Presioni ndërkombëtar, nis kthimi i shqiptarëve nga vendet e BE-së

568
Qeveria shqiptare hap dyert dhe vetëm pranon personat, të cilëve u është refuzuar azili. Vetëm dje mbërritën 157 shtetas
Presioni ndërkombëtar lidhur me shtimin e kërkesave për azil dhe diskutimi për mundësinë e heqjes së liberalizimit të vizave ka detyruar qeverinë të tërhiqet dhe të pranojë gjithnjë e më tepër qytetarë shqiptarë, të cilët kthehen nga vendet e Bashkimit Evropian. Gjermania dhe Franca po kthejnë në Shqipëri të gjithë ata shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil për motive ekonomike apo shëndetësore. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Rinas janë ulur 3 avionë të posaçëm me shtetas shqiptarë të kthyer nga këto dy vende të BE-së. Policia e Shtetit bëri me dije se janë riatdhesuar 157 shtetas. Nga këta, 131 janë kthyer nga Gjermania dhe 26 nga Franca.

Frontex në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Policinë franceze dhe gjermane ka organizuar tre fluturime me charter për të riatdhesuar shtetasit shqiptarë që kishin kërkuar azil në këto vende. Policia e Shtetit theksoi se po bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha policitë partnere për të riatdhesuar të gjithë ata shtetas që kërkojnë azil në vendet e BE-së. Sipas saj, masat shtesë të marra në fillim të muajit gusht kanë sjellë një rënie të shtetasve që kërkojnë të shkojnë në vendet e BE-së me qëllim kërkimin e azilit. Policia e Shtetit iu bëri thirrje të gjithë atyre që tentojnë apo përpiqen të gjejnë rrugë të ndryshme , të mos bien pre e mashtrimeve , të mos bëjnë shpenzime të kota, pasi shanset për azil në vendet e BE-së janë zero. “Të gjithë ata shtetas që kërkojnë një shkollim më të mirë, që duan të gjejnë punë të ligjshme, kanë të gjitha mundësitë dhe rrugët ligjore për ti kërkuar në vendet e BE-së”, përfundon mesazhi i policisë.

Numri i të kthyerve gjatë ditës së djeshme përbën ndoshta nivelin më të lartë të të ardhurve në atdhe, pas refuzimit të azilit. Franca ka qenë një ndër vendet më të ashpra ndaj Shqipërisë lidhur me kërkesat e shumta për marrjen e azilit. Për rrjedhojë, nga Franca janë organizuar disa operacione për kthimin e qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, së fundmi, Holanda ka nisur një diskutim zyrtar për mundësinë e heqjes së lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë në zonën “Shengen”. Një raport i policisë dhe prokurorisë holandeze i kërkon qeverisë të shqyrtojë mundësinë e frenimit të flukseve të mbërritjes së shqiptarëve në Holandë, duke i parë ata si një burim për shtimin e nivelit të kriminalitetit. Gjithashtu, Shqipëria renditet edhe një vend problematik për sa i përket ndryshimit të të dhënave personale dhe gjeneraliteteve, duke e bërë të vështirë për autoritetet ndjekjen e rasteve të dyshuara për aktivitet të dyshimtë.

Nga ana e saj, policia shqiptare është përpjekur ta frenojë fluksin e të larguarve vetëm në pikat e kalimit të kufirit, duke detyruar shumë shqiptarë të kthehen dhe të mos vazhdojnë udhëtimin në vendet e zonës “Shengen”. Një masë e tillë ka shkaktuar edhe pakënaqësi te personat e kthyer, një pjesë e të cilëve janë refuzuar në kufi, ndonëse nuk kanë pasur plane për të qëndruar në vendet e BE-së, por thjesht dëshironin të udhëtonin si turistë. 

Eksperti: Për kthimin e vizave, vota e të gjithë BE-së
Kërkesa e autoriteteve holandeze për të rikthyer regjimin e vizave me shqiptarët është një ngjarje që errëson imazhin e Shqipërisë. Pedagogu i Bashkimit Evropian, Gentian Elezi tha në një intervistë televizive se kjo është një procedurë e brendshme e shtetit të Holandës por për të arritur deri tek rikthimi i vizave duhen kaluar shumë hapa, bashkë me miratimin e të gjitha vendeve anëtare. Gjithashtu drejtor i Institutit ekzekutiv “Agenda”, Elezi thotë se pavarësisht se është një zhvillimi i brendshëm i shtetit holandez përkeqëson imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Nuk është fakt pozitiv që ka një shqetësim të kriminalitetit shqiptar në një shtet anëtar të BE-së por deri tani në informacionet që kemi bëhet fjalë për një procedurë e brendshme të institucioneve të shtetit holandez dhe një analizë që nxjerr ato konkluzione. Thënë kjo për të shkuar tek diskutimi politik mbi mundësinë e rishikimit të mekanizmit të vizave ka shumë hapa të mëtejshëm dhe elementë që duhet të merren parasysh. Pasi kjo është dhe në kuadër të politikës së jashtme dhe jo vetëm të brendshmen”, sqaroi Elezi.

Megjithatë vizat për shqiptarët mund t’i rikthejë vetëm Komisioni Evropian, i cili diskuton çështjen me teknicialitetet e saj dhe më pas vendosin të gjithë vendet anëtarë. Për Elezin, rikthimi i vizave është shumë e vështirë të ndodhë. “Ka pasur momente të tjera kur është diskutuar rishikimi i mekanizmit të liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit. Ka pasur kur është propozuar dhe mekanizma paralajmërimi por asnjëherë nuk janë konkretizuar më tej. Vendimmarrja është gjithmonë e vendeve anëtare, pjesën teknike e menaxhon Komisioni Europian dhe nëse një procedurë e tillë do realizohej do i kërkohet patjetër komisionit që të rishikonte këto elementë dhe më pas vendet anëtare të votonin. Duke konsideruar situatën aktuale e shoh të vështirë që një shtet i vjetër, qoftë anëtar i vjetër i BE-së të arrijë të aktivizojë një mekanizëm të tillë”, tha ai. Elezi tha se në çdo vend europian hartohet një raport i tillë për të kontrolluar shkallën e kriminalitetit brenda atij shteti.
Sigal