Presidenti Meta: Beteja e Tendës së Qypit, ngjarje e lavdishme e LANÇ

708
Sigal

Presidenti Ilir Meta rikthehet në vendlindje. Takohet me banorë dhe viziton edhe teqenë e Prishtës

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës së tij në qytetin e Skraparit, ka shkuar edhe në vendlindjen e tij, në Çepan. Presidenti Meta ka postuar një foto në profilin e tij në Facebook, ku shfaqet në vizitën e tij në vendlindje. “Me shumë dashuri u riktheva në vendlindje, në Çepan. Një falënderim të veçantë e kam për Yllin, i cili ruan traditat më të mira të gjyshit tonë dhe gjithë familjes!”.

Presidenti Meta: Tenda e Qypit, dimri i fundit i pushtuesve

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës së tij në qytetin e Skraparit ka përkujtuar 17 heronjtë e rënë në betejën e “Tendës së Qypit”. Në nderim të tyre, presidenti Meta ka vendosur pllaka përkujtimore me emrat e 17 heronjve të betejës së janarit 1944. “Kisha nderin sot që bashkë me kryetarin e Bashkisë të Skraparit, zotin Nesim Spahiu të rivendosnim pllakën përkujtimore me emrat e 17 heronjve të rënë në betejën madhështore të Tendës së Qypit nga 20-26 Janari i 1944, në kulmin e Operacionit të Dimrit. Kjo betejë e jashtëzakonshme deri në ndeshje trup me trup përfundoi me humbjen poshtëruese të pushtuesve falë gjakut të derdhur në betejë të partizanëve të Brigadës së Parë Sulmuese dhe Grupit të Skraparit që u drejtua trimërisht nga Zylyftar Veleshnja. Kjo betejë pati një vlerë të madhe morale e psikologjike, pasi tregoi se ai nuk ishte dimri i fundit i partizanëve, por i pushtuesve. Të gjithë të përkujdesemi më shumë për monumentet e Luftës dhe të dëshmorëve tanë”.

Presidenti Meta: Beteja e Tendës së Qypit pati një vlerë të madhe morale e psikologjike, pasi tregoi se ai nuk ishte dimri i fundit i partizanëve, por i pushtuesve. Të gjithë të përkujdesemi më shumë për monumentet e Luftës dhe të dëshmorëve tanë

Presidenti Meta mban premtimin dhe viziton Nënë Bajamen në Prishtë të Skraparit

Presidenti i Republikës Ilir Meta përmes rrjeteve sociale njofton se, këtë fundjavë ai po zhvillon një vizitë në jug të vendit, ku ndalesa e radhës ishte fshati Prishtë në Skrapar. Përmes një komenti të shkurtër, Presidenti Meta njofton se zhvilloi një vizitë në shtëpinë e Nënë Bajames, e cila siç thotë ai, me sakrifica pa fund ka rritur tre fëmijë të mbarë e të edukuar për të cilët është krenare me të drejtë. “Ishte kënaqësi të kaloja një mbrëmje të mrekullueshme në Prishtë, këtu ku mikpritja është e rrallë. Më në fund e mbajta fjalën për të vizituar Nënë Bajamen, e cila me sakrifica pa fund ka rritur tre fëmijë të mbarë e të edukuar për të cilët është krenare me të drejtë. E falënderoj për mikpritjen e bujarinë e pafund ashtu siç dinë nënat e Skraparit”– shkruan Presidenti Meta duke e shoqëruar komentin e tij edhe me një foto nga takimi me Nënë Bajamen.

Presidenti Meta vizitë në fshatin e Nishicës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Nishicën, fshatin që ai e quajti, punëtor dhe me tradita.

“Kënaqësi të vizitoja Nishicën, këtë fshat tepër punëtor që i ruan të forta traditat. Këtu ku këngët e para dhe të fundit janë për Riza Cerovën e Zylyftar Veleshnjën. Nishica u shndërrua një nga fushëbetejat kryesore të betejës së Tendës së Qypit ku pushtuesit në shenjë hakmarrje për humbjen nuk lanë asnjë shtëpi pa djegur. I lumtur të shihja shtëpi të rindërtuara e toka të punuara me dashuri”- shkruan Meta në Facebook.

Presidenti Meta vizitë në Teqenë e Prishtës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Teqenë e Prishtës. Presidenti postoi një foto të vizitës së tij, në profilin e tij në Facebook. Meta u shpreh i kënaqur për këtë vizitë, duke e quajtur Teqenë e Prishtës “një nga vatrat më historike të Bektashizmit dhe atdhedashurisë, ku në Janar 1921 u mbajt Kongresi i Parë Botëror i Bektashinjve.