Presidenti Meta: Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve

450
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot punën e gjithë gazetarëve që kanë ndjekur në terren situatën e krijuar nga tërmeti.

Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet se “me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë”.

Kreu i shtetit gjithashtu ka reaguar dhe për qëndrimet e qeverisë ndaj mediave gjatë këtyre ditëve.

“Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike”,- shkruan kreu i shtetit”.

Mesazhi i plotë kreut të shtetit:

“Falenderoj të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimin e saktë dhe në kohë reale ditë-natë, në kushte aspak të lehta, të situatës tepër të rëndë dhe të pasojave tragjike në jetë njerëzore dhe prona, që la pas tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit.

Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë.

Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike.

Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe!”.