Presidenti Bajram Begaj pret pjesëmarrësit e LEAD Albania: Shqipëria ka shumë nevojë për profesionistë si ju

26
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot pjesëmarrësit e LEAD Albania dhe drejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit që kanë hartuar këtë program lidershipi për Shqipërinë.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin amerikan në zhvillimin e lidershipit në vendin tonë, duke e cilësuar programin LEAD Albania tepër të dobishëm për profesionistët shqiptarë.

Gjatë takimit, teksa u njoh me përvojat e profesionistëve të rinj në institucionet shqiptare, Presidenti Begaj i inkurajoi ata të ofrojnë në praktikë përvojën e përfituar përmes trajnimeve në universitetet ndërkombëtare.

“Shqipëria ka shumë nevojë për profesionistë si ju”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili i njohu bursistët e rinj të LEAD Albania me angazhimet e tij përballë sfidave në detyrën si Kryetar Shteti.

Presidenti i Republikës i këshilloi ata të punojnë me ndershmëri në profesionet që kanë zgjedhur dhe të jenë kontribuues për të ardhmen e vendit që, siç u shpreh, “është në duart e të rinjve”.