Presidenti Meta urim të veçantë për Pashkët për Kardinal Ernest Troshanin

337
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët për Pashkë, ndërsa ka bërë një urim të vecantë për Kardinal Ernest Troshanin.

Meta shprehet se Kardinal Ernest Troshani është simbol i rezistencës ndaj idelave më të shenjta njerëzore e kombëtare, ndërsa shton se këtë herë Pashkët kremtohen me “dyer të mbyllura”.

Pasi uron të gjithë për festën e Pashkëve, Meta thotë se Zoti ndodhet jo vetëm në Kisha, por kudo.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Një urim të veçantë në Ditën e Shenjtë të Pashkëve për Kardinalin tonë të dashur Ernest Simoni Troshanin, simbolin e rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave njerëzore dhe idealeve kombëtare.

Me bekimin e Zotit të ketë jetë të gjatë, me plot shëndet e mbarësi!

Në këto ditë të vështira të pandemisë botërore, kur besimtarët katolikë po kremtojnë Pashkët me “dyer të mbyllura”, Kardinal Ernest Simoni Troshani me të drejtë na kujton vitet e tij të vuajtjeve dhe torturave çnjerëzore, ku edhe pse i izoluar në qelitë e burgjeve, gjente forcën, kurajon dhe shpresën tek besimi dhe dashuria për jetën dhe njerëzit!

“MOS KINI FRIKË! Lutuni dhe sigurohuni që dashuria e Zotit të përcillet për të gjithë. Thyejeni bukën dhe ndajeni atë dhe të mirat tuaja me të varfërit, sepse po i jep Jezusi. Ju kur ndihmoni të pastrehët dhe të sëmurët, keni bërë punën e Zotit. Sot pasuria më e madhe është ndarja. Besimi përbëhet nga vepra dhe mrekulli, jo vetëm nga fjalë. Zoti nuk është vetëm në kisha. Zoti është kudo, Zoti është edhe brenda qelizave tona”, – janë porositë e mençura që jep sot në Festën e Pashkës Kardinali ynë i dashur.

Faleminderit me mirënjohje për këto mesazhe kaq shpresëdhënëse që na jep të gjithëve Ernest Simoni Troshani! 🙏🇦🇱