Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, me anë të një postimi në rrjete sociale thotë se për aq kohë sa kryeministri Edi Rama do të jetë në krye të vendit, s’do të ketë polici për qytetarët.
Ai pretendon se kryeministri ka asgjësuar policinë e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe e vuri atë në shërbim të trafikut dhe trafikantëve.
Reagimi i plotë i Nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili:
Fjala ristrukturim i policisë thënë nga Rama do të thotë vetëm zëvendësim i ushtarëve të djegur me ushtarë të rinj në policinë e drogës.
Gangrena e narkotrafiku e ka gërryer tërësisht policinë dhe vetëm një i marrë mund të besojë më tek ajo.
Rama asgjesoi policinë dhe Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit dhe e vuri në shërbim të trafikut dhe trafikantëve.
Policia, që mbyll radarët që të lejojë drogën ta kalojë është dëshmi e fundi të turpshëm dhe kriminal të saj.
Dhjetra Shefa policie të përlyer deri në gryke me trafikun e drogës do të thotë që peshku është qelbur nga koka.
Rama është sot nën akuzë për shkatërrimin e policisë dhe kthimin e saj në një forcë, që nuk ngjall asnjë besim dhe që i bën shqiptarët të ndihen të pambrojtur përballë krimit.
Një polici, që mbulon të vërtetat, që u rri në krah e në mbeshtetje kriminelëve kjo është policia e Edi Ramës.
Një polici e politizuar rilindase,arrogante dhe e korruptuar gjer në palcë kjo është policia e degraduar e Edi Ramës.
Sa kohë që Edi Rama është kryeministër nuk ka dhe nuk do të ketë polici shteti për qytetarët, por do të jetë një polici jastek i ngrohtë ku mbështesin kokën trafikantët dhe kriminelët.



















