në rastin e caktimit të ekspertëve të jashtëm, gjatë procedurave të ndjekura nga ana e KED-së, janë përdorur dy standarde. Nëse krahasojmë procedurat e caktimit të ekspertëve për shqyrtimin e plotësimit të kritereve ligjore nga një kandidat për Gjykatën Kushtetuese dhe të caktimit të ekspertëve për shqyrtimin e plotësimit të kritereve ligjore nga kandidatët për Kryeinspektor të Lartë të Drejtësisë, na rezulton se: – Në rastin e caktimit të ekspertit për vlerësimin e pasurisë, dy relatorët kanë marrë një vendim në datë 19.07.2019, për nevojën e caktimit të një eksperti kontabël dhe auditues ligjor, dhe më pas në datën 24.07.2019, i janë drejtuar Këshillit, me Propozim për caktimin e tij. – Ndërkohë, në rastin e caktimit të ekspertit që do të testonte kandidatët për Kryeinspektor të Lartë të Drejtësisë, për gjuhën e huaj, nuk na u vu në dispozicion asnjë dokumentacion për mënyrën e përzgjedhjes së tij. Megjithatë nga shpjegimet që u dhanë verbalisht nga kryetari i KED-së gjatë një prej mbledhjeve të KED-së na rezultoi se, ai vetë kishte kontaktuar një ekspert për këtë qëllim.

Përgjegjësitë ligjore të kryetarit të KED-së, Dvoranit

Në vlerësimin e Avokatit të Popullit, moszgjidhja e çështjeve të ngritura në këtë raport, apo mosadresimi i kërkesave të tjera të bëra prej tij, nga ana e kryetarit të KED-së, kanë kufizuar dukshëm mundësinë e Avokatit të Popullit për të ushtruar detyrën që atij i ngarkon Kushtetuta dhe ligji dhe potencialisht kanë kufizuar mundësinë e kandidatëve për të pasur një trajtim të barabartë

Mungesa e dhënies së opinioneve nga institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile

Gjatë vitit 2019 nuk rezulton që dy kategoritë e mësipërme, (a. institucionet publike, b. organizatat e shoqërisë civile) të kenë dhënë opinione në lidhje me kandidaturat. Në vlerësimin tonë, kjo mungesë opinionesh, mund të jetë rezultat edhe si pasojë e përpjekjeve të pamjaftueshme nga ana e KED-së, për zbatimin e këtij detyrimi ligjor. Më konkretisht nuk ka pasur asnjë njoftim të personalizuar drejtuar dy kategorive, apo edhe njoftim nëpërmjet formave të tjera, psh njoftim për shtyp, komunikim me mediat, etj. Vetëm njoftimi i bërë në faqen e KED-se për mbledhje (nëpërmjet të cilit mund të informohen kategoritë e sipërpërmendura për kandidatët), në vleresimin tonë është i pamjaftueshme për përmbushjen nga ana e KED-së të detyrimit ligjor të sipërpërmendur.

Mosshpallja e vendeve vakante nga ana e Gjykatës së Lartë

Deri në datën 26 korrik 2019, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Lartë z. Xhezair Zaganjori, nga ish kryetari z. Zaganjori, nëpërmjet faqes së internetit të Gjykatës së Lartë u bënë disa shpallje, ndërkohë që pas largimit të tij, nga drejtuesi në detyrë i kësaj Gjykate z. Ardian Dvorani, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i KED-së për vitin 2019, jo vetëm u ndërpre ky proces, (nuk u bë më asnjë shpallje), por për më tepër nuk është dhënë ndonjë shpjegim, (as në mbledhjet e KED-së dhe as në raportin vjetor të KED-së për vitin 2019) për arsyet e këtij mosveprimi.

Mosrespektimi i afateve nga ana e KED-së

I zgjatur ka rezultuar gjithashtu edhe afati i caktuar në ligjet nr. 8577/ 2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë” dhe nr. 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, brenda të cilit Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të duhej të kishte mbaruar procedurat e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve.

Rekomandime

Në kuadër të çështjeve të përmendura në këtë Raport, rrjedhim i trajtimit analitik e tërësor të situatës së krijuar, nga institucioni i Avokatit të Popullit, për KED-në e vitit 2020 paraqiten këto rekomandime: Për zbatimin në mënyrë korrekte të akteve normative në fuqi: Të rimarrë në shqyrtim kërkesën e Avokatit të Popullit për kufizimin e kompetencave bërë nga KED-ja e vitit 2019, nëpërmjet Rregulloreve dhe me konkretisht të heqë “dhomën e këshillimit”, mekanizëm ky i paparashikuar në asnjë akt normativ, (Kushtetutë, ose ligj) që rregullon punën e KED-së. Të hartojë rregulloren për mënyrën e komunikimit brenda KED-së (përfshi edhe komunikimin ndërmjet relatorëve dhe kryetarit, relatorëve dhe këshilltarëve ligjorë, etj.).