Soreca keqinformon Brukselin dhe paraqet situatën rozë!

320
Sigal

Praktika e delegacionit të BE-së, në shpërndarjen e informacionit të limituar dhe shpesh çorientuese ndaj Brukselit, vijon edhe në administratën e re. Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe drejtoria e përgjithshme e EEAS, janë kritikuar rregullisht nga vendet anëtare

Gazeta “New Europe” kritika të forta misionit të BE-së në Shqipëri

Gazeta e pavarur “New Europe” me bazë në Bruksel, ka publikuar një artikull mjaft kritik ndaj kryeministrit Rama dhe faktit se ai ka mohuar ekzistencën e 15 kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë, përpara nisjes së bisedimeve me Bashkimin Europian. Në artikull kritikohet veçanërisht edhe roli i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe i shefit të misionit, Luigi Soreca, i cili nuk i përmendi 15 kushtet në mbledhjen e Këshillit të Integrimit. Gjithashtu, “New Europe” konsideron se delegacioni i BE-së, shpesh e keqinformon Brukselin për situatën reale në Shqipëri, ndryshe nga vendet anëtare, që kanë raportime objektive mbi situatën, nëpërmjet ambasadave të tyre. “Ditën tjetër [pas mbledhjes së Këshillit të Integrimit], ai [Rama] e çuditi publikun duke e mohuar me forcë dhe në mënyrë të përsëritur ekzistencën e këtyre kushteve të reja, të cilat do të krijonin të çara në përpjekjen propagandistike për të portretizuar suksesin e padiskutueshëm dhe të pashembullt”, thuhet në shkrim, lidhur me qasjen mohuese të Ramës ndaj 15 kushteve. Ndryshe nga qëndrimi i Ramës dhe shefit të delegacionit të BE-së, Soreca, ambasadorët e vendeve anëtare i kanë përmendur në mënyrë të përsëritur kushtet. Gazeta përmend rastin e Ambasadorit austriak, Christian Steiner, apo thirrjet e Partisë Popullore Europiane, e cila paraqitin një amendament në rezolutën e Parlamentit Europian, pasi Rama i kishte mohuar 15 kushtet. “Shefi i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Integrimit më 9 Qershor, por nuk përmendi kushtet e Këshillit në mënyrë të qartë. Në vend të kësaj, ai foli në mënyrë të përgjithshme për reformat dhe lavdëroi dialogun ndërpartiak. Delegacioni i Brukselit në Shqipëri ka një reputacion të keq, për informimin e gabuar të Brukselit, lidhur me situatën reale në Shqipëri. Marrëdhëniet speciale të shefes së mëparshme, Romana Vlahutin dhe Ramës, kanë bërë që BE-ja, të mos jetë e informuar sa duhet për situatën e vërtetë në terren, lidhur me prodhimin në masë dhe eksportin e drōgave të paligjshme nga Shqipëria, një fakt që e ka transformuar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës”, thuhet në shkrim. Pasi përmend marrëdhënien “speciale” mes Ramës dhe Vlahutin dhe impaktin e saj në raportimin e gabuar lidhur me situatën e kultivimit të drōgës në Shqipëri, në gazetë thuhet se edhe administrata e re, vijon të njëjtën praktikë duke raportuar gjendjen rozë në Shqipëri. “Praktika e delegacionit të BE-së, në shpërndarjen e informacionit të limituar dhe shpesh çorientuese ndaj Brukselit, vijon edhe në administratën e re. Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe drejtoria e përgjithshme e EEAS, janë kritikuar rregullisht nga vendet anëtare, të cilat kanë ambasadat e tyre në Tiranë, të cilat marrin një pasqyrë objektive të situatës, në vend të paraqitjes shumë rozë që misioni i BE-së bën për Shqipërinë”, thuhet më tej në shkrim.