Presidenti Meta priti Sekretaren zvicerane të Shtetit për Çështjet Ekonomike, Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch

202
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti sot Sekretaren e Shtetit për Çështjet Ekonomike të Konfederatës Zvicerane, zonjën Marie-Gabrielle Ineichen-Fleisch.
Presidenti Meta, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe financiare dhe asistencën teknike që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë që prej vitit 1992 e në vijim.
Zvicra është një nga donatorët kryesorë dhe partnere e qendrueshme ekonomike e tregtare. Mbështetja zvicerane për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe energjetike, përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe në fushën e arsimit profesional, ka qenë shumë domethënëse për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit – nënvizoi me mirënjohje Presidenti Meta.
Duke iu referuar interesit të përbashkët për të zhvilluar dhe intensifikuar më tej bashkëpunimin ekonomik, Presidenti Meta përshëndeti praninë dhe kontributin e kompanive zvicerane në Shqipëri dhe inkurajoi një prani më të madhe të tyre në sektorët strategjikë.
Nga ana e saj, Sekretarja zvicerane e Shtetit Ineichen-Fleisch e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes zvicerane, duke sjellë në vëmendje dhe qëllimin dhe objektivat e strategjisë së bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë për 2018-2021.