Prizren – Zhvillohet Festa e Abetares “Ne Festojmë Të Bashkuar”

1031
Sigal

Në Sallën e Sporteve “Sezai Surroi” në Prizren është zhvilluar sot festa tradicionale e Abetares së Përbashkët “Ne Festojmë të Bashkuar”, organizim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë të Kosovës (MAShT) dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë (MASR) të Shqipërisë.

Të pranishëm në këtë aktivitet të përvitshëm ishin Ministrja Besa Shahini, homologu kosovar Shyqiri Bytyqi, nxënës të klasave të para nga Kosova, Lugina e Preshevës, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe prindër e mësues të shumtë e pjesëmarrës të ndryshëm.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Shahini nënvizoi faktin se ajo ndjehet tepër krenare për vetë faktin se po jetojmë në një kohë, gjatë së cilës e trajtojmë kufirin mes Shqipërisë e Kosovës si diçka simbolike, ndërsa shtoi: “Si pak shqipfolës nëpër botë, është e patolerueshme t’ja lejojmë vetes mundësinë që të mos bashkëpunojmë në fushën e arsimit. E kemi të domosdoshme që mendjet tona të ndritura t’i bëjmë bashkë dhe po bashkërisht të çojmë përpara zhvillimin e arsimit”.

Shahini gjithashtu u ndal tek bashkëpunimi aktual mes 2 vendeve dhe synimi për ta çuar më tej bashkëpunimin në fushën e arsimit parauniversitar:

“Që para se të vija në krye të MASR, ka nisur një proces për unifikimin e kurrrikulave. Sot kemi një plan-program që përdoret si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kemi një Abetare dhe shumë libra të njëjtë. Dhe së bashku me Ministrin Shyqiri Bytyqi kemi synimin të shkojmë drejt një unifikimi total që ka të bëjë me arsimin parauniversitar. Për ne, kjo është shumë e rëndësishme për të rritur cilësinë e arsimit shqip jo vetëm në rajon, por tek të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Me trajnimin e mësuesve në të dy vendet, duhet të arrijmë në atë pikë që një mësues nga Kosova të mund të japë mësim në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithsesi kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh ajo.

Znj. Shahini, ndër të tjera foli edhe për “Programin e Shkëmbimit të Nxënësve mes Shqipërisë e Kosovës”, realizuar për herë të këtë vit. “120 nxënës në total nga të dy vendet realizuan bashkërisht përgjatë 2 javëve proceset mësimore dhe zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore. Programi i kaloi në mënyrë tejet pozitive pritshmëritë tona dhe në vjeshtën që vjen synojmë të dyfishojmë si kohën e programit, ashtu edhe numrin e nxënësve pjesëmarrës”, theksoi ajo.

Znj. Shahini nuk la pa përmendur gjithashtu edhe faktin se aktualisht në Shqipëri po zhvillohet një reformë në Akademinë e Shkencave, për të cilën u shpreh: “Një ndër gjërat që po krijojmë është krijimi i bazës së hapave të parë drejt një përafrimi me Akademinë e Shkencave në Kosovë me synimin që një ditë të kemi një akademi shqiptare që është autoriteti më i lartë i shkencës për të gjithë shqiptarët. Ky është një synim yni i përbashkët për ta zhvilluar në vijim”.

Abetarja e përbashkët është realizuar në vitin 2012-të me nismën e dy ministrive të Arsimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme festimi mes shkollave e nxënësve nga të dy vendet.