Politikanët tanë nuk e duan anëtarësimin në BE

541
Sigal

Intervista / Ish- presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu në “Bugajski Hour” në AS

Gjatë një intervistë që kanë dhënë mbrëmë në Bugajski Hot Seat në TV “AS” ish- Presidentët Moisiu dhe Meidani kanë folur për atmosferën në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, zhvillimet politike gjatë një shekulli dhe sidomos gjatë 20 viteve të fundit. Në vijim, po japim pjesë nga kjo intervistë.

J.Bugajski: Shqipëria kremton këtë vit dhe këtë muaj 100 -vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetësisë. Çfarë do të thonit, po të hidhnit vështrimin mbrapa, veçanërisht që pas rrëzimit të komunizmit, cilat kanë qenë arritjet më të mëdha të Shqipërisë, si brenda vendit ashtu dhe në aspektin ndërkombëtar? 

R. MEIDANI: Gjykoj që në këtë periudhë 100 -vjeçare një nga sukseset e mëdha ka qenë ruajtja e identitetit kombëtar dhe ndërkohë nga pikëpamja historike ndërtimi i një shteti shekullor, por zigzaget në ndërtimin e demokracisë kanë qenë të mëdha, dhe rrugën e drejtë Shqipëria e gjeti pas përmbysjes së diktaturës komuniste në vitet 90. Gjatë kësaj periudhe natyrisht patëm suksese në mjaft drejtime dhe do të thoja që transformimet kryesore janë ato në fushën politike, ndërtimi i institucioneve politike pluraliste demokratike, ato në fushën social-ekonomike, në mënyrë të veçantë për të transformuar ekonominë nga e centralizuar në një ekonomi të lirë tregu. Një transformim po aq i  rëndësishëm në këtë periudhë 20 vjeçare është ai diplomatik që do të thotë kalimi nga një sistem vlerash të mbyllura, në një sistem të hapur dhe në mënyrë të veçantë  një depërtim drejt institucioneve demokratike perëndimore, kam parasysh anëtarësimin në NATO dhe në BE. Një transformim tjetër po aq i rëndësishëm është ai në fushën e kulturës, në hapjen e qytetarit, në ndërtimin e qytetarit të lirë me dinjitetin përkatës. Natyrisht ky proces nuk ka qenë i lehtë, nuk ka qenë gjithmonë në një trajektore në ngjitje, ka patur zigzaget e veta, mund të kemi parasysh këtu edhe atë zigzag që dëmtoi procesin demokratik në Shqipëri që janë ngjarjet e vitit 1997, por në tërësi i gjithë procesi ka qenë një proces në mesataren e vet në ngritje. Do të thoja që Shqipëria është  në rrugën e duhur dhe duke ecur përpara do të jetë pjesë normale e BE-së.

J. Bugajski: Ju përmendët vitin 1997, me rrëzimin e firmave piramidale… A mendoni se ky progres mund të kish qenë më i shpejtë? Me fjalë të tjera, a e vonoi kjo periudhë zhvillimin e Shqipërisë si demokraci, integrimin e saj ndërkombëtar?

R. MEIDANI: Natyrisht pritshmëria në Shqipëri ka qenë për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, dhe kjo pritshmëri ka qenë mjaft e qartë në vitin 1996. Por manipulimi i zgjedhjeve në majin e 96-ës dhe rënia një vit më vonë e skemave piramidale jo vetëm që e bllokoi procesin e integrimit por e përmbysi atë dhe u desh një kohë e gjatë për ta rindërtuar procesin dhe aktualisht ne jemi ndofta në prag jo të anëtarësimit, por të pranimit të Shqipërisë si vend  kandidat, pra një hap tjetër pozitiv drejt integrimit në BE, ndërkohë që po aq i rëndësishëm për Shqipërinë ishte dhe integrimi në NATO. Do të thoja që Shqipëria pati zigzaget e veta shoqëruar edhe me deformimet  institucionale dhe deformimet e proceseve demokratike në Shqipëri. Mund të them që akoma kemi shqetësim, akoma ka prirje që pengojnë një demokratizim të mëtejshëm të Shqipërisë, por do të shtoja që edhe procesi i integrimit në BE nuk është thjesht i lidhur vetëm më anëtarësimin dhe përfshirjen e Shqipërisë brenda këtij bashkimi vendesh demokratike, por në mënyrë të veçantë është një proces i brendshëm i cili vlen për qytetarët. Duke qenë i tillë nuk ka shumë rëndësi data e anëtarësimit por vetë ritmet e zhvillimit ekonomiko social dhe të zhvillimit demokratiko-institucional, të zhvillimit politik, dhe në këtë plan ne kemi ende probleme për të zgjidhur, kemi shumë detyra tani por të një cilësie të re më të lartë.

J.Bugajski: Në termat e statusit të BE-së, a po bëjnë Qeveria dhe Parlamenti aq sa duhet në këtë moment për t’u kualifikuar në dhjetor, për të marrë aprovimin për statusin kandidat?

R.MEIDANI: Po të shikosh me kujdes këtë  periudhë të fundit angazhimi ka qenë tërësor qoftë politik qoftë institucional, por në gjykimin tim kjo nuk mjafton. Nuk është vetëm çështja e mentalitetit, pra që duhet të goditet mentaliteti brenda politikës por edhe brenda shoqërisë shqiptare por duhet vepruar për të ndërtuar një demokraci të brendshme, diçka që duhet të jetë inherente tek qytetari shqiptar dhe po e tillë brenda politikës shqiptare. Në këtë plan do të thoja që pavarësisht se shumë detyra janë realizuar akoma kërkohet punë për ta bërë këtë demokraci inherente brenda institucioneve shqiptare, brenda politikës shqiptare, brenda partive shqiptare, dhe në mënyrë të veçantë dhe brenda shoqërisë shqiptare. Dhe në këtë plan  do të thoja që nuk është vetëm zbatimi i disa parimeve kushtetuese që dhe ato kanë mangësitë e tyre sidomos i  dy parimeve bazë  që janë ndarja e pushteteve dhe ai kontroll balancimit të tyre. Nuk janë vetëm ato të mishëruara në kushtetutë, por normalisht duhet të mishëroheshin edhe në jetën shqiptare. Por ne ndeshim edhe disa prirje që kohë pas kohe marrin edhe një frymëmarrje negative të tilla janë mentaliteti i partisë-shtet. D.m.th që në vend që rrotacioni politik të konsiderohet si rrotacion që ka të bëjë me qeverisjen, zakonisht kuptohet si rrotacion në shtet,do të thotë që fillon akumulimi i të gjithë pushteteve në një parti të vetme, madje më problem është akumulimi i të gjithë pushtetit në një dorë të vetme. Kjo natyrisht nuk i shërben demokracisë,nuk i shërben zhvillimeve pozitive demokratike, brenda politikës, brenda shoqërisë shqiptare dhe njëkohësisht nuk e godet me fuqinë e vet dhe mendësinë e partisë-shtet të huazuar nga komunizmi.

J.Bugajski: A jeni edhe ju optimist për të ardhmen e rajonit, apo shihni rreziqe?

A.MOISIU: Është e vërtetë që rajoni i Ballkanit ka ndryshuar shumë. Por kohët e fundit vëmë re një farë tendence regresive. Psh Maqedonia, Marrëveshja e Ohrit, është ajo që stabilizoi situatën, mirëpo zbatimi i saj, çuarja e saj deri në fund nuk po shkon ashtu si duhet. Kjo ka krijuar problem në Maqedoni, dhe meqë atje një e katërta është popullsi shqiptare nuk mundet ne të jemi ne të çinteresuar për këto problem. Më kujtohet i pata thënë të ndjerit presidenti Trajkovski atëherë që “Ju jeni presidenti i Maqedonisë, pra i gjithë popullit dhe duhet ta keni edhe një këshilltar shqiptar”. Dhe në fakt ai e mori në stafin e tij. Përderisa drejton një popullatë mikse, shumë etnike duhet të ketë edhe përfaqësuesit e saj aty. Nuk e di tani si është situata tani, por fakti që ka ende probleme të ndjeshme të marrëveshjes së Ohrit që nuk po zbatohen dhe po zgjaten, kjo sigurisht nuk është gjë pozitive për  rajonin në tërësi dhe për Maqedoninë në veçanti. Po të marrim situatën në Greqi.Kriza ekonomike atje ka nxjerrë në skenë disa parti, shumë ekstremiste, që po i quaj edhe neonaziste. Këto parti përveç probleme të brendshme ngrenë shumë pretendime ndaj vendet tonë. Pretendime që janë të vjetra por një farë kohe u fashitën dhe tani po rigjallërohen. Ky qëndrim i këtyre partive ka krijuar reaksion edhe brenda nesh, këtu janë krijuar disa parti që me të drejtë i kundërvihen këtyre gjërave. Është ligji i Fizikës që çdo reaksion sjell reaksion. Kjo është e njohur. Pra nga kjo anë vërtet që duhet një kujdes më i madh, nga politikanët e të gjithë vendeve të rajonit. Të jenë të ndërgjegjshëm dhe të mos luajnë me fatet e rajonit. Të ndihmojmë të gjithë së bashku stabilitetin, të ndihmojmë zhvillimet paqësore dhe të mos përfitojmë nga dobësitë e njeri-tjetrit. Çdo tendencë për të përfituar mund të na krijoj situata të papëlqyeshme.

J. Bugajski: A mendoni se radikalizmi në rritje do ndikojë gjatë fushatës zgjedhore para zhvillimit të zgjedhjeve vitin që vjen në Shqipëri?

R.MEIDANI: Këto ngjarjet e fundit që lidhen në mënyrë të veçantë me krizën ekonomike janë normale dhe në vende të tjera të BE-së. Situata e para pak ditëve, qoftë në Portugali, qoftë në Spanjë qoftë në Greqi qoftë në Itali, ka qenë tepër e radikalizuar. Pra lidhet me një situatë ekonomike relativisht të vështirë, që aktualisht nuk pasqyrohet në Shqipëri, por jo me aq forcë edhe në vende të tjera të Ballkanit. Dhe në këtë situatë të vështirë vetëkuptohet që do të ketë problem, do të ketë  lindje fraksionesh të karakterit nacionalist, diku edhe të karakterit  fashist që i kundërvihen lëvizjeve pozitive demokratike qoftë në nivelin institucional politik europian  qoftë edhe në nivelin rajonal. Pra kjo është një pjesë tjetër e skemës që mund të krijoj problem në rajon por do të thoja se në përgjithësi qytetarët e Ballkanit nuk janë më me ato koncepte të disa dekadave më parë. Ka një prirje drejt afrimit në vend të aplikimit të fuqisë së ashpër. Diplomacia kulturore po punon relativisht mirë. Njerëzit janë në kontakt me njëri-tjetrin përmes aktiviteteve kulturore, takimeve sportive, takimeve parlamentare, politike qoftë edhe nëpërmjet takimeve të veçanta. Në gjykimin tim Ballkani ka filluar të marrë frymë në mënyrë pozitive dhe paralelisht  në situata të veçantë mund të shfaqen element radikal dhe radikalizime, por që do të jenë parciale në të ardhmen dhe natyrisht kapin vetëm zona të vogla hapësinore në rajonin e Ballkanit pra me kapacitete që nuk do të kenë shtrirje në të gjithë rajonin dhe me mundësi për ti shuar me shpejtësi. Në rastin e Shqipërisë natyrisht që ka problem. Nuk e gjykoj që Shqipëria ka ato shqetësime që pasqyron ambasada amerikane në një nga ato notat e veta. Nga pikëpamja e rendit, kemi një Shqipëri të stabilizuar. Natyrisht që gjatë procesit të fushatës elektorale mund të kemi tensionime dhe përplasje normale politike, por Shqipëria nëpërmjet një zhvillimi normal institucional besoj që do të arrij ti kapërcej edhe këto radikalizime.

J.Bugajski: Siç e dini, siç e thatë, zgjedhjet vitin që vjen do vëzhgohen nga afër nga Bashkimi Evropian për t’u siguruar për progresin e bërë nga Shqipëria drejt BE-së. Shihni probleme gjatë fushatës elektorale, si ato që përvijoi presidenti?

R.MEDANI: Ju keni të drejtë që është një nga kriteret kryesore për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe natyrisht që BE do të fokusohet me të gjitha strukturat e veta  në këtë proces zgjedhor. Nga ana tjetër një problem më vete është që institucioni i votës së lirë të jetë I  tillë edhe në mendjen e politikanëve kryesorë. Në qoftë se ky institucion mishërohet në mendjen e politikanëve tanë kryesorë si institucion demokratik, si institucion që respekton votën e qytetarit  nuk ka arsye pse të kemi problem. Qytetari vetë voton në mënyrë të lirë, i gjithë procesi i votimit është pozitiv, me ndonjë pasaktësi jo aq të rëndësishme ndërkohë që gjatë këtij procesi fillojnë edhe ato lojërat që fillojnë dhe prekin dhe rezultatin. Nëse gjatë procesit të zgjedhjeve ndeshen  mentalitete të tilla që bëhen dominuese, natyrisht që situata politike në Shqipëri do të bëhet përsëri e tensionuar dhe natyrisht do të dëmtoj realisht vetë procesin e integrimit europian. Ju sjell shembull rastin e zgjedhjeve të 1996. U duk sikur gjithçka u mbyll me ato zgjedhje, u ndërtua një parlament praktikisht njëngjyrësh, mbi 90 % e parlamentit ishin vetëm nga një forcë politike dhe situatat filluan të agravohen muaj më vonë, jo vetë në planin politik por edhe në atë ekonomik. Në situata ku politika tensionohet ekonomia fillon dhe  pëson ngërçet e veta. Një Shqipëri e goditur dhe në ekonomi mund të sjellë situata  jo të radikalizuara port ë vështira për popullin shqiptar. Politika duhet t’i përgjigjet interesat të qytetarëve dhe të respektoj thellësisht institucionin e  votës së lirë, duke u larguar nga ethja për pushtet, për mbajtje pushteti apo për marrjen e pushtetit kur nuk të takon.