Presidenti Begaj telefonatë me Vjosa Osmanin: Kosova realitet i pakthyeshëm me sovranitet të pacënueshëm

124
Sigal

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në Veriun e Kosovës. Gjatë bisedës me homologen e Kosovës, Presidenti përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët. Kreu i shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonit tonë pas agresionit rus në Ukrainë. Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm. Presidenti i Republikës tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. “Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.” – nënvizoi Presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani. Presidenti i Republikës u ndal në situatën e tensionuar në Veri të Kosovës edhe gjatë takimit me Kryeministrin spanjoll Sanchez, ku përshëndeti autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës.