Petraq Milo: Në tremujorin e parë rritja ekonomike e bujqësisë ishte negative

Deklarata e Sekretarit për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë, zoti Petraq Milo

Përshëndetje!

Sigal

Analiza e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e parë të vitit 2024, rikonfirmon modelin ekonomik të vendit aktual, të dominuar nga ndërtimi dhe konsumi.

Në tremujorin e parë rritja ekonomike e bujqësisë ishte negative.

Prodhimi bujqësor u zvogëlua në – 1.73% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2023.

Rritja ekonomike e sektorit të industrisë në tërësi, përsëri ishte negative. Prodhimi industrial në tërësi u zvogëlua në – 1.05% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023

Prodhimi i industrisë përpunuese ishte akoma më negative, duke u zvogëluar me – 6.75% ,krahasuar me të njëjtin tremujor të viti 2023.

Sektori që vazhdon të tregojë një rritje të lartë, mbetet ai i ndërtimit dhe i shërbimeve.

Prodhimi në sektorin e ndërtimit u rrit me 14.0 % një rritje shumë e lartë, në tremujorin e parë të vitit 2024 krahasuar me vitin 2023.

Prodhimi në sektorin e shërbimeve, gjithashtu u rrit me masën 4.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.

Modeli ekonomik i vendit nuk është i orientuar drejt ekporteve dhe veçanërisht të mallrave të cilat rrisin vlerën e produktit. Pasojat e këtij modeli janë të rënda, duke mos krijuar një prespektivë në rritje të punësimit dhe prodhimit.

Sektorët e bujqësisë, industrisë në tërësi, industrisë përpunuese, prodhimit të energjisë si sektorët më vital të punësimit dhe eksporteve të vendit, kanë treguar rënie të indeksit të prodhimit, të shitjeve dhe të punësimit.

Indeksi i prodhimit në tremujorin e parë të vitit 2024 është në rënie në – 4.0 % në sektorin e industrisë, në – 11% në sektorin e minierave, në – 2% në industrinë përpunuese dhe në – 8.0 % për prodhimin e energjisë elektrike

Ideksi i shitjeve është akoma shumë herë më i ulët. Në tremujorin e parë të vitit 2024. Për industrinë në tërësi, ideksi i shitjeve është në rënie në – 4.0%, në sektorin e minierave në – 7.0%, në industrinë përpunuese në – 2.4%, dhe në prodhimin e energjisë në – 14.0%.

Indeksi i punësimit në tremujorin e parë të vitit 202, tregoi një rënie në sektorin e industrisë në tërësi në – 4.0 %, dhe në industrinë përpunuese në – 4.2%.

Edhe Banka Botërore ka nënvizuar pikërisht atë që ne kemi konstatuar në programin tonë ekonomik.

Që modeli ynë ekonomik i vendit ka nevojë për transformim, duke u orientuar nga eksportet dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe jo vetem nga sektori i ndërtimit dhe i konsumit.

Modelin aktual që Partia e Lirisë e ka analizuar profesionalisht dhe me ekspertë në fushën e ekonomisë.

Partia e Lirisë synon që me programin e saj jo vetëm të analizojë gjendjen aktuale, por dhe propozon alternativën e ndryshimit. Struktura e ekonomisë duhet të zhvillohet drejt ekonomisë prodhuese dhe shërbimeve cilësore, që krijojnë një vlerë të lartë dhe eksporte në rritje.