Pinjolli i fundit i Trinisë së Shenjtë Kombëtare, Mid’hat Frashëri

722
Sigal

Islam Spahiu

Çdo shqiptar gjendet sot përpara gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patëm fatin të jemi stërnipër të lumtur të stërgjyshërve fatosa, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi ne vetë, stërgjyshër të ndershëm për nipërit tanë” 

   Lumo Skëndo, 19 prill 1924

Ideologjia komuniste ka vënë gjithmonë në diskutim nacionalizmin si tendencë e praktikë politike të themeluar mbi ekzaltimin e idesë së përparimit kombëtar, e për më tepër, ekzaltimin e jashtëzakonshëm të vetive të veçanta të kulturës e zakoneve të një kombi. Kjo dukuri u ndie në vendin tonë e, si në të kaluarën po vazhdon në ditët tona. Si në çdo shoqëri njerëzore, edhe këtu tek ne kanë qenë e janë dy rryma kundërshtare të papajtueshme: vëllavrasësit në një anë dhe paqësorët në anën tjetër. Indoktrinimi marksist krijoi sistemin diktatorial, totalitar, ndërsa në anën tjetër idealizmi nacionalist, përmes dashurisë pa kushte ndaj kombit e Atdheut, u gjend i pa organizuar duke i lënë kështu mundësinë anti-kombëtarëve të hipin në pushtet duke vendosur diktaturën e njohur me nofkën “… e proletariatit”. Një frymë e huaj kjo për natyrën shqiptare e, kështu populli ynë përshkoi kalvarin historik të paparë apo të padëgjuar në një kohë a vend tjetër. Por: “Nuk ka natë që mos të gdhijë sado të jetë e gjatë” (Shekspir). E arriti këtë fat edhe populli ynë por ishte i paralizuar, të thuash nga mbeturinat e së kaluarës që mjerisht po bëjnë ligjin. Këta të mësuar me hekur e zjarr, po përpiqen të shuajnë a të asgjësojnë çdo dritë e shpresë të identitetit kombëtar. Të shquar në këtë drejtim janë të indoktrinuarit e komunizmit, të cilët të përkëdhelur nga fatkeqësitë tona kombëtare nuk po lodhen së përpjekuri për të asgjësuar çdo shfaqje të idealit nacionalist.

Kjo u provua në mënyrë dramatike nga zhurma e tyre kundër varrosjes së eshtrave në Atdhe të një pinjolli madhështor të “Trinisë” së shenjtë kombëtare Mit’hat Frashëri. Ndër figurat që ranë në sy më shumë, është ajo e Sevo Tarifës, i cili si enverist i regjur, pasi dha disa leksione mbi seksin në të përditshmet, gjeti kohë të shfryjë edhe kundër atdhetarit të madh. Nga sa u tha më lart, kuptohet se qëllimi i këtij shkrimi është për t’iu përgjigjur atyre që janë të indoktrinuar, atyre që “dinë të bëjnë që të ziej baltë (Niçe), atyre që sipas lokucionit latin :Timeo hominem unius librus” (kam frikë njeriun që ka vetëm një libër), devizë kjo e Shën Thomas d’Aquin, i cili mendimin e tij e shpreh kështu: “Njeriu që nuk njeh veçse një libër, por që e zotëron mirë atë, është një kundërshtar që të kall datën”. Nga kjo kuptohet se nuk duhen nënvleftësuar këta fanatikë, sepse janë të rrezikshëm, por nuk u duhet pasur frikë, ndryshe bëhen më të lemerishëm. Në gazetën “Standart”, autori i këtij shkrimi, publikoi një artikull në rubrikën Opinion me dt.3 tetor 2016, me titull “Dy anët e një medaljeje”. Këtu shtrohej e njëjta çështje që kemi kapur sot: Kolaboracionizmi, çështje kjo e ngritur nga komunistët, Artikulli mjaft i gjatë u përgjigj pikë për pikë akuzuesve të kuq. Me rastin e sjelljes së eshtrave të Mit’hat Frashërit në Atdhe, u ngrit përsëri kjo çështje nga nostalgjikët e së kaluarës së zezë. Me këtë rast po u jap edhe një përgjigje tjetër, si plotësim të shkrimit të mëparshëm, mbi atdhetarin e madh. Veç më parë duhet kujtuar përsëri se ç’ishte LANÇ-i? Luftë çlirimtare apo civile? Veteranëve që me propagandë sloganesh errësojnë historinë, kur thonë që komunistët shqiptarë e kundërshtuan me armë pushtimin Italian të 7 prillit 1939, duhet hequr mendja se në atë kohë – dihet botërisht – ishte në fuqi pakti gjermano-sovjetik i mos sulmimit. Kominterni kishte lëshuar që nga Moska thirrjen: “… mos kundërshtoni luftën e drejtë të fashizmit kundër kapitalizmit botëror “. Polonia qe ndarë përgjysmë dhe në sheshin e Varshavës u zhvillua paradë e dy ushtrive (gjermane e sovjetike). E veç atëherë kur u sulmua pabesisht BS dhe u prish pakti, atëherë pra ” partizanët tanë” rrokën armët për të luftuar, -ofshe! -jo për vendin e vet, por për atë të huajin. Këta janë komunistët shqiptarë. Rikujtojmë edhe një herë ç’është KOLABORACIONIZMI në Shqipëri gjatë periudhës 1939-1944. Sipas fjalorëve ky term shpjegohet edhe në termin “Kompromis”. Në çdo luftë ka strategji dhe taktikë. Nuk është njohur ndonjë fitimtar në histori, që t’ia ketë arritur qëllimit pa kompromis. Mjafton të përmendim qëndrimin e Britanisë së Madhe në Luftën II Botërore. Ajo hyri në luftë duke lidhur aleancë me B.S.. Këtij rasti, i shtoj me një shembull paradoksal “Franca e Mareshalit legjendar Pëten. Për aleancën e Britanisë së Madhe me B.S., u thirr në interpelancë kryeministri konservator Churchill për t’i kërkuar llogari se si është e mundur lidhja me një fuqi e njohur botërisht si obskurantiste dhe totalitare të skajshme. Mirëpo kolosi anglez, u përgjigj: “Në qoftë se Hitleri do të invadojë Ferrin, ne do të luftojmë krah për krah me djallin”. E profecia e tij gjeniale u provua: Fitorja e “Antantës” u krye falë idesë gjeniale të tij. Edhe, pse lavdia e Mareshalit Pëten u cenua, Franca shpëtoi nga një katastrofë totale. Dihet që ushtritë hitleriane në çdo tërheqje nga vendet e pushtuara linin pas vetëm toke të djegur. – Varshavën e shndërruan në gërmadhë. Ndërsa, po këta, kur u tërhoqën nga Franca në Parisin madhështor nuk u prek asnjë tjegull. Historia botërore njeh shumë shembuj të tillë. Po ne do të përqendrohemi në rastin tonë.

Dhe për të mos u zgjatur shumë rekomandojmë të rilexohet artikulli që kemi publikuar me titull “Dy anët e një medaljeje” ku kemi paraqitur figurat më të ndritura të nacionalizmit shqiptar. Me shkrimin që kemi në dorë, atyre figurave po i shtojmë një tjetër, pinjollin e fundit të Trinisë sonë të Shenjtë Kombëtare. Atributet e Mit’hat Frashërit i dinë mirë nostalgjikët e luftës vëllavrasëse. Ai që në ditët e para të pushtimit shpalli idenë e vëllazërimit kombëtar, të cilën e dëshmoi që kur u zgjodh Kryetar i Kongresit të Manastirit. Gjatë okupacionit, refuzoi të merrte pjesë në Konferencën e Pezës, duke e nuhatur që aty po caktoheshin konturet e pushtetit komunist të mëvonshëm. Por ai, bashkë me një vigan tjetër nacionalist, Ali Këlcyren, mori pjesë në mbledhjen e Lurës (1943) ku, ndonëse përfaqësoheshin të gjitha partitë politike të mbarë vendit, shkuan edhe këta për shpëtimin e Atdheut. Kështu që, ceremonia mortore e rivarrimit të eshtrave qe madhështore pranë atyre të të atit Abdyl, por do të jetë akoma më madhështore kur të ngrihet Panteoni Shqiptar, ku do të prehen eshtrat e heronjve t’idealit kombëtar, bashkë me familjarët e tjerë të tij, sigurisht do të jenë edhe të të Fundit frashërlli, Mit’hat Frashëri.