Presidenti Meta: Mezi presim anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

474
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë, Kryetarin e Asamblesë së Republikës së Maqedonisë, zotin Talat Xhaferi.
Presidenti Meta theksoi se, mezi presim anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe e siguroi Kryeparlamentarin Xhaferi për mbështetjen e fortë të Shqipërisë në këtë drejtim.
Duke vlerësuar tendencën pozitive për zgjidhjen e çështjes së emrit, Presidenti Meta nënvizoi se, stabiliteti dhe zhvillimi i Maqedonisë është në interesin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë, por edhe për të gjithë rajonin.
Presidenti Meta shprehu besimin për miratimin së shpejti të ligjit për gjuhën shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, duke theksuar se ky akt do të ndihmonte në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndër-etnike në Maqedoni.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan takimin e parë midis Qeverive të të dy vendeve, si dhe ndanë të njëjtin mendim se zhvillimet e sotme rajonale dhe globale kërkojnë një bashkëpunim dhe ndërlidhje edhe më të mirë, infrastrukturore, energjetike dhe njerëzore midis dy vendeve.
Sigal