Drogë nëpër rrugët e Parmës, zbulohet grupi shqiptar, përgjimet: Për mua të shkojnë e të …

766
Katër shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët në Parma, të akuzuar për shpërndarje droge.
Rrjeti i shitjes drejtohej nga një 41-vjeçar me iniciale K. A., i cili kishte marrë me qira nën emra të rremë tre vendbanime në Parma, të shndërruar në qendra shitjeje droge nga djem të rinj që vinin direkt nga Shqipëria si turistë dhe punonin për tre muaj me shpërndarjen e drogës.
Karabinierët kanë arrestuar në flagrancë tre të rinj, të moshës 22, 21 dhe 20 vjeç.
Ata shisnin doza kokaine për 80 euro grami, çmim më i lartë se ai i tregut, por që bëhej i mundshëm falë cilësisë së mallit dhe reputacionit që kishte fituar K. A.
Një biznes veçanërisht fitimprurës: në pesë muaj, nga nëntori 2016 në mars 2017, karabinierët kishin dokumentuar mbi 2000 shitje, me vlerë rreth 166 mijë euro.
Hetimet kanë vërtetuar se disa klientë arrinin të shpenzonin në pak muaj deri në 5000 euro për blerje droge, të cilën e tërhiqnin vetë ose ua çonin në shtëpi me biçikleta. Janë regjistruar 14 persona përdorues: studentë, punëtorë, profesionistë.
K. A. e drejtonte sipërmarrjen me dorë të hekurt. Nëse një shitës provonte të ngrinte çmimin për të përfituar vetë diçka, kthehej direkt mbrapsht.
“Për mua le të kthehen në Shqipëri e të hanë bar, sepse nuk u besoj më”, thoshte në një nga bisedat e përgjuara.
Të ardhurat e aktivitetit kriminal përfundonin direkt në Shqipëri, të transferuara për shembull përmes Money Transfer. Tre persona, gjithashtu shqiptarë, janë denoncuar për riciklim parash.
Paratë përdoreshin nga K. A. për ndërtimin e vilës së tij.
Katër të arrestuarit do të procedohen për shpërndarje lëndësh të ndaluara. Gjatë operacionit janë sekuestruar 150 gramë marijuanë dhe 120 gramë kokainë. Hetimet vazhdojnë për zbulimin e kanaleve të furnizimit.
Sigal